Ideja e bluzave me qëndisje lindi në janar 2018 fare rastësisht. Ishte si nje ide që kishte fjetur për shumë kohë brenda meje. Asokohe sapo isha shkëputur nga puna tjetër (një punë jo e sektorit të artit apo modës), plus kisha dalë nga një periudhë aspak e lehtë për familjen time, e ashtu si papritur e dija që doja të bëja këtë gjë, dhe vetëm këtë. Nuk kisha një plan apo strategji në kokë, thjesht e dija që doja ta bëja.
Kur mendoj ndonjëherë zanafillën e pasionit për punën e dorës, kujtoj mamin që ka punuar gjithë kohës me grep dhe imazhi që më ka mbetur në kokë nga ajo është që sa kthehej nga puna, nuk rrinte të pushonte, por merrte grepin dhe punonte. Plus në adoleshencë, çdo veshje e modifikoja duke e qepur dhe e shqepur me dorë. Pra, fakti që unë gjeta thirrjen time në moshën 27-vjeçare nuk ka qenë edhe aq rastësore. E sot që po flasim, jemi fiks 1 vit e pak muaj nga nisja. Më e lumtur se kurrë me qëndisjen, me mesazhet që marr pasi dorëzojmë produktin. Nga një lajmërim që bëra në Instagramin tim personal, impakti që pati dhe njerëzit e përqafuan idenë time dhe jo vetëm. Filluan duke bërë porositë e para dhe ekzaktëisht ai moment mua më dha shtysën finale. Nuk do të ndalesha!
Ama duhet ta pranoj që ndoshta nëse nuk ishte për atë grup njerëzish që besuan që në fillim tek unë, pa parë ende asgjë, ndoshta “Sincerely Ana” nuk do të kishte përmasat që ka tani. Jam tejet mirënjohese dhe më e motivuar se kurrë.
Ndërkohë jam duke punuar shumë që kjo ëndërr në të ardhmen të kthehet në më shumë se një ëndërr; të marrë përmasa të mëdha dhe të vazhdojë të më mbushë shpirtin çdo ditë e pse jo të ketë edhe nje grup pune që do e duan po aq sa unë.