Ku ndodheni tani dhe me çfarë po merreni?
Jeta ime është gjithmonë në lëvizje mes shteteve fqinje, por mund të them që Tirana është vendi që këto kohët e fundit po më mban mbërthyer. Kjo si rrjedhojë e punës dhe angazhimeve artistike. Punoj në një shkollë muzike, jam profesoreshë e kantos dhe gjithashtu jam shumë aktive në evente të ndryshme ku bëhet muzikë live.
Cili është vendimi më i mirë që keni marrë ndonjëherë?
Absolutisht, muzika! Nuk më është dashur ta mendoj dy herë si zgjedhje, por gjithsesi e ndjej veten me fat që po bëj punën e duhur, diçka që më përmbush dhe jam e lumtur.
Kur e ndjeni veten më të lumtur?
Lumturia ime vjen nga gjëra edhe shumë të vogla…Jam njeri që lumturohem shpejt, por nëse flasim për një lumturi të gjatë dhe të madhe është padyshim të shikoj të lumtur familjen dhe njerëzit e mi të dashur.
Kur e ndjeni veten të trishtuar?
Hmmm…ka ca momente që më trishtojnë. Jam natyrë e prekshme dhe nga kjo kam mësuar që momenteve të trishta t’ju iki, domëthënë ja rregulloj vetes terrenin që të mos përfundoj e trishtuar. Por, gjithsesi jeta sjell plot gjëra dhe jo të këndshme, këto më mërzisin.