Puna artizanale, ndonëse është një prej traditave që na krenon, sërish po shkon drejt braktisjes, ndaj na bën shumë përshtypje kur shohim sipërmarrje inovatore, të cilat kanë një mision shumë të qartë: të rikthejnë traditën me një prekje shumë moderne; por edhe një synim: të sjellin produkte mbresëlënëse, të cilat pëmbushin kërkesat dhe pritshmëritë e klientëve vendas dhe të huaj.
Elegance ka intervistuar një sipërmarrje shumë interesante, Thurje Handmade, e cila bën bashkë artizanët e rrethit të Korçës, të cilët i janë rikthyer pasionit të tyre, por edhe imagjinatën e brezit të ri – i brezit që admiron traditën, rrënjët dhe vlerat shqiptare.
Në rreshtat e mëposhtëm, do të gjeni intervistën e plotë.
Si lindi “Thurje Handmade”? Cila është zanafilla e kësaj ideje origjinale dhe më pas koncepti?
Thurje Handmade nuk ka qenë një ëndërr e vjetër e jona, përkundrazi, lindi dhe u bë e tillë shumë shpejt. Ideja i lindi fillimisht mamit, e cila duke punuar me gra artizane të qytetit të Korçës, në kuadër të një projekti në fushën e shoqërisë civile, mendoi se ajo që mund ta fuqizonte prodhimin artizanal ishte shija estetike e gjeneratës së re dhe marketingu, me qëllim integrimin e produktit në treg.
Ishte ideja e saj që ne të vendosnim kontakt me artizanë për të realizuar produkte me dizajn bashkëkohor, të punuara 100% me dorë. Rastësia bëri që Mikaela dhe unë të kishim eksperienca në këto fusha. Shumë shpejt, vendosëm të krijonim konceptin dhe imazhin e një marke të re të produkteve artizanale, pikërisht Thurje Handmade.
Një shtysë e mëtejshme për avancimin e idesë ishte mbështetja që fituam nga një program i Bashkimit Europian, lidhur me bizneset e reja inovatore.
Pse pikërisht emri “Thurje”?
“Thurje” qëndron së pari për teknikën e tillë të punimit dhe së dyti për ndërthurjen mes artizanëve dhe dizajnerave të gjeneratës së re. Gjithashtu, funksionon në një simbiozë perfekte për të përmbushur kërkesën aktuale të tregut.
Artizanët janë një pjesë e rëndësishme e kulturës dhe traditës shqiptare. Pas demokracisë, ata janë përballur me një konkurrencë mjaft të ashpër, ku bizneset shqiptare kanë mundësuar për klientin shumëllojshmëri produktesh dhe dizajnesh, me çmime shumë të përballueshme. Në anën tjetër, brezat e fundit të shkollimit kanë përgatitur shumë dizajnerëve të aftë, çka ka munguar në Shqipëri, para ardhjes së demokracisë. Kjo na sjell te një nga arsyet e përzgjedhjes së emrit “Thurje”.
Cili është vizioni juaj?
Vizioni i Thurje Handmade është riprezantimi i produkteve artizanale pas një imazhi të rinovuar dhe tërheqës. Kultura e artizanatit është duke u zhdukur me modernizimin e stilit tonë të jetës.
Thurje Handmade rizbulon dhe eksploron mënyra tradicionale të prodhimit të produkteve, duke ruajtur të njëjtën cilësi dhe duke ofruar produkte të rifreskuara dhe të dizenjuara për t’u përshtatur në hapësirat e brendshme bashkëkohore më të kuruara dhe më të sofistikuara.
Si mund ta përshkruani rrugëtimin e “Thurje Handmade”?
Rrugëtimi i Thurje Handmade deri tani ka qenë sa i bukur, aq dhe i paparashikueshëm. Guximi për të sjellë dizajne tërësisht jotradicionale me teknika të mirëfillta tradicionale, e bëri rrugëtimin tonë sfidë shumëfaqëshe, frytet e së cilës janë po aq të veçanta për ne si themelues, për njerëzit që punojnë me ne, për ndjekësit dhe klientët tanë.
Si funksionon një porosi në “Thurje Handmade”? Ju i sugjeroni klientit modelet tuaja apo së bashku krijoni një model të ri?
E themeluar si markë, Thurje Handmade u sugjeron klientëve modelet e koleksioneve që kemi prezantuar. Deri tani kemi publikuar tri koleksione, të cilat variojnë për sa i përket materialit dhe estetikës. Megjithatë, përpos modeleve të krijuara totalisht prej nesh, Thurje Handmade është e hapur ndaj bashkëpunimeve me arkitektë apo klientë të cilët kërkojnë prej nesh krijimin e një koleksioni tërësisht të personalizuar.
Punimet tuaja realizohen në bashkëpunim me artizanët e dashur dhe të talentuar shqiptarë. Si ka lindur bashkëpunimi me ta dhe si ju bën të ndiheni fakti që kontribuoni në të ardhurat dhe në njohjen e aftësive të tyre?
Artizanët të cilët janë duke realizuar produktet e Thurje Handmade jetojnë në qytetin e Korçës ose në zonat rurale përreth. Hulumtimi për gjetjen e tyre ishte sfidues, duke qenë se shumë prej tyre ushtronin zanatin në shtëpi, ose e kishin braktisur atë prej kohësh. Përveç artizanëve të njohur dhe të afirmuar në Korçë, ia dolëm të rekrutonim dy gra të reja në ekipin tonë të prodhimit artizanal.
Gjysma e artizanëve tanë nuk e ushtronin më zanatin e tyre, për shkak të pamundësisë për të gjetur treg dhe rekrutimi i tyre nën emrin e një brand-i ndikoi pozitivisht në sigurimin e një kanali tjetër të ardhurash për ta, por jo vetëm. Përpos kontributit ekonomik, Thurje Handmade impakton profesionalisht artizanët, duke i motivuar të punojnë jashtë zonës së tyre të komfortit, me ide të freskëta që vijnë nga brezi i ri.
Si është procesi i punës në “Thurje Handmade”, duke nisur që nga ideja e deri në finalizmin e punës?
Hapi i parë është realizimi i modeleve nëpërmjet metodave digjitale. Modelet i krijojnë dizajnerë të kontraktuar ose stafi i Thurje Handmade. Në vijim, përgatitet materiali në bazë të modeleve të krijuara. Materialet e përdorura janë natyrore.
Pse keni zgjedhur të riktheni një traditë shumë interesante dhe ta promovoni atë edhe në kulturat e tjera?
Punimet artizanale janë një fushë ku ka shumë vend për eksperimentim. Lidhur me promovimin e produkteve të Thurje Handmade në tregun e huaj, veçanërisht në vendet me nivel të qëndrueshëm ekonomik, rëndësia dhe preferenca për punë artizanale është rritur gjithmonë e më shumë, bashkë me lëvizjen për prodhimin e qëndrueshëm dhe etik të produkteve të tekstilit.
Puna artizanale është punë artistike, që kërkon vizion estetik dhe teknikë të veçantë, andaj, Thurje Handmade do t’i rikthejë Shqipërisë jo vetëm një traditë interesante, por edhe një produkt artistik.
Cilat janë pritshmëritë tuaja në sipërmarrjen “Thurje Handmade”?
Duke qenë se jemi vetëm në fillimin e rimëkëmbjes së një tradite gati të harruar, ka shumë aspekte të cilat presim t’i perfeksionojmë.
Shumë të kënaqura nga rrugëtimi i deritanishëm i Thurje Handmade, në të ardhmen duam të mbajmë standardet tona të prodhimit, të rinovojmë vazhdimisht dizajnet për t’i ofruar tregut varietet më të lartë të produkteve dhe gjithashtu, synojmë të rrisim rrjetin tonë të artizanëve dhe infrastrukturën në të cilën veprojmë.
Thurje Handmade mund ta gjeni në Instagram: @thurjehandmade dhe në website-n e tyre: https://thurjehandmade.com/