Vendet më të bukura, sipas vajzës që ka udhëtuar në të gjithë botën

Njihuni me Lexie Alford, vajzën që ka realizuar ëndrrën e të gjithëve! Kur ishte vetëm 21 vjeç, Lexie ka udhëtuar në të 196 shtete e botës, duke vendosur edhe rekordin Guinness për “Personin më të ri që ka vizituar të gjitha shtetet e botës”.
Meqë jemi në një periudhë ku udhëtimi duket një plan i largët, Elegance ju sjell një listë me shtetet të cilat vërtet e kanë impresionuar vajzën që ka parë të gjithë globin.


Duhet të dimë se Lexie përpiqet t’i arratiset kryeqyteteve dhe qendrave të zhurmshme. Në vend të tyre zgjedh vetëm natyrën dhe kulturën e cila ruhet me fanatizëm, e paprekur nga ndryshimet dhe ndikimet globale. Nëse adhuroni natyrën, kjo renditje është fiks për ju.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code


Indonezia

“Kur njerëzit mendojnë për Indonezinë, u vjen në mendje i vetmi ishull i njohur: Bali, i cili vërtet është një vend shumë turistik, me ujëvara të vrullshme, xhungla fantastike, mundësi për të bërë surf dhe shumë atraksione të tjera, por të jem e sinqertë, jam impresionuar nga disa copëza të tjera parajse, të cilat qëndrojnë të fshehta dhe nuk e kanë atë famën që ka Bali. Nga Java, Sumatra, New Guinea e deri në Derawan, është e pamundur të mos mrekullohesh nga Indonezia. Ke gjithmonë një vend të ri për të vizituar dhe ishuj të izoluar, në të cilët mund të shkosh sa herë dëshiron të lidhesh me botën e brendshme dhe natyrën”, – shprehet Lexie dhe mendojmë se Indonezia është vërtet një prej vendeve më mbresëlënëse.


Ekuadori

“Si një adhuruese e jetës së egër, nuk mund t’i rezistoja vizitës sime në Ekuador. Zhytjet nëpër ishujt fantastikë, kafshët të cilat preheshin të pashqetësuara në çdo anë, ujërat e kristaltë dhe kaq shumë mrekulli, të gjitha i gjeta në ishujt Galápagos. Më pëlqen Ekuadori, sepse e vlerëson jetën e të gjithëve dhe rëndësinë e mbrojtjes së ekosistemit. Rregulli kryesor ishte të respektoje jetën e kafshëve të egra dhe peizazhet përreth”.


Laos

Vendndodhja e Laos është midis vendeve më të vizituara të Azisë: Tailanda dhe Vietnami. Qetësisht, mes kaosit të këtyre vendeve, qëndron Laos, me kulturën e jashtëzakonshme dhe natyrën fantastike. Lumi Mekong është një prej atraksioneve më të bukura në botë, gjithashtu ujëvarat që kam vizituar më kanë lënë pa fjalë. Nëse je një person që adhuron mëngjesin, mund të zgjohesh shpejt dhe të shohësh murgjit të veshur me rroba portokalli, të cilët në heshtje ecin përmes tempujve të qytetit”.


Samoa

“Vizita në këtë ishull të vogël të oqeanit Paqësor u kthye në një ndër kujtimeve më të bukura për mua. Zgjohesha shpejt në mëngjes dhe vizitoja ujëvarat e mrekullushme në xhunglën e dendur. U ngjita në territore rrëshqitëse, u zhyta në ujërat e kristaltë, eksplorova të gjitha shpellat dhe zbulova se njëra prej tyre të drejtonte në oqean. Mund të them se në Samoa gjeta paqen që po këkoja. Është realisht vendi ku herë pas here duhet të izolohesh, në mënyrë që të gjesh vetveten”.


Islanda

Midis peizazheve fantastike, vullkaneve aktivë dhe flladit të ngrohtë në çdo qoshe, gjeta një prej destinacioneve të mia të preferuara. Në Islandën magjike, perëndimet zgjasin më shumë se një orë dhe çdo shkrep ka një ujëvarë. Ishulli i “zjarrit dhe akullit” ka një terren kaq divers, sa mund të them se është vendi më unik në planet”.


Pakistani

Kur vendosa të vizitoja Pakistanin, u ndjeva shumë e intimiduar dhe nuk e dija nëse isha gati të ndërmerrja një rrezik të tillë. Në një vend të tillë, infrastruktura nuk është shumë mirëpritëse për turistët, gjithashtu, vendasit, në ndryshim nga Japonia apo Italia, nuk janë mësuar shumë me kamerat.
Gjithsesi, në Pakistan përjetova një adrenalinë të paparë, pas aventurës në një prej rrugëve më të rrezikshme në botë. Është një vend që duhet vizituar patjetër, sidomos pas pandemisë, pasi mund të kontribuoni në ngritjen e ekonomisë lokale”.


Egjipti

“Nëse flasim për historinë, nuk ka asnjë vend tjetër në botë më të pasur se Egjipti. E kam vizituar shumë herë dhe sa herë shkoj, mësoj diçka të re. Antikiteti i Egjiptit më ka mahnitur që nga fëmijëria. Vende të tilla si: Abu Simbel, Valley of the Kings, piramidat e Gizës dhe mumjet në Muzeun e Egjiptit të mundësojnë kalimin nga e shkuara në të tashmen. Ju sugjeroj të mos kornizoheni vetëm në Kairo, pasi Egjipti ofron destinacione fantastike në çdo cep të tij”.