Të krijosh një bar, apo më shumë akoma një ambient që përmbledh disa shërbime është një mision jo i thjeshtë! Dëshira për të patur një vend miqësor, plot risi dhe origjinalitet mbetet një ndër sfidat më të mëdha kur fjala vjen të ndërtosh, apo rikonceptosh nga fillimi një godinë që në tërësinë e saj do të jetë një koktejl bar i ri.
Kjo betejë bëhet edhe më e vështirë kur këtë vend duhet ta hapësh në një zonë si ajo e “Ish Bllokut”, shumë e populluar nga baret dhe restorantet dhe që së fundmi, i ka rritur kërkesat për shkak të kompeticionit gjithmonë e në rritje të zonave të reja që Tirana ofron. Kemi vizituar një bar të ri që ngriti siparin gjatë javëve të fundit të muajit që lamë pas. E kemi fjalën për KINO, një miks mes barit të paradites që ofron kafeterinë dhe koktejl room-it të pasditës, një vend ftues për një gotë mes miqsh pas pune apo një fundjavë me muzikë të mirë.
Koncepti Arkitektonik
Është interesante se si një vilë e vjetër e një prej zonave më të famshme të qytetit nuk e kishte zbuluar ende potencialin e saj të vërtetë. Qëkur e sheh nga rruga kryesore kupton se hapësira brenda kësaj godine nuk mungon, madje ajo është e bollshme dhe të jep mundësi të eksperimentosh. Në dukje, një vend diskret për nga ngjyrat e përdorura në fasadë ku dominon vetëm emri i cili i vendosur në këtë sfond kthehet në një brand të ri “KINO”. Një shkurtim i emrit “kinema”, pasioni për të cilën e ka bërë regjisorin Enton Kacaj të sjellë pikërisht këtë koncept të shkrirë mire, veçanërisht në ambinetet e brendshme të vilës. Kacaj është një regjisor teatri, por që e njeh mirë jetën e shërbimeve të bareve, për shkak të eksperiencë së mëparshme me to.
E për t’iu rikthyer konceptit arkitektonik është pikërisht ky i fundit që bën edhe ndryshimin tek “KINO”. Një ambient tematik që bashkon Broadway me Neorealizmin italian, ky i fundit nga ngjyrat e përdorura apo mbase nga lartësia e ambientit vjen i shfaqur në tërësinë e kësaj godine.
Banaku Broadway
Që sapo hyn brenda, “KINO” të shfaq në qendër të tij një banak shumë interesant që i shkon përshtat pikërisht temës që mbart që në emër. Ky banak qëndror i cili ëshë i dukshëm nga të gjitha anët e sallës, ngjan me recepsionin e një kinemaje, apo teatri në Broadway. Shumë interesant është spoti kryesor i reklamave i cili çdo ditë ndryshon duke sjellë shprehje nga filmat më të famshëm të kinemasë botërore, apo edhe thënie që janë IN. Ky pozicionim i banakut e përqëndron zemrën pulsues të këtij ambineti pikërisht në qendër të tij.
Ngjyrat & Dekori
Sikundër e përmendëm edhe më sipër, lartësia e mureve të krijon idenë e një shtëpie italiane, me një arkitekturë totalitare, e cila thyhet shumë këndshëm nga muret me tri kolore. E verdha dominante, e zeza si kontur dhe e bardha që ndihmon shumë shikimin për të krijuar më shumë hapësirë. Për të mos u harruar, dyshemeja e kuqe bordo që padyshim është një zgjidhje elegante që të krijon idenë e një filmi “noir”. Ndërkaq muret janë të dekoruar me foto të vjetra të cilat krijojnë idën e një muzeu me rrëfime nga e shkuara.
Ndriçimi
Ajo që të bën përshtypje gjatë orëve të paradites është ndriçimi natyral që ambineti i brendshëm merr. Pikërisht dritaret e mëdha, thuajse të ekzagjeruara ofrojnë shumë dritë e cila thyhet këndshëm në çdo cep të KINO-s.
Ndërkaq, nata zotëron një tjetër atmosferë, ndiçimi i cili ofrohet nga spotet në tavan, ngjan se është frymëzuar nga dhomat e grimit të aktorëve në Broadway. Ndërsa për të ngrohur të gjithë atmosferën llampat retro shoqërojnë këndet dhe tavolinat.
Këndet e dedikuara
Nuk mungojnë as këndet e dedikuara, një i tillë ngjan se është një skenë e marrë nga një film “west”, apo frymëzuar nga një lojë alla Tarantino, ku elementet etno “indian spirit”, dominojnë vetëm këtë cep të dhomës.
Veranda
Veranda mbetet një ndër pikat më të forta të “KINO”, e madhe dhe me një oborr që shtrihet krah saj ajo është një vlerë e shtuar e këtij ambineti shumë të veçantë në Tiranë.