Në gamën e gjerë të parfumeve që ofrohen sot(përtej atyre markave komerciale), ai di mjeshtërisht të jetë selektiv në përzgjedhjet individuale! Sepse është jo vetëm njohës i mirë i tyre, por pa frikë mund ta quash një eksplorues të zotin, që gjithnjë ka ditur të nxjerr “thesarin” prej fundit të detit! Nuk di të bëj kompromise në të tilla çështje, sepse nuhatja nuk i gabon! Mjafton sprucimi i parë, dhe ai bëhet njësh me aromën rrotull vetes. Ndryshimi i gjendjes emocionale, ndjeshmëria që i transmeton aroma në moment, dhe sakaq mënyra si ajo përcillet tek personat e tjerë me të cilët bashkërendon takimet e ndryshme për gjatë ditës apo natës për shkak të punës, janë vetëm disa elementë që e motivojnë Kloi Gusmarin drejt një blerje të re. “Parfumi është diçka që të bën të ndihesh mirë, edhe kur ke një humor të keq. Është aroma terapi që të ndryshon plotësisht gjendjen. Ky është misioni i kryer me sukses, sa herë që gjendesh përballë dëshirës për të hedhur një parfum të caktuar”, thotë ai. I vetëdijshëm për informacionin e bollshëm në lidhje me to, Kloi nuk preferon të lexoj përpara në lidhje me histori të ndryshme parfumesh, edhe pse janë disa aroma specifike që e lidhin me ngjarje apo histori të caktuara ndër vite. “Mendoj se gjithçka është çështje gustosh. Përgjithësisht, mund të lexoj për kuriozitet pasi e kam bërë një blerje, dhe thjesht për të pasuruar gamën e informacionit rreth një parfumi të caktuar dhe kaq. Sot unë kam krijuar një koleksion të vërtetë me parfumet që kam përdorur ndër vite. Jam tek aromat e forta, për shkak se jam pak pikant si natyrë. Është e rëndësishme që të kesh një parfum që ti e ndjen si diçka personale, por me punën që unë kam, me takimet që bëj gjatë një nate duhet të përcjell dashamirësinë dhe atë çka bëj në punën time. Aromat e parfumit e kanë këtë fuqi që të transmetojnë të tilla gjendje”, cilëson Gusmari.