Për herë të parë Tirana kaotike përballet me një bar, i vendosur në një pikë strategjike, larg zhurmës bezdisëse dhe pranë një klientele “të zgjedhur”. i Ky bar, përpos koktejleve dhe pijeve të ndryshme alkoolike dhe jo vetëm, ofron edhe tatuazhe. Pesë djem me ide tejet inovative dhe dëshirën e madhe për të krijuar një Social Club, kanë inaguruar një prej bareve më interesantë dhe me interior unik dhe tejet miqësor, të cilin shoqëria shqiptare e ka adaptuar menjëherë. Nëse e keni dëgjuar më parë, nuk e keni hasur kurrsesi në Shqipëri! Elegance ju servir një udhëtim ndryshe në “The Holy Grail”, për t’u prezantuar me një bar aspak të zakontë.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Filozofia
“The Holy Grail” përmban idetë e pesë djemve, të cilët nga eksperiencat e mëparshme në shtete të ndryshme, menduan të sjellin një frymë të re “biznesi” në Shqipëri. I ideuar si një bar social, funksionon si një “shoqëri” ku të gjithë janë miq, nuk ka asnjë hendek mes klientit dhe djemve të barit dhe shkëmbimi i ideve dhe eksperiencave përbën fokusin e “The Holy Grail”. Filozofia e barit konsiston me dëshirën e madhe që klienti të bëhet një pjesë e pandashme, duke ofruar disa lehtësi që jo çdo ambient në Tiranë i ofron. Djemtë e barit e mendojnë veten fillimisht si një klient i cili dëshiron të gjejë një ambient të përshtatshëm, rrjedhimisht analizojnë kërkesat dhe ato çfarë duhet t’i ofrojnë klientit dhe më pas i aplikojnë.


Interior
“The Holy Grail” është një përmbledhje e gjithë ideve dhe preferencave të djemve që e administrojnë. Me shumë pak ndihmë nga profesionistë, bari përmban shpirtin dhe mendjen e kreatorëve:  Bledar, Amarild, Krist, Rando dhe Xherri, të cilët bashkëveprojnë si një korpus i vetëm për të plotësuar kërkesat e klientëve-miq dhe të interiorit të “Grail-it”. Shumë larg nga një vend i zakonshëm, “The Holy Grail” të imponon një bisedë të ngrohtë dhe të thellë, duke pasur si synim të orientojë të rinjtë drejt artit. Interiori fillon me piktura të famshme të piktorëve më të njohur, të cilët me penelat e tyre i kanë falur botës kaq shumë. Nuk mungojnë aspak librat, të cilët janë të vendosur në një pozicion unik duke e bërë interiorin shumë interesant dhe menjëherë rrëmben vëmendjen. Pak retro nuk bën dëm, andaj një prej materialeve më të përdorura në interiorin e “The Holy Grail” është druri. Raftet e drunjta mbajnë orendi të ndryshme të cilat kombinohen mrekullisht me brendinë e tattoo-bar. Përpos rafteve, druri është prezent në statuja, si dekor që rrethon pasyqrat dhe element që rrethon muret dhe tavolinat (i kombinuar me xham). Pjesa e sipërme e barit përbëhet nga dy piktura të mëdha, të ngjashme me afresket e kishave dhe janë një rikrijim i mitologjisë greke dhe e bëjnë padyshim këtë vend “të shenjtë”.
Detajet dekorative janë lehtësisht të kombinueshme me çdo pjesë të tattoo-bar dhe kjo e kthen në një ambient shumë të ngrohtë, duke i shërbyer edhe filozofisë e një “friendly bar”.

Arti i Tatuazheve!
Të realizosh një pikturë të përjetshme në trupin e dikujt është art, përgjegjësi, por edhe një pasion shumë i madh që djemtë e talentuar të “The Holy Grail” kanë vendosur ta ndajnë me të gjithë. Për këtë, një hapësirë e veçantë i dedikohet plotësisht tatuazheve. Si një prej arteve dhe profesioneve më të preferuar në dekadat e fundit, tatuazhet i pëlqejnë të gjithë, guximtarët dhe ata që nuk e ndërmarrin këtë “investim” në lëkurën e tyre. Hapësira tjetër e barit flet vetëm gjuhën e bojrave dhe imazheve, që prej detajeve e duke u shtrirë deri te bisedat. Duke u zgjeruar gjithmonë e më shumë e duke servirur një mega risi, “The Holy Grail” u shërben admiruesve të tatuazheve në shumë aspekte; ti mund të bësh një tatuazh, të dëgjosh muzikë të mirë, të shijosh pijen tënde të preferuar dhe të bisedosh me të gjithë!

Detajet e veçanta e kthejnë në një kult këtë “dhomëz” të barit, ku gjithçka të lë të kuptosh me sa pasion punojnë artistët e talentuar. Dera përmban postera dhe logo që u dedikohen tatuazheve, muzikës rock’n roll dhe ngjyrave të ndryshme; ju thërrasin në një eksperiencë rebele dhe plot emocione.

Çfarë ofron?
Përpos faktit që tattoo-bar është një risi në vendin tonë, ka interior unik, rinor dhe shumë miqësor, ajo që e bën edhe më special është dëshira për të promovuar artin dhe si rrjedhojë, artistët e rinj. Një ditë e veçantë e javës i dedikohet tërësisht artistëve që kanë diçka për të transmetuar me artin e tyre, nëpërmjet çdo forme; mbrëmjeve live të muzikës dhe ekspozitave të fotografisë e pikturës. Çdo artist i ri është mëse i mirëpritur të ofrojë konceptin e tij mbi artin që ushtron, duke ndërgjegjësuar publikun, njëkohësisht edhe duke promovuar punimet e tij në një vend ku arti duhet të zgjohet.

error: Content is protected !!