Si lindi e gjitha? Çfarë shërbeu si shtysë që ta konsideroje artin e tattoo-ve si një profesion të mirëfilltë?
Në fakt, e gjitha nisi krejt rastësisht, pa një ide fillestare në mendje. Filloi kur unë isha tepër e vogël, diku te 14 vjeç dhe dëshiroja të mbushja kohën gjatë pushimeve të verës. Ishan ë Vlorë, në plazh, kur për herë të parë rashë në kontakt me tattoo-t. Që atëherë vendosa të ndiqja një kurs 3 mujor dhe të kaloja kështu periudhën e verës. Më pas, e gjitha kjo, ndikoi shumë te unë. Fillova të dashurohesha me tattoo-t, të eksperimentoja, të njihja njerëz të rinj dhe normalisht, t’i dedikoja më shumë kohë, derisa nga një kurs sezonal, u kthye në pasionin tim më të madh. Më pas, studioja në Tiranë, shumë njerëz që patën besim te unë dhe shërbyen si shtysë për ta vazhduar si një profesion më sollën deri këtu. Gjithashtu, edhe manaxhimi i një lokali, më shtyn ta promovoj pak më shumë punën time dhe të krijoj kontakte të reja. Pra, siç mund të kuptohet unë aktualisht kryej dy punë, pasi mendoj se manaxhimi i mirë i kohës të lejon të bësh shumë gjëra njëkohësisht, të ndjekësh talentet e tua dhe të japësh më të mirën te të gjitha gjërat që bën me shumë dëshirë.
Si kanë ndryshuar teknikat e tua?
Kur fillova të bëja tatuazhe, isha e vogël dhe asokohe ishte periudha e realizmit. Mendoja se një tatuazh realist ishte ai që doja të bëja gjithmonë, pasi tregonte sa e zonja je në këtë profesion. Por me kalimin e kohës evolojnë edhe dëshirat e njerëzve, duke ndryshuar edhe teknikat dhe preferencat e mia. Ndaj, për mendimin tim, teknikat ndryshojnë në varësi të kohës.
Cilat janë tatuazhet që i realizon me më tepër dëshirë, referuar tematikës?
Kohët e fundit më pëlqejnë shumë tatuazhet “line” dhe skicat. Më duken delikate, minimaliste dhe duan shumë përkushtim, pasi janë të zhveshura nga detajet e shumta. Normalisht, janë të lodhshme, por kur shikon rezultatin dhe kënaqësinë në fytyrën e klientëve është diçka që më plotëson dhe më shtyn dhe më bën ta dua edhe më shumë artin e tatuazheve. Faktikisht, lumturia e klientëve, sidomos atyre që e kanë tattoo-n e parë është një prej gjërave më të bukura që ndjej kur kam përfunduar punën time.
Mendon se ka një definicion standard? Një tattoo duhet mee patjetër të tregojë një histori, apo të simbolizojë diçka?
Sigurisht që jo! Unë kam shumë tattoo që thjesht më kanë pëlqyer dhe i kam bërë. Mendoj se e kemi kaluar këtë fazën që një tattoo duhet të ketë patjetër një kuptim ose simbolikë, ndoshta është prezent për tatuazhin e parë, por më pas fillon edhe zbehet si mendim.
Arti i tattoo-ve është konsideruar gjithmonë “mashkullor”. Cilat janë avantazhet dhe disavantazhet e të qenurit femër në një profesion të tillë?
Më shumë se disavantazh, më ka shërbyer si avantazh. Unë kam depërtuar në treg kur pothuajse nuk kishte fare femra që e bënin diçka të tillë dhe ajo që më ka ndihmuar shumë ishte kureshtja e njerëzve. Kishte nga ata që vinin, donin të bënin tattoo pa patur asnjë lloj besimi, thjesht kuriozitet si një vajzë mund të bënte një tattoo. Në Shqipëri ka ekzistuar gjithmonë mendimi se meshkujt mund të bëjnë tattoo, pasi konsiderojnë ato tattoo-t e mëdha dhe me shumë detaje, por unë mendoj se pasioni nuk ka një gjini dhe se të gjithë, nëse kanë talent mund ta realizojnë me përkushtimin dhe të ofrojnë rezultatin që klienti pret.