10 poezi nga Ismail Kadare, i cili sot feston ditëlindjen

Ismail Kadare është një prej kolosëve të letërsisë shqipe, i cili me anë të talentit dhe penës së tij, ka mundësuar njohjen e letërsisë sonë në shumë vende të botës, veçanërisht në Francë.
I lindur në Gjirokastër, më 28 janar të vitit 1936, Ismail Kadare është një prej intelektualëve dhe shkrimtarëve më të rëndësishëm gjatë dhe post-diktaturës.
“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kështjella”, “Piramida”, “Dimri i madh”, “Prilli i thyer”, “Kronikë në gur” dhe shumë vepra të tjera të Kadaresë janë përkthyer në shumë gjuhë të botës.
Elegance ju sjell 10 poezitë nga Ismail Kadare:

Laokonti

Më shihni tek mbytem nga gjarpërinjtë
në muze të Louvrit në Madrid, Në New York
Para syve tuaj e aparate turistësh.
Qindra vjet kam që vuaj
ngaqë s’flas dot
Si të flas?
A mundet një nofull mermeri
të lëvizë një grimë, të korrigjojë diçka?
Vini re syte e mi, te zgavrat e thella
një enigmë, si amebë të tharë atje ka.
Një të fshehtë të madhe ndrydh brenda gjoksit
para syve tuaj, në Paris, në Madrid.
Ah, do të doja dyfish të m’i shtonit,
veç sekretin e madh të shkarkoja një ditë.
Tek më vini rrotull, unë them me vete
kaq të verbër të jeni sa të mos të ndjeni këtë,
që ky ngërç e ky ankth në qenien time
s’është nga gjarpërinjtë, por nga një tjetër gjë?
Mijëra herë në mijëra net e ditë
të vërtetën e frikshme përsëris pa pushim.
Me shpresën e marrë se nga kjo përsëritje
ndoshta mermeri pëson një ndryshim.
Po s’ndërron ai kurrë.
Art i skulpturës
gënjeshtrën mbi të ka ngrirë përgjithnjë.
I mbërthyer në dëshminë e saj të rreme,
të vërtetën kujtoj e qaj për të.
Si çdo gjë e tmerrshme është i thjeshtë sekreti,
që brenda boshllëku i gjoksit mban.
Afroni, pra, kokat të dëgjoni të vërtetën,
mua s’më mbytën gjarpërinjtë por trojanët më vranë.
O, sikur të mundja gjithçka të tregoja.
Si do të ngrinit para meje si gur,
por unë i dënuar mes rropamës suaj
moskokëçarëse
monologun të thurr
Ju e dini se përpara Trojës ahere,
kali i drunjtë, dhuratë e grekëve u shfaq.
Ky kalë në dy grupe i ndau trojanët:
ta pranonin atë, ose ta flaknin sakaq.
Pajtim me armikun, ulërinin tradhtarët
mjaft më me luftë, zjarr edhe helme!
Erdhi koha që shpatat t’i kthejmë në parmenda
armiqtë në miq erdh koha të kthejmë.
Në mbledhje të gjatë “pro” dhe “kundra” kalit,
unë “kundra”, kryesova me tërbim.
Dhe juve ju kam thënë atëherë se hyjnitë
gjarpërinjtë më dërguan si ndërshkim.
Ç’përralla kalamajsh, ç’trillim për budallenjtë
unë gjarpërinjtë do t’i mbrapsja me një shkelm.
Po ç’t’i bëj fushatës së tradhëtarëve kundër meje
shantazheve, letrave anonime plot helm.
Ditë e natë e me javë polemika vazhdonte,
nga shtresat e mesme e gjer në qeveri.
Ishte vjeshtë.
Nën qiellin e hirnosur me erë
kali i drunjtë përjashta priste në shi.
Atë kalë unë i pari e kisha goditur,
ndaj, e dija, ate s’do të ma falnin përjetë.
Më në fund “vijë e butë” fiton mbi të “ashprën”,
dhe ne “kokëfortët” na vunë në arrest.
Në burg, me gotën e ujit, në mesnatë
helmin na dhanë ata të pimë.
Ata që ulërinin kundër dhunës e shpatës
që dinin të kafshonin tamam si gjarpërinjtë.
Në mëngjes që pa gdhirë në breg të detit
ma hodhën kufomën drejt mbi zhavor.
Rapsodet anembanë përhapën
version fals të gjarpërinjve hyjnorë.
Ky ishte mbarimi i polemikës për kalin,
ju e dini me Trojën se ç’ndodhi pastaj.
Tre mijë vjet rresht,
nga muzeu në muzera,
unë hamalli i mermertë, gënjeshtrën mbaj.
Tre mijë vjet…

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Akoma zjarret e Trojës
si floknajë e kuqe më rrinë në sy.
Po më i tmerrshëm se zjarret, kumet e vomet
ishte fundi fare,
kur u bë qetësi.
Trojë e braktisur.
Gërmadhë.
Hi i ftohtë.
Dhe poshtë ne të vdekurit shtrirë rresht.
Dhe papritur, në muzg sipër tokës së mardhur
u ndje diçka që atë çante përmes.
Ç’ishte kjo gërvimë kështu, kjo jehonë?
Vumë veshin. Kuptuam, grekët e ligj
përmbi qendrën e qytetit me parmendë lëronin
për të thënë se Troja përjetë vdiq.
Ja më në fund dhe parmenda e tyre.
Ah, plugu i saj si na çante më dysh!
Nga tradhëtia e Trojës, nga gjithë dhembjet,
ky kafshim i parmendës më i hidhur ish.
T’i kthejmë shpatat më në fund në parmenda.
Kështu thërrisnin atëherë ata.
Midis fjalëve tuaja, si mallkim, si gjëmë
veshët me kapën edhe këtë hata.
Më kanë lodhur më shumë, besomëni, ca fjalë,
se kjo peshë e neveritshme gjarpërinjsh.
Ju, që gjer në hënë kini shkuar, si vallë
s’depërtoni dot deri në gjoksin tim?
Gumëzhina juaj si zhaurimë deti
më vjen nga çdo anë më përplaset në vesh,
nga copëra bisedash shumëgjuhëshe rreth meje
shqetësimet e mëdha të botës marr vesh.
Dëgjoj emra shtetesh të reja që kanë dalë,
emra kombesh e popujsh të rinj dëgjoj,
veç ai, i vjetri, i tmerrshmi kalë,
ashtu si atëherë ka mbetur njëlloj.
Prej patkonjve të tij unë rrënqethem akoma
dhe kështu në mermer i mbrojtur siç jam,
kurse ju, të panjohurit, ju prej mishi dhe kocke
vërtiteni mospërfillës nga salla në sallë.
Vërtiteni,
flisni për teatrin e për plazhet,
për gjithfarë motorësh e gjithfarë qeverish,
pa ju shkuar mendja që ai mund të shfaqet
në një ditë të rëndomtë, nje mëngjes me shi.
Ashtu si atëherë….
po mjaft,
u lodha.
Nga vërtitja juaj po më erren sytë,
nga rropama juaj veshët më gjëmojnë
në muze të Londrës në Louvre e Madrid,
në pafshi ndonjë ditë të bëhem copëra
nga marazi, siç thonë, të plas, t’ia bëj “krak”
jo kujtimet e Trojës, as gjarpërinjtë monstra,
po indiferenca juaj
do të bëhet shkak.

*Laokonti është personazh i njohur në mitologjinë e lashtë greke.
Sipas saj, ai kundërshtoi që trojanët të fusnin brenda mureve kalin e rrezikshëm, dhuratë nga grekët për të vendosur paqen.
Si dënim ai dhe dy djemtë e tij u mbytën nga gjarpërinjtë gjigantë.

 

Mall

Ca pika shiu ranë mbi qelq.
Për ty unë befas ndjeva mall.
Jetojmë të dy në një qytet,
Dhe rrallë shihemi sa rrallë.
 
Edhe m’u duk pak e çuditshme
Si erdh kjo vjeshtë, ky mëngjes.
Qiejt e ngrysur pa lejlekë
Dhe shirat pa ylber në mes.
 
Dhe thënia e vjetër e Heraklitit
Seç m’u kujtua sot për dreq:
“Të zgjuarit janë bashkë në botë,
Kurse të fjeturit janë veç”.
 
Në ç’ëndërr kemi rënë kaq keq,
Që dot s’po zgjohemi vallë?
Ca pika shiu ranë mbi qelq
Dhe unë për ty seç ndjeva mall.

 

Ti ishe për mua

Ti ishe për mua e pamposhtur si Troja
Troja që unë dot s’e pushtoja.
Ti ishe për mua e pakuptueshme,
Më e pakuptueshme se mbishkrimet etruske.

Vetëm në ëndrra, ah, në ëndrra
T’i përqafoja flokët e dendura.
Gaz më shumë ndjeja tek të pushtoja
Se gjithë grekët kur ra Troja.

Vetëm në ëndrra m’ishe e kuptueshme,
Ti, e shtrenjta ime etruske.

 

Dhe kur kujtesa

Edhe kur kujtesa ime e lodhur
Ashtu si ato tramvajet e pasmesnatës
Vetëm në stacionet kryesore do të ndalojë,
Unë ty s’do të harroj,

Do të kujtoj…

Mbrëmjen e heshtur, të pafund të syve të tu
Dënesën e mbytur, rrëzuar mbi supin tim
Si një dëborë e pashkundshme.

Ndarja erdhi
Po iki larg teje…
Asgje e jashtëzakonshme,
Veç ndonjë natë

Gishtat e dikujt do të mpleksen në flokët e tua
Me të largëtit gishtat e mi, me kilometra të gjatë…

 

Të huaj jemi

Të huaj jemi ne prej kohësh
Ç’ish për tu thënë është thënë.
Si gurët që zënë vend në tokë
Një jetë vend ne kemi zënë.

Drejt njëri – tjetrit kemi mbyllur
Të gjitha rrugët edhe shtigjet
Si dy qytete mesjetare
Me mure, heshta dhe me pirgje.

Por, natën kur i lodhur truri
Porta i mbyll me qetësi
Ti gjen një shteg të futesh brenda
Një shteg që vetëm ti e di.

Futesh dhe si n’rrugica parqesh
Shëtit mes cirkonvolucionesh
Hyn nëpër ëndrra e shkujdesur,
Fanitesh, qesh, ma bën me dorë.

Po kur mëngjesi zë afrohet
Nis shqetësohesh befas ti.
Dhe heshturzai del përjashta
Nga shtegu që veç ti e di.

E dita vjen. Rrjedh prap jeta
Dhe ne të dy si dhe më parë
Të ftohtë rrimë të pamposhtur
Si dy qytete mesjetarë.

 

Pa ty

Ti ike udhës së pafundme
Ku zverdhin drurët gjetherënës
Mbi gjokse pellgjësh tani tundet
I arti medalion i hënës.
Lejlekët ikën.
Fill pas teje
Si stof i keq u zbeh blerimi
Dhe ngjajnë toka, pylli, reja,
Me negativin e një filmi.
Tani në fusha shkoj menduar
Ku nis të fryjë erë e ftohtë,
Ka ca mullarë yë gjysmuar
Duken që larg si Don Kishote.
Ç’të bëj, po them me vehten time
Në këtë orë të vonë të muzgut,
Ku qerrja baltave bën shkrime
Të lashta sa Gjon Buzukut?
Do të shkoj të ulem përmbi pellgjet,
Të pi në gjunjë duke rënë,
Në gryke e di që do të më ngelet
I ftohti medalion i hënës.

 

Kristal

Ka kohë që s’shihemi dhe ndiej
Si të harroj un’ dalngadal,
Si vdes tek unë kujtimi yt
Si vdesin flokët dhe gjithçka.

Tani kërkoj unë posht’e lart
Një vend ku ty të të lëshoj.
Një strofë a notë a një brilant
Ku të të lë, të puth, të shkoj.

Në s’të pranoftë asnjë varr,
Asnjë mermer a morg-kristal,
Mos duhet vall’ prap’ të të mbart
Gjysmë të vdekur, gjysmë të gjallë ?

Në s’gjetsha hon ku të të hedh
Të gjej një fushë a një lulnajë
Ku butësisht porsi polen
Gjithkund, gjithkund të të shpërndaj.

 

Rënia e dëborës

Ty ndoshta nuk të shkoi ndërmend
Se qielli rastësisht s’u mbyll
Se kjo dëborë që shtroi kudo
Në të vërtetë ra për ty.
U projektua çdo kristal
I saj në qiell të madh diku
Dhe nuk pushoi së rënia ajo
Gjersa i gjeti flokët e tu
Që ti ta shkundje me një gjest
Shkujdesshëm krejt e gjithë gëzim
Një natë të tërë qielli punoi
Me ernat në bashkëpunim
Dhe në mëngjes i zbehtë ai,
I ftohtë hapej madhërisht,
Ndërsa shëtisnim ne të dy
Nën altruizmin e tij të hirtë

 

Në parkun që mbuluan fletët

Në parkun që mbuluan fletët
Të dy ne ecim qetësisht,
Pas shijes saj ka shtruar vjeshta
Qilim të verdhë natyrisht.

Dhe ndoshta si një ëndërr e zbehtë
Ju fanit një muzg i vonë
Ky park që e kan’ mbuluar fletët
Ku pas kaq shekujsh ti po shkon.

Nga vagabondët me cigare
Ti mos u tremb e dashur kot
Imazhin tënd as dinosaurët
Shekuj më parë s’e shtypën dot.

Që ti të vije kaq e bukur
Me këta flokë, me këtë hap,
Toka të egrën klimë e zbuti
Dhe akullnajat ktheu mbrapsht.

Dhe s’kishte se si të ndodhte ndryshe
Të ndodhte ndryshe s’kish se si.
U desh të zhdukeshin përbindëshat
Që te kjo botë të vije ti.

 

Ti dhe hëna

Kësaj nate me hënë të vjeshtës
Dola fushës të bredh kuturu.
Retë shtohen me vrap pa reshtur,
Hëna duket aty-këtu.

Porsi vetë mendimet e mia
Po më shtyhen ndër mend më shpesh
dhe pas tyre gjithnjë gjendesh ti
si kjo hënë që duket mes resh.

Hëna shpejt do të zhduket dhe netët
do të mbeten pa të, kurse ti
në ëndërrimet e mia pa jetë
perëndim s’do të kesh kurrsesi.

 

Një Vajzë

Duke të puthur, pa të dashur
Në shpirt ai ty të plagoi
Buzëpërgjakur nga të kuqtë e tu,
si vrasës tinëz shkoi

Krenar që ty “të shtiu në dorë”
Gjith’ shokëve emrin tënd ua tha.
Pranë gotës së birrës për ty folën
në park, të dielave ata.

Dhe ti e vetme mbete, bosh
mbenë sytë e ty në net bilbilash
Si sheshi i shkretë, ku posa ndodhi
Një katastrofë automobilash.

Tani kur shkon Rrugës së Dibrës
Ata me sy të ndjekin pas
Pataj me bërryl i bien shokut
“E sheh filanen? E ka pas…”

Dhe ti ul kokën shpejton hapin
T’arrish tek shoqja sa më shpejt
Të përsërisësh fjalët standard:
“Ah, njëlloj janë të tërë djemtë”

Të dyja t’ulura pranë radios
Do ndizni heshtur një cigare
tek supi i saj, nën fjalë lajmesh
një çast dremitja do të t’ marrë

Dhe do të të çojë tek një rrugë tjetër
M’ë gjerë, m’ë bukur dhe më e re
Atje në sfond fabrikash, njerëzit
Nga këmbët s’do të të venë re.

Atje ku t’ecësh midis turmash
Në një grup djemsh, ndoshta midis
Dikush me bërryl do t’i bjerë shokut:
“E sheh filanen? Ishim miq…”