Rrëfimi tjetër i Rajmonda Bulkut

Çfarë fshihet pas syve të kaltër të Rajmonda Bulkut?
Aktorja rrëfen prapaskenat e demonstratave të viteve ’90, emocionet që i dhuruan rolet në kinema, arsyet që e shtynë të përfshihej në politikë dhe supriza e fundit, ndjesia e parrëfyer e të qenit gjyshe.

Nëse tenton të hysh thellë botës së Rajmonda Bulkut, do të duhet të hidhesh pas në kohë, të ecësh në bulevardin e kinemasë krah personazheve që ajo ka luajtur, me të cilat ngjan si dy pika uji. Sytë e kaltër që të rrëmbejnë që në çastin e parë dhe hiret e një gruaje të fisme që i trashëgon nga e ëma, nuk janë i gjithë sekreti. Zëri i i plotë, gati urdhërues në çdo grimcë komunikimi, është ai që 20 vite më parë udhëhoqi demonstratat nga Qyteti Studenti drejt sheshit Skënderbej për të shembur statujën e diktatorit. E habitshme! Tek Rajmonda Bulku mund të zbulosh shumë të panjohura përtej imazhit të gruas më të bukur në kinema, një shembull që janë rrekur ta ndjekin shumë femra. “Elegance” ka ftuar aktoren simpatike në një rrëfim të rrallë, si nënë, grua në karrierë dhe aktore brilante…!

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

 Pak e dinin para zgjedhjeve së Rajmonda Bulku ishte e lidhur fort me PD-në, si nisi kjo lidhje me politikën?
“Pak e dinin”, është për një brez relativisht të ri dhe për njerëz pak indiferentë, sepse askujt nuk do t’i kishte ardhur çudi kjo lëvizje e imja, duke e ditur që kam qenë shumë aktive në zhvillimet demokratike të viteve ’90-92. Data e 20 shkurtit, ku unë kam qenë protagoniste, është një ditë që vazhdon të mbetet e veçantë dhe ka një histori të vetën…!

Si u gjendët mes protestave atë ditë shkurti?
Ishte mbarimi i grevës studentore, një lëvizje madhore që u finalizua me rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës. Kishte studentë, ushtarë, minatorë, një përbërje e tensionuar dhe e shumëllojshme qytetarësh që dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm. Jam gjendur në një ballkon të Qytetit Studenti duke ndjekur situatën: në atë moment ka ardhur një qendër zëri dhe unë bëra thirrje në emër të nënave dhe grave për studentët që ishin në grevë. Nga ajo thirrje lëvizi çdokush në shesh: Kjo ishte një pikë vlimi, ku askush nuk mund të priste më. Gjithë kjo masë njerëzish lëvizi drejt bustit, gjithçka kishte filluar të lëvizte, ishte krijuar PD-ja. Kjo mbase ishte një koeçidencë, por thirrja ime, edhe pse ndodhi rastësisht, u bë me shumë dëshirë. Atë ditë jam ndier krenare, filluan të thonë “zëri yt ishte shumë thirrës” dhe m’u desh ta përjetoja ndryshe. Për mua mbeti një ditë e veçantë: jo thjesht u rrëzua një monument, por ra gjithë sistemi dhe kontributi i thirrjes ishte i imi.

Si vijuan ditët pas protestave, ishte vetëm kaq kontributi juaj?
Unë kam një lidhje me Gramnoz Pashkon, ka qenë kunati im. Duke qenë shumë afër, në shtëpinë e tij u krijua Partia Demokratike, aty nisën kontaktet dhe njohjet me njerëz që hynë në politikë. Aty kam takuar për herë të parë edhe Sali Berishën, sigurisht si një dëgjuese në familje. Në një lloj mënyrë isha shumë prezente me politikën që u ngrit në atë kohë, mund të mos isha pjesëmarrëse direkte, sepse ne kishim një Gramoz që ishte një kontribut i madh. Unë isha prezent aty ku ishin qytetarët dhe dëshira e çdo shqiptari, por nuk e shihja veten në politikë: isha një grua shumë e re, fëmijët i kisha të vegjël, gjithsesi nuk kam kursyer veten për të kontribuar.

Si u bëtë pjesë aktive e politikës si përfaqësuese e Partisë Demokratike?
Shumë vonë ka ndodhur, pasi edhe po të doja të bëja ndonjë lëvizje, duke qenë brenda këtij kontributi, (jo direkt në parti), kam qenë shumë prezente, aq sa në probleme që kishte teatri, gjatë viteve 2000 unë gjithmonë isha “e atyre” (demokratëve). Gjatë kohës që në pushtet ishte PS-ja, nuk i kam fshehur bindjet e mia, madje isha krenare për to. Vij nga një profesion që është shumë popullor dhe kjo njohje ka të mirën e vet. Që në 20 shkurt, nëse do isha anonim atë thirrje mund ta kishte bërë kushdo, por ja që e bëra unë: e para sepse ishte një zë femre dhe e dyta sepse isha një aktore. Pra, kjo njohja nga ekrani bëri një punë të mirë, njerëzit e donin këtë gjë, ishte një njohje që u përdor për një mision pozitiv. Për këtë më ndihmoi arti, një biografi të qartë: aktore, por edhe aktive gjatë viteve ’90-’92.

Çfarë ju nxiti për këtë dhe pse kaq vonë?
Që s’e kam bërë pak më herët mund të justifikohem me shumë gjëra, kam qenë e pranishme në fushatat e kandidatëve të tjerë apo me Gramoz Pashkon. Prandaj them që kam qenë prezente, por asnjëherë të garoja për vete. Mbase qe kjo pjesëmarrje, numri i grave apo mungesa e Gramozit? Ishin një kompleks gjërash kur u gjenda përballë kësaj ftese. Mendoj se kam bërë mirë. Më pëlqen aty ku jam, nëse gjërat do të kishin funksionuar më mirë mes pozitës dhe opozitës do ishte akoma më mirë, pasi përpjekjet e Qeverisë janë në maksimum, jo si në anën tjetër. Jam mirë në këtë pozicion, shumë gjëra të mira mund të bëhen me pak bashkëpunim edhe për të mirën e artit.

Me syrin tuaj sot, ç’mund të veçoni problematike në teatër e kinema?
Kinemaja dhe tearti kanë shumë nevojë për nismën private. Teatri, përveç mbështetjes nga Ministria e Kulturës, duhet të preket më shumë nga pala private. Artisti mund të ndihmohet nga biznesi, siç ndihmohet biznesi me favorizime në emër të artit. Në Tiranë nuk ka asnjë sallë teatri private dhe kjo është e dhimbshme…!

Po si ndihet një aktore në politikë, si e përkufizoni veten pas gati dy vjetësh?
Unë lëviza pak me vonesë dhe mendoj se njeriu ka një moment që mund të provojë dhe të kontribuojë në një fushë tjetër që është e vështirë, por të dyja kanë një të përbashkët: kontaktin me njerëzit. Lëvizjet e mia tregojnë se nuk kam një ngopje, një realizim, të them mbarova dhe kaq. Si duket jam rritur me dëshirën për të pasur shumë gjëra që nuk i kemi pasur, brenda vetes sime ka ambicie pafund, edhe kjo lëvizje që bëra tregon se dua të investoj, të kërkoj më shumë. Kam shkruajtur dikur, por nuk kam ruajtur asgjë, një ditë ndoshta do të ulem për të shkruar…!