Për të ndërtuar një sipërmarrje të re duhet guxim, pasion dhe shumë kreativitet. Të gjitha këto elemente ndërthuren në konceptin e Nexara Dedaj, e cila me shumë dashuri krijon bizhuteri unike, të cilat klientet i adhurojnë menjëherë.
E bukura e ka ndjekur gjatë gjithë jetës, ndaj shumë shpejt vajza që mrekullohej nga arti, do të krijonte art.
Njihuni me Nexarën dhe “Ginger Concept”, një “butik” virtual fantastik, i cili plotëson në detaje stilin tuaj.

Nexara Dedaj – Krijuese e “Ginger Concept”

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

 

Si ka lindur pasioni dhe ideja për të krijuar “Ginger Concept”?
Që në moshë të hershme jam ushqyer për të pasur një vëmendje të veçantë ndaj së bukurës, duke kaluar më pas nga kënaqësia e soditjes tek ajo e të krijuarit të saj.
Kështu lindi “Ginger Concept”, me dëshirën e madhe për të ndarë më gjerësisht krijimet e mia në vitrinën më të madhe të momentit, atë virtuale. Me postimet e para që pëlqeheshin dhe tërhiqnin interes, shtytja për të krijuar u bë çdo ditë e më e fortë.

Pse keni zgjedhur pikërisht këtë emër?
Emri erdhi spontanisht, edhe pse tingëllon pak vanitoze ideja që të ketë lindur nga një ngjyrë flokësh. Ideja e një “gingerhead” që krijon m’u duk interesante për të trajtësuar identitetin e brand-it tim, të lidhur shumë ngushtë me vetë identitetin tim, sepse krijimet e mia janë pasqyrë e imja, e formimit, shijeve dhe stilit.

I ka përmbushur “Ginger Concept” pritshmëritë tuaja në lidhje me klientët?
Nuk kam pasur asnjëherë pritshmëri që faqja të më sillte fitime të shpejta, ndoshta edhe për faktin se për mua, është një veprimtari dytësore që rrugëton krahas zhvillimit të profesionit primar. Është një “passion driven business” që përmban të dy komponentët: kënaqësinë që të jep aprovimi apo pëlqimi i krijimeve të tua, me konvertimin e këtij pëlqimi në klientë dhe fitime të shtuara.
Mund të them se ndonjëherë pritshmëritë janë tejkaluar e nuk mund të mohoj se kjo të sjell kënaqësinë e vetë dhe një shtysë të fortë për të krijime të reja, mbi të gjitha të veçanta.

Si funksionin “Ginger Concept”, ju realizoni punët dhe ato porositen, apo klientët japin idetë mbi aksesorët që duan?
Krijimi i një aksesori të ri lind si pasojë e një frymëzimi të momentit, ose nisur nga një rrymë ose stil i caktuar: nga krijimet bolemiane, të lira e moskokëçarëse, minimalistet e kohërave moderne e deri tek ato më të mirëstrukturuara, inspiruar nga “belle epoque” dhe heroinat e romaneve klasike.
Pra, fillimisht unë nisem të servir një krijim sipas shijeve të mia, por ndodh shpesh që klientët të personalizojnë e të krijojmë së bashku aksesorë krejtësisht të ndryshme prej atyre që janë publikuar më parë.
Për klientët është një lloj argëtimi, mes formash e ngjyrash deri tek arritja e një aksesori krejtësisht të personalizuar nga ata vetë.

Cilat janë planet tuaja mbi të ardhmen?
“Ginger Concept” do të vijojë të rrugëtojë bashkë me evoluimin e kohëve dhe shijeve të mia, duke zgjeruar edhe llojet e aksesorëve për ta shtrirë te një linjë veshjesh që kam në projekt ta nis së shpejti.
Linja në të cilën do vijojë ky rrugëtim është e njëjta, ajo e modës së qëndrueshme që nuk luhatet nga koleksionet e shpeshta të “fast fashion”.
Një nga ambiciet e së ardhmes së afërt, e cila kërkon mjaft punë, është edhe ndërkombëtarizimi i brand-it.

error: Content is protected !!