Kristi Janku – “Food blogger, jo mani, por një risi”

Thotë se pasioni i saj për gatimin, ka lindur dhe do të vdes bashkë me të! Nëse mendoni se protagonizmi i saj në media është i vlefshëm vetëm përmes modës, si një ikonë e stilit dhe trendeve të fundit, duke u kthyer në frymëzim për shumë femra shqiptare, gaboheni! Është më shumë se kaq! Kristi Janku, ka një tjetër pasion po kaq të preferuar në jetën e saj, siç është edhe bota e ëmbëlsirave, recetave dhe procesi i gatimit të tyre. E justifikon këtë me faktin se të qenit një familje e madhe dhe e pasionuar pas ushqimit në tërësi, ka qenë totalisht e pamundur që ajo të mos përfshihej në këtë botë plot ngjyra dhe shije. “Unë jam dizajner në profesion. Sa për modën ka qenë një pasion i vjetër, i cili qëndron në një dimension tjetër tani. Duket qartësisht sapo hap Kikiliciouss që fokusi kryesor është tek ëmbëlsirat dhe se si ato paraqiten për publikun. Mund të them me plot bindje që kam lidhur në një, dy fusha shumë të ngjashme dhe të kundërta njëra me tjetrën: gatimin dhe design-in”, pohon ajo. Ku e gjen frymëzimin? Mjafton pak vigjilencë për gjërat që ndodhin mes nesh. Bota është e mbushur plot me sinjale që presin të përthithen nga ne, mjafton të zgjedhim mes tyre. Për të, të qenit një food blogger nuk është mani. Thjesht është një risi e ardhur në mënyrë natyrale, që shihet nga syri i publikut shqiptar si një trend. Ajo futet në vitin e shtatë të të qenit food blogger. “Atëherë kur askush nuk e dinte ç’do të thoshte të ishe një food blogger unë kisha platformën time ku ndaja receta dhe mendime të ndryshme. Më kanë bërë vetë lexuesit shqiptar të vazhdoj këtë rrugëtim timin nga ku ka lindur dhe “Kikiliciouss”.