E duam librin

E vërteta mbi çështjen Herri Kjubert
Joël Dicker/ 1,400 Lekë
Në verën e vitit 1975, në një qytetë paqësor të Aurorës, një vajzë vetëm 15 vjeç zhduket krejt papritur, në mënyrën më misterioze të mundshme. Asgjë nuk dihet për fatin e Nola Kellergan, ndërkohë që kërkimet e policisë nuk kanë asnjë rezultat.
Pranverë, viti 2008, në New York plot zhurmë e gjallëri, Markus Goldman, një shkrimtar i ri dhe i suksesshëm po pëson një “bllokim artistik”, duke njohur një prej rreziqeve më të mëdha në karrierën e tij. Asnjë rresht nuk shfaqet në letër, rrjedhimisht nuk dorëzohet asnjë roman në duart e botuesit.
Por, diçka tepër e papritur ndodh në jetën e shkrimtarit “të bllokuar” dhe ngjarjet marrin një rrjedhë të re, e cila duket se do të zhbllokojë mendjen dhe shpirtin e Markus. Një miku i tij, professor në universitet, njëkohësisht edhe një ndër shkrimtarët më të vlerësuar në letërsinë amerikane, do të akuzohet se ka vrarë adoleshenten Nola Kellergan. Policia dyshon, të gjithë dyshojnë, media është shumë e vrazhdë me profesorin, gjithashtu fati nuk është aspak në anën e tij. Kufoma e vajzës së re gjendet në oborrin e vilës së tij, në “Goose Cove”, në breg të oqeanit.
Ndonëse gjithçka kthehet kundër profesorit, miku i tij besnik është i bindur se Harri nuk ka gisht në ngjarje, pasi nuk është i aftë të kryejë një krim të tillë makabër.
Markus braktis gjithçka dhe shkon pranë mikut të tij, për të bërë një hetim vetjak, për të zbardhur të vërtetën dhe për të hedhur dritë mbi ngjarjen, duke zbuluar kështu vrasësin e pashpirt.
Pas plot 3 dekadave, Markusi do t’i japë përgjigjes një pyetjeje që ka munduar një qytezë të heshtur, duke rikthyer plagë në shpirtrat e të njohurve të Nolës, por edhe duke ngacmuar ngjarje dhe të vërteta tronditëse. “Kush e vrau Nola Kellegranin dhe pse?”.
Kthesa e papritur e ngjarjes shërben si një analepsë, e cila na rrëfen se kjo ndodhi do të ndikojë edhe në krijimin e një romani shumë të suksesshëm, por derisa të mbrijmë te zgjidhja e problemit, do të kalojmë së bashku me Markusin dhe Harrin ndjesi të çuditshme dhe plot ankth, në inspektimin e një krimi i cili ka befasuar qytetin e paqtë.
Ngjarjet tregohen me “vërtetësi” duke shkaktuar kështu një lloj drithërime dhe thrilleri, të cilin lexuesi mund ta imagjinojë lehtësisht, duke u bërë njësh me “aventurat” dhe emocionet e një të akuzuari dhe një miku që beson.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Bastardja e Stambollit
Elif Shafak/ 1,000 Lekë
Familje të ndryshme kanë pasione, sjellje dhe ndjekin tradita të ndryshme.
Tek Kazanxhit, turqit e Stambollit, kemi gra me humor të lëkundur, u pëlqen dashuria, flasin për gjithçka, që nga seksi e deri te xhindet. Burrat vdesin shpejt, ose largohen në emigrim.
Tek Çakmaçianët, armenasit që kanë shkuar në SHBA në vitet ’20, pavarësisht gjinisë, të gjithë mbrojnë traditat dhe lidhen ngushtë me identitetin e Armenisë. Andaj, divorci i papritur mes Barsamit dhe Rozës erdhi si një bombë dhe ndezi plot kritika e pakënaqësi. Martesa e saj me turkun Mustafa, ngjalli polemika dhe krijoi një stuhi zemërate.
Kur vajza e Barsamit dhe Rozës, tashmë në një moshë të pjekur, 21 vjeç, shkon befasisht në Stamboll për të mësuar më shumë mbi popullin e saj, strehohet përzemërsisht tek njerku Mustafa.
Mes saj dhe Armanush Çakmaçianit lind një miqësi e ngushtë, e cila gjithashtu ngjall polemika.
“Bastardja” nxjerr në dritë të fshehta të ndyra, të cilat janë rrënjosur shumë thellë.
Personazhet e “Bastardes së Stambollit” janë tepër të gjallë, dalin nga faqet e librit dhe bëhen njësh me lexuesin.

Muzeu i pafajsisë
Orhan Pahmuk/ 1,800 Lekë
Ngjarjet e romanit “Muzeu i pafajsisë” ndodhin në vitin 1975, gjatë stinës së verës. Një djalë i pasur si Kemali është gati të fejohet me Sibelin, një vajzë aristokrate, e cila është arsimuar në Perëndim. Por fati ka një tjetër plan për Kemalin, i cili krejt papritur e gjen veten “peng” i një dashurie të parrokshme për kushurirën e tij, Fysunin, një shitëse e thjeshtë në një dyqan modest në Stamboll.
E gjithë bota përmbyset, fatet trazohen dhe Kemali endet mes përpjekjesh, vuajtjesh dhe ëndërrimesh në spiralen e dashurisë së tij të ndaluar.

Enigma e një fundi
Julian Barnes/ Çmimi 800 Lekë
Toni Uebster, një burrë pa cilësi, si në studime, në punë, në ndjenja dhe në jetën sentimentale dhe seksuale. Jeta e tij është një lumë i qetë, i cili nuk trazohet kurrë.
Por krejt papritmas, lumi turbullohet dhe një avokat e njofton që i kanë lënë trashëgimi 500 sterlina, si dhe një ditar nga e kaluara që krejt papritur del në dritë dhe shfaqet në të tashmen.
Toni duhet të zbulojë se kush ia ka lënë një trashëgimi të tillë dhe çfarë fshihet pas këtij akti, cili është sekreti i ditarit dhe pse i kushtohet pikërisht atij.

Femrave u pëlqen e kuqja
Daniela Farnese/ Çmimi 1,000 Lekë
Ambra është 21 vjeçe, e bukur, e mençur, ka passion librat dhe kulinarinë, si dhe një karrierë të përkryer në New York, në metropolin që nuk fle kurrë. Por papritur një telefonatë ia trazon jetën dhe e detyron të braktisë Amerikën për t’u kthyer në Itali.
Atje, mes vreshtave dhe verës së mirë, Ambra do të rizbulojë origjinën e saj, peizazhet e mrekullueshme të Italisë, një jetë përtej teknologjisë dhe larg karrierës. Në Italinë magjike Ambra do të takojë Alesandron dhe do ta marrosë edhe më shumë, tani që është e rritur.


Letra e harruar
Nina George/ Çmimi 900 Lekë
Në një varkë në brigjet fantastike të Senës, gjendet një librari lundruese e veçantë, e cila mban emrin “Farmacia Letrare”. Zhan Perduja, librashitësi mendon se çdo libër është një balsam për shpirtin, por i vetmi njeri që nuk po gjen shërim nga arti i letrës është vetë ai, pasi prej kohësh jeton me kujtimin e se dashurës, e cila e braktisi papritur duke i lënë vetëm një emër.