Para 20 viteve, kur studioja në Holandë, gjithmonë ndiqja konferenca, forume dhe seminare të tilla, të cilat më frymëzuan dhe më hapën horizonte të reja për zhvillimet e mëtejshme teknologjike.
Në fakt, isha me fat që studioja në një vend si Holanda, ku mësova se vlerësohej shumë miqësia, lidhjet dhe puna e palodhur, ndaj gjatë konferencës së “Think Tech”, ftova të gjithë studentët që ishin të pranishëm në sallë, të më drejtonin pyetje mua dhe folësve për çdo paqartësi. Ashtu siç thotë edhe një shprehje: “Nuk ka pyetje të pasakta”, nuk duhet kurrë të kemi frikë të pyesim.
Frymëzuar nga tematika e “Think Tech”, dëshiroj të ndaj me ju një histori personale. Në Holandë kam studiuar një fushë që nuk lidhet shumë me median, komunikimin, reklamat dhe teknologjinë; kam studiuar në degën e Historisë. Të jem i sinqertë, zgjodha këtë degë sepse isha shumë i dhënë pas historisë, si dhe nuk doja të ndiqja rrugën e tim eti, i cili është diplomuar në Inxhinieri Elektronike, ka punuar gjithashtu në komunikim dhe media. Sigurisht, babai im më orientoi drejt teknologjisë, ose fushës së ekonomisë.
“Erion, je shumë i zoti me numrat” shprehej gjithmonë, por përherë i rezistoja “këshillës” se tij dhe i thoja të mos ndikonte, por të respektonte zgjedhjet e mia. Kështu, përfundova duke mësuar dhe studiuar për romakët, vikingët, Napoleonin dhe të shkuarën.
Tani, të shkuarën e kam lënë pas dhe jam fokusuar tek e ardhmja, tek teknologjia! Me dëshirë ose jo, jam duke ndjekur këshillën e tim ati, duke ndjekur rrugën e komunikimit dhe teknologjisë. Kur bisedojmë rreth kësaj teme, babai im qesh dhe me krenari shprehet: “Të thashë!”.
Gjithsesi, për t’u rikthyer në të tashmen, të gjithë informacionin që mblodha gjatë viteve të studimit, vendosa ta sjell në vendin tim. U riktheva në Shqipëri në 2005-ën dhe mora kohën e mjaftueshme për t’u integruar sërish me jetën e vendlindjes sime.
Në vitin 2008, me një staf të vogël, por të palodhur, nxorrëm në dritë një revistë mode, të cilën e pagëzuam me emrin “Elegance”, për të vijuar më vonë me revistën “Story”. Tani, kjo nisje shërben si batutë në rrethin tim shoqëror, të cilët më thonë se ëndrra ime e përhershme ishte revista e modës. Sigurisht, kjo është pjesërisht e vërtetë, dhe shërbeu si një start i mirë. Më pas, zbulova se Shqipërisë i mungonte industria e komunikimit dhe ky ishte momenti për të vënë në zbatim aftësitë e mia.
2011-ta ishte viti kur u krijua “Landmark Communications” dhe me shumë krenari them se ende në mesin tonë ndodhen shumë nga stafi i krijimit të agjencisë. 3 vite më vonë, u zgjeruam edhe me fushën e teknologjisë, ku na u shtua hallka e re, shumë e rëndësishme dhe morëm emrin e ri, “Landmark Communications and Technologies”.
Më pas, 2017-ta na gjeti me një risi të jashtëzakonshme, ku themeluam “Moveo Albania Technology”.
Asokohe, komunikimi në media ishte pothuajse i panjohur për tregun shqiptar. Gjithmonë kam patur bindjen se kemi ndërtuar një agjenci komunikimi, pasi besoj fort se komunikimi është çelësi i cili zgjidh shumë probleme, detyra dhe krijon një organizim organik dhe të shëndetshëm, si ky që ne kemi ndërtuar.
Me shumë krenari them se Landmark është tashmë një agjenci komunikimi shumë e suksesshme dhe ofron një larmi shërbimesh. Ka qenë një rrugëtim fantastik, por nuk do ndalojmë kurrë së mësuari dhe së u përmirësuari.
Por mos mendoni se e lamë me kaq!
Pas shumë takimeve dhe mbledhjeve brenda dhe jashtë vendit, vendosëm të ndërmerrnim hapin e radhës. Tashmë, një mbështetje shumë e madhe si teknologjia iu shtua logos sonë, ndaj edhe synimi ynë përfshinte përmbushjen e kërkesave të klientit, me anë të shërbimeve të shumta.
Ne në Landmark, kur bëjmë diçka, përpiqemi shumë të jemi sa më pranë perfeksionit, ndaj nuk kishte si të ndodhte ndryshe me hapin e radhës, digjitalizimin. Ajo që na ka çuar drejt suksesit, është fakti se kur bëhet fjalë për cilësinë, nuk bëjmë asnjë kompromis.
Nisëm me hapa të vegjël, me zhvilluesit e website-ve dhe me klientët vendas dhe ndërkohë që flasim, kemi shtuar në ekipin tonë zhvillues software, të cilët janë gjithmonë në rritje, bashkëpunimet ndërkombëtare gjithashtu.
Takimet e shumta dhe të shpeshta me partnerë ndërkombëtarë si: “EdComs”, “TeachPitch”, “Genomes” dhe sigurisht, “Moveo”, kanë bërë të mundur që tani të mbulojmë sektorë të ndryshëm, duke nisur me: menaxhimin e burimeve njerëzore, edukimin në distancë, impaktin e teknologjisë në jetën e njerëzve në mbarë globin dhe lidhjen mes gjenetikës dhe shkencave digjitale.
Së bashku me miqtë tanë të “Moveo”, vendosëm të sillnim edicionin e parë të “Think Tech” dhe të krijonim një traditë të re, të përvitshme.
Në thelb, mendoj se Shqipëria është një vend i mrekulleshëm, i cili ofron mundësi shumë të mira për profesionistët që kanë ambicie, dëshirë për t’u informuar dhe i dedikohen punës, pasi pa përkushtim, asgjë nuk është e mundur!
Janë të shumta mundësitë e rritjes në karrierë; shanset për të përjetuar eksperienca në vendet e tjera, pa e braktisur Shqipërinë. Mund të punoni për Landmark, në industrinë e marketingut digjital, ose të jeni pjesë e ekipeve të kompanive ndërkombëtare, të cilat kanë përfaqësi edhe në Tiranë (“Telekom”, “Philip Morris”, “Balfin Group”). Nëse dëshironi të krijoni përvoja në kompanitë ndërkombëtare, mund të punoni në distancë në (“Moveo”, “Sisal”, “Comdata”, “EdComs”, “TeachPitch”, “Genomes”). Kështu, do të zbuloni eksperienca dhe metoda të reja pune, në fushën e komunikimit e më gjerë.
Edhe pse ne shqiptarët shquhemi si persona emocionalë dhe impulsivë, duhet të mësojmë të mos reagojmë menjëherë, por të tërhiqemi, të numërojmë deri në 10 dhe të mendohemi mbi mundësitë e panumërta që na shpalosen.
Për ta mbyllur, uroj shumë që “Think Tech” të ketë përmbushur synimet e saj dhe t’i ketë lidhur edhe më ngushtë të rinjtë me shanset e tregut vendas dhe të huaj.

 

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Aldo de Pape, Mark Hahnel, Anis Brahimi, Ori Nebijaj, Erion Isufi, Carlo Sarugeri dhe Martin Finn

Mendo dhe përqafo teknologjinë!

Shkurti ishte muaji i teknologjisë, por edhe i risive dhe sipërmarrjeve të rëndësishme, me të cilat vendi ynë duhet të njihet patjetër.
Kishte ardhur momenti që një event, forum apo konferencë të na informonte dhe të shërbente si urë komunikimi mes kompanive lider në vend e në botë dhe të rinjve shqiptarë, të cilët janë të talentuar dhe shumë ambiciozë, andaj saktësisht, në 5 Shkurt u prezantua “Think Tech”, konferenca e parë me fokus teknologjinë, karrierën dhe të ardhmen e të rinjve.

Kjo risi pati 2 synime kryesore:
Të njohim impaktin e teknologjisë në bizneset brenda dhe jashtë vendit.
T’u japim mundësi punësimi dhe një karrierë solide të rinjve, në mënyrë që të mos braktisin vendin.

Konferenca, nën drejtimin e Ori Nebijajt dhe pjesëmarrjen e shumë sipërmarrësve vendas dhe të huaj, si dhe e të rinjve që dëshironin të njiheshin me mundësitë të cilat nuk mungojnë në treg, por zakonisht nuk i parashtrohen, nëpërmjet folësve, na rrëfeu mbi bizneset, sukseset dhe ajo që është më e rëndësishmja: fushat teknologjike në të cilat tregu është “i uritur” dhe premton shumë për të ardhmen e të rinjve.

Folës të rëndësishëm në sferën e sipërmarrjeve si: Erion Isufi, Elvin Guri, Elvin Nosi, Anis Brahimi, Martin Finn, Aldo de Pape, Carlo Sarugeri dhe Mark Hahnel na njohën me kompanitë e tyre dhe ndanë me pjesëmarrësit historitë e arritjeve, si dhe mundësitë për një karrierë të suksesshme në Shqipëri.

I ndarë në dy panele shumë interesante, “Think Tech” theksoi faktin se çdo ditë impakti i teknologjisë rritet dhe si rrjedhojë, përqafohet nga sipërmarrjet, duke krijuar kështu një simbiozë të pandarë në rrugën drejt progresit.
Por suksesin e një konference kaq të rëndësishme, sigurisht e tregon reagimi dhe përshtypjet e pjesëmarrësve, të cilat ishin tejet pozitive.
“Think Tech” ka si qëllim të rikthehet çdo vit, për të mundësuar komunikimin e “techno-addicted” me sipërmarrjet.

Leave A Comment

Your email address will not be published.

error: Content is protected !!