Valeta është kryeqyteti i Maltës dhe është një metropol i cili bashkon dy kohët: të shkuarën dhe të tashmen dhe shumë kultura e nacionalitete. Valeta është një mrekulli arkitektonike, e projektuar me shumë rrugë e rrugica dhe fortesa gjigante. Është e thjeshtë të humbasësh në Valeta, në mënyrë figurative, por edhe në kuptimin e parë të fjalës.
Muret mbartin një numër të madh tunelesh, të cilat janë ndërtuar dhe përdorur gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Çfarë duhet të bëni në Valeta?
Eksploroni qytetin
E përmendëm edhe më sipër që Valeta është kryeqyteti i rrugicave dhe përbëhet nga plot 12 rrugë paralele, të cilat të gjitha rezervojnë pamje mahnitëse. Niseni ditën duke eksploruar qytetin dhe admironi ballkonet dhe dyert shumëngjyrëshe, për të cilat Malta është tejet e famshme. Ngado që të ktheni kokën, do të mrekulloheni nga peizazhi përreth.
Ushqeni shpirtin me art
Nëse jeni në Valeta, duhet me patjetër të vizitoni Muzeun e Arkeologjisë, i cili ndodhet në rrugën “Republika”. Muzeu rrëfen historinë e magjishme të Maltës, në periudha të ndryshme historike, përfshirë epokën e Bronztë e deri në ditët e sotme. Përpos rolit të “ciceronit” që muzeu kryen, vetë ndërtesa daton që prej shekullit XVI, çka i shton vlerat historike dhe artistike.
Një tjetër vend i cili mezi pret të vizitojet prej jush është Katedralja e St. John. Ndërtesa me stil barok është një kryevepër arti. Vizita në Katedrale shoqërohet edhe me një guidë të hollësishme, në gjuhë të ndryshme. Kështu, do ta keni shumë të lehtë të mësoni mbi mrekullinë artistike dhe të mahniteni nga bukuritë e jashtëzakonshme të varreve, veprave orgjinale të Caravaggio-s dhe Mattia Preti, si dhe historisë së luftës dhe artit.
Rrugët e brendshme të qytetit mbartin histori magjike, të cilat marrin frymë në ndërtesa fantastike. Ia vlen të vizitoni Parlamentin dhe Teatrin Manoel. Gjithashtu, Shtëpia e Vjetër e Operës risjell një homazh mbresëlënës në kujtim të kohës kur latinët mbretëronin botën,
Gjithashtu, kopshtet e Upper Barakka janë krenarive më e madhe jo vetëm të Valetës, por edhe të Maltës. Besojmë se është e tepërt t’jua sugjerojmë.
Një vizitë që do t’ju pëlqejë është edhe ajo në shtëpinë Rocca Piccola, vatra familjare e aristokratëve de Piro. Pallati është ndërtuar në shekulli XVI dhe mbart mbi 400 vite histori.
Mos harroni suveniret
Kur eksploroni rrugët e Valetës, patjetër do të hasni dyqanet plot me suvenire, butikët luksozë, strofullat e bizhuterive, libraritë unike, artistët të cilët tregëtojnë artin dhe promovojnë talentin e tyre dhe kafeteritë tradicionale. Një ndërthurje e mrekullueshme midis rrugëve dhe ndërtesave me stil barok dhe larmishmërisë së ngjyrave, luksit dhe artizanëve: të gjitha i gjeni në Maltë.
Shija e Maltës
Pija më e mirë në Maltë është padyshim një filxhan kafe! Vendi më i mirë është Lot Sixty One Coffe Roasters, ku mund të shijoni kafenë tradicionale, një kroasant të shijshëm dhe bukë me banane. Buzëqeshja e stafit dhe ëmbëlsia e kafesë janë një kombinim të cilit nuk mund t’i bëni dot ballë.
Për të shijuar një drekë të mirë, ju sugjerojmë të provoni biftekun e Sciaccia Grill. Për më tepër, mund ta zgjidhni bazën e ushqimit, sipas preferencave tuaja.