Ku jeni tani dhe me çfarë po merreni?
Në momentin që po flasim, ndodhem në studion time në radion Club FM, jam duke prezantuar programin tim live. “Music Box” është një program i përditshëm që unë e bëj sigurisht me shumë pasion, kjo edhe për shkak të mediumit, radios, sepse kjo e fundit të jep një liri shprehjeje të jashtëzakonshme, aq më shumë që kryqëzohet me pasionin tim të madh muzikën.
Cili është vendimi më i mirë që keni marrë ndonjëherë?
Nuk di nëse mund ta quaj vendim apo një thirrje të natyrës, por të qënit nënë është pa dyshim vendimi më i mirë që kam marrë në jetën time. Ky është si një moment rilindjeje në të cilin gratë gjejnë veten përpara një hapi shumë të madh, por plot surpriza të bukura dhe që sigurisht të ndryshon edhe këndvështrimin për jetën.
Cila është blerja juaj e fundit?
Unë jam një natyrë që bëj blerje që duhet të më përfaqësojnë stilin ndaj edhe këto të fundit që kam marrë janë fiks ato që mu deshën, një palë kambale Dr.Martens me të cilat kam rënë në dashuri. I vesh kudo sepse janë, jo vetëm të bukura, por edhe shumë të rehatshme.
Kur e ndjeni veten të lumtur?
Kur jam në shtëpi me fëmijët e mi, është një lumturi e përditshme, e domosdoshme dhe jetike. Sigurisht që kam edhe lumturi të tjera që kanë të bëjnë me profesionin, regjistrimi i një materiali të ri në studio, një këngë apo një projekt artistik më bën shumë të lumtur edhe kur mendoj se si do të reflektohet ky projekt jashtë studios.
Kur e ndjeni veten të trishtuar?
Momente që lidhen me familjen, me fëmijët, kur dikush që unë dua aq shumë mërzitet apo nuk ndihet mirë. E veç këtyre, padrejtësitë në tërësi më trishtojnë dhe më bëjnë të ndihem keq.
Çfarë nuk do të kishit hedhur kurrë poshtë?
Familjen time! Ata janë më të shtrenjtët për mua dhe asgjë dhe askush në botë nuk do të mund të më pengonte të bëja çdo gjë për ta.
Cili është personi që i dedikoheni me gjithçka keni?
Në fakt janë dy persona të vegjël, por me karaktere shumë interesante dhe krejtësisht të adhurueshëm. Fëmijët e mi, Bora dhe Kroni, për ata sigurisht do të jepja gjithçka dhe i dedikoj gjithçka bëj në jetën time.
Cila është ajo gjë për të cilën do të thonit: nuk do ta bëj kurrë?
Mendoj se nuk do të ekspozoja kurrë trupin tim për famë, nuk do të dilja kurrë jashtë etikës dhe moralit njerëzor.
Cilin konsideroni mëkatin më të madh?
Mmm kjo pyetje është pak e vështirë, më vuri në mendime… them se do e mendoj gjatë sepse është një pyetje ekzistenciale, përgjigjia e së cilës ndryshon nga rrethanat në momente të ndryshme të jetës.
Cili është qëllimi juaj në jetë?
Të jetoj në mënyrë dinjitoze, të dua çdo gjë që bëj dhe të dua ata që më rrethojnë, të dua Zotin dhe paqen në botë. “Marrë nga fjalimi i një Miss-i J!”