Hapësirë e dedikuar ndaj pasagjerëve që udhëtojnë në bussines class, ku facilitete të ndryshme ofrohen për një komoditet absolut. Përpos shërbimit, e gjithë zona Vip, është arreduar me një koncept bashkëkohor. Arkitektja e këtij projekti flet për detajet, ngjyrat, materialet dhe gjithçka tjetër të përdorur në Air Business Lounge.
Air Business Lounge është një sallë e veçantë me trajtim VIP e rezervuar për biznesmenë e njerëz, të cilët kërkojnë eksperiencë të personalizuar në aeroport. Business Lounge tashmë ka një ambient totalisht të ri të rikrijuar nga themeli dhe i gjithë projekti mban firmën e arkitektes së njohur Rovena Agolli. Ky ambient ofron për pasagjerët një hapësirë krejtësisht të shkëputur e të veçantë nga pamja e zakonshme e terminaleve të aeroportit. Hapësira është konceptuar duke vendosur fillimisht në qendër një pasagjer, i cili dëshiron një eksperiencë të ndryshme nga ajo standarde e ofruar në aeroporte, dhe është ndërtuar në mënyrë koncentrike rreth kërkesave, pritshmërive dhe eksperiencës së kësaj kategorie pasagjerësh. Duke ofruar çdo komoditet të mundshëm, qetësi, relaks, ushqim, akses në sisteme të avancuara kompjuterike dhe lidhje online. Air Business Lounge mund të akomodojë njëkohësisht mbi 75 pasagjerë, duke ruajtur të pacënuara standardet e larta dhe të domosdoshme të performacës dhe cilësisë së nevojshme për një ambient të tillë. Hapësira është ndryshuar totalisht nga pjesa tjetër e aeroportit, e lidhur ngushtësisht me natyrën dhe jashtëzakonisht relaksues; një ndriçim i ngrohtë, dysheme dhe dekore druri, gjelbërim i gjerë me bimë të vërteta, të cilat ndihmojnë procesin e relaksimit, mobilim i standardeve të larta italiane e gjermane, kolltukë që shtrihen etj.
Biblioteka
Në hyrje të lounge është pozicionuar recepsioni, i cili orienton me informacione dhe akomodon pasagjerët. Përballë tij u krijua zona e internetit dhe këndi i leximit, e cila është një facilitet që pasurohet nga prezenca e një minilibrarie të pasur ku mund të gjesh botime shqiptare dhe të huaja.
Gjelbërimi
Për të krijuar privatësi për klientët, hapësira është ndarë në separe’ të larta me gjelbërim duke përftuar kënde ndenjje ftuese dhe komode për ta. Kjo zonë është trajtuar ndryshe nga pjesa tjetër,duke e pasuruar me trarë druri tavan dhe tapete të butë në ndenjje, për t’i bërë pasagjerët të ndihen më afër shtëpisë. Në krahë të ndenjes zhvillohet pjesa e ngrënies që shoqërohet me tipologji të ndryshme akomodimi për t’i krijuar mundësinë pasagjerëve të ndihen komodë e të zgjedhin ulje standarde apo të lartë e sportive, vetëm ose në grup.
Paleta e ngjyrave
Paleta e ngrohtë e ngjyrave të tokës si dhe materialet që janë përdorur bashkë me prezencën e theksuar të gjelbërimit, të transferojnë në një situatë relaksuese dhe të qetë larg atmosferës së zhurmshme të aeroportit. Prania e drurit në ngjyrë natyrale, hekurit të lyer si dhe gjelbërimit që shfaqet që në hyrje në pjesën e recepsionit e më pas shpërndahet në të gjithë ambientin të jep ndjesinë e të qenit më pranë natyrës. Dyshemeja është e gjitha e trajtuar në finiturën e drurit, e cila vizualisht zë sipërfaqen më të madhe. Ajo pasurohet nga siluetat e strukturave metalike të lyera në antracite që në këtë rast ndërhyjnë grafikisht në këtë telajo të madhe druri.