Nga Parisi i stilit dhe finesës, Najada Musa ka menduar të krijojë një sipërmarrje shumë të veçantë, e cila ka të bëjë me artin e të krijuarit bizhuteri, kaq unike dhe speciale, sa kanë fuqinë të ndryshojnë dhe definojnë stilin.
“9 Muses Paris” është një emër i pazakontë, i cili vjen nga 9 perëndeshat e mitologjisë greke dhe nga mbiemri i Najadës. Krejtësisht i personalizuar dhe ide shumë e gjetur.
Por si ka lindur dhe është zhvilluar “9 Muses Paris”?
Najada shprehet se e gjitha lindi si rezultat i dashurisë dhe kuriozitetit, e me të drejtë mendon se ky është një kombinim shumë i fortë, i cili ose të motivon të shkosh shumë larg, ose të humbësh shumë. Prakikisht, nuk ka një rrugë të mesme.
Dashuria është e lidhur me pasionin për bizhuteritë dhe admirimin ndaj së bukurës dhe kurioziteti, me idenë sesi është të punosh kaq pranë të bukurës dhe ta transmetosh atë në një biznes të pavarur.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Ideja themelore përkon me disa plane jo shumë solide, me disa miq, për të krijuar një hapësirë të posaçme në Paris. Ky plan asnjëherë nuk u realizua, por ndonjëherë fati dhe pasioni lidhen së bashku. Krejt rastësisht, Najada merr një ftesë për një panair i cili i dedikohet bizhuterive, ku shkoi me shumë dëshirë. E nëse ka një Cupid për bizhuteritë, bëri gati harkun, shënjestroi dhe goditi Najadën me gjithë fuqinë e tij.
Më pas, bizneswoman e re u has me vështirësitë në një vend të huaj, me problemet që sjell një gjuhë që nuk e njeh mirë, me takime të shumta me avokatë, financierë, agjentë imobilarë, por me një ëndërr gjigande që nuk mund ta neglizhonte.
Ajo që vlen të kujtohet është dita e parë, kur lindi dielli dhe Najadën e gjeti në dyqanin e saj. Mendimi “ke një dyqan në Paris! Ke një dyqan në Paaaaris!” ishte ai që e motivoi për shumë kohë. Me sinqeritetin më të madh, artistja e bizhuve pohon se nuk e mendonte se do të kishte një dyqan në Paris.

Por ja ku është sot, në dyqanin e saj të vogël, por shumë të dashur, plot me bizhuteri.
Modelet i përzgjedh me shumë kujdes, nisur edhe nga preferencat e saj. “Kurrë nuk zgjedh një model të cilin nuk do ta vendosja as vetë!” shprehet Najada dhe kjo na bën ta konfirmojmë pasionin e saj të madh dhe dashurinë për biznesin e saj.
Sigurisht, një faktor me rëndësi është edhe çmimi. Ajo asnjëherë nuk zgjedh modele të cilat nuk i përshtaten çmimit që mbajnë. Kjo i ofron klientit larmishmëri zgjedhjesh dhe mundësish, në mënyrë që të dalë i kënaqur nga dyqani dhe të ketë në koleksionin e tij produktin që dëshiron.
Në periudhën kur unikja ka një rëndësi esenciale, dyqani “9 Muses Paris”, përpos modeleve të shumëllojshme, ofron edhe gamën Handmade, me bizhuteri speciale, enkas për klientët që dëshirojnë një krijim të veçantë. Emri na e tregon se kemi të bëjmë me bizhuteri të punuara krejtësisht me dorë. “9 Muses Paris” bashkëpunon me një artizan i cili gjethet e natyrës i kthen në bizhuteri. Gjethet e plepit apo të trëndafilit, apo numri i pafundëm i gjetheve që Natyra ofron, lahen me flori dhe rezultati është : varëse, byrzylykë dhe vëthë të pazakontë dhe mbresëlënës.

Çdo gjethe është unike dhe asnjëherë një krijim nuk është identik me të tjerët. Pra, klientët kanë bizhuteri të veçanta, të pariprodhueshme në një version apo model tjetër. A nuk të dhuron kjo ndjesinë se je unik dhe special?
Klientët e Najadës nuk janë vetëm banorët apo turistët e Parisit, por edhe shqiptarë, të cilët e kanë zbuluar sipërmarrjen e “9 Muses Paris” nga Instagrami (9musesparis) dhe shprehen gjithmonë të impresionuar sapo marrin porosinë.

“Nuk e imagjinoja kaq të bukur!”, “Është më e bukur live se në foto” dhe shumë reagime të tjera, janë ato që e bëjnë të lumtur Najadën. Sipas saj, është një emocion shumë i madh që të bësh njerëzit të ndihen të bukur dhe plot vetëbesim. Nisur edhe nga dëshira e saj për t’i bërë njerëzit të ndihen mirë, të inkurajuar apo të motivuar, kjo është puna e duhur për artisten e 9 muzave. Një dimension i ri si bizhuteritë unike e gëzon edhe më shumë shpirtin e bukur të Najadës.

Nëse dëshironi t’i bëni tuajat punimet magjike të “9 Muses Paris”, po jua thjeshtojmë punën. Mund të hidhni një sy në Instagram: 9musesparis dhe në Website: www.9musesparis.com

error: Content is protected !!