“1984”, kryevepra e pakohë

“1984”
George Orwell/ 800 lekë
Një ndër veprat më me ndikim të shekullit të kaluar, “1984” reziston në çdo kohë. E ashpër, tronditëse dhe e tejmbushur me alegori, rreket të thyejë kultin e tiranit dhe të shtypjes njerëzore. Në një shtet diktatorial, ku nuk ekziston as mendimi i lirë, as mundësia për të dashuruar dhe për të vepruar, gjallon një turmë njerëzish robotikë, të paaftë për të ndërmarrë asnjë hap. Përgjimi i “Vëllait të Madh” dhe shpëlarja e trurit qëndrojnë në fokus të veprës, sikurse shkruhet në çdo cep “Vëllai i Madh po ju vëzhgon”.
Orëell trajton në Oqeaninë e përtejme një temë shumë prezente në çdo shoqëri që ka kaluar në etapën e diktaturës. Media nuk ekziston, mendimi i lirë po ashtu. Mes jetës uniforme dhe të njëjtë për çdo banor, pikas Z. Smith, i cili ndryshe nga të gjithë ka një memorie më të fortë dhe ende të paprekur. Smith nis të gjejë parregullsitë e sistemit dhe të kuptojë se fakti që është pakicë nuk e bën të cmendur, përkundrazi në këtë rast e bën njerëzor dhe të papërlyer nga një “unifikimi”. Ndërkohë që përballon ankthin e kapjes sepse mendon lirisht, Smith duhet të shtiret kurdoherë, duke shmangur reagimet e mimikës, mbajtjes së shënimeve etj. Situata e tij ngatërrohet kur Xhulia, një kolege në mënyrë tejet tinëzare i zgjat një letër ku i shpreh dashurinë dhe dëshirën e zjarrtë për ta takuar. Kaosi dhe dëshira për të thyer rregullat e shtyjnë Smith në një marrëdhënie pasionante, ku ai zbulon se nuk është i vetmi, por se shumë të tjerë kanë rënë pre e pasionit. Me vigjilencën e një fajtori, Smith synon t’i zbulojë dhe ta rrëzojë sistemin që i ka kthyer njerëzit në robotë. Shqisat e tij avancohen dhe vetëm me shkëmbime shikimesh arrin të kuptojë se eprori O’Brien është si ai dhe Xhulia, ai mendon dhe nuk është pjesë e një makinerie njerëzish, ka mendim të lirë dhe jo të ndryshueshëm nga Vëllai i Madh. Edhe O’Brien e pikas Smith dhe e fton në “Vëllazëri”, ku i ofron ndihmën e tij në përmbysjen e qeverisë dhe tiranit. Pinjollët e mendimit dhe arsyetimit fillojnë të planifikojnë, por shumë shpejt mes tyre gjendet një tradhëtar. Vëllai i Madh i zbulon, e ndërkohë që Smith pret “të avullojë”, përfundon në dhomën e torturave, “Dhoma 101” me vendndodhje te Ministria e Dashurisë.
Mes torturave të shumta dhe një qëndrimi shumë të gjatë, Smith vendos t’u bindet rregullave dhe t’i nënshtrohet sistemit, i cili pretendon ta unifikojë me gjithë banorët e tjerë. Edhe pse kokëfortë në mendimin dhe origjinalitetin  e tij, mes torturave dhe dhimbjeve fizike, shpirtërore dhe psikologjike, Smith kupton se Vëllai i Madh e njeh më mirë se mendon, ndaj e vetmja rrugë është nënshtrimi, ose shtirja si i nënshtruar.
Një libër psikologjik, reflektues dhe tregues i qartë i presionit dhe pasojave të mëdha të diktaturës te qëniet njerëzore, Orwell sjell mes absurdit dhe irreales një roman mbresëlënës dhe një himn të mendimit të lirë.

Kritika

“Nuk mendoj të kem lexuar ndonjëherë ndonjë roman më drithërues dhe depresiv, por njëkohësisht kaq origjinal, të mban në suspancë dhe është e pamundur ta lëshosh librin”.
New Statesman

“1984 është novela që arreston politikën”.
P. H. Newby

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

“Novela që ka thyer të gjitha rekordet në Angli e më tej”.
Edward Shanks