Që në krye të herës, ngjan se krijimet e tij artistike kanë një cytje filolozofie jo dhe aq spontane. Një frymëzim assesi atipik, nga ata ku njerëzorja si detaj ndihet qysh në ajër…Gjithçka vjen si një zgjedhje e rëndësishme e subjekteve të shkëputura nga jeta e përditshme, histori personale, e mbi të gjitha çështje retrospektive. Çdo vepër e Artan Peqinit, skulptorit të mirënjohur, përcjell një atmosferë të pasur linjash artistike, si një ngasje personale e vet artistit që vjen si një investim ndër vite në vazhdën e krijimtarisë së tij. Tablo, skulptura, imazhe që transmetojnë gjendje dhe konkluzione artistike, të përcjella mjeshtërisht, përmes ekspozitash individuale, por shpesh edhe në kompeticione ndërkombëtare. Për të si artist, metamorfoza e jetës dhe situatat e përditshmërisë latohen në tablo dhe skulptura kuptimplota, tek të cilat mund të ndalesh gjatë për të kundruar “tharmin” e përbotshëm jetësor. Më pak ngjarje, por më shumë pasoja, si rezultat i transformimit të brendshëm njerëzor, i humbjes së ekuilibrave të padukshëm, që pastaj përkthehen në realitetin tonë të përditshëm fizik. Si edhe “lufta” që gjithsecili prej nesh “ngjiz” sipas mënyrës së tij, nga faktorë të prekshëm, tek rrethanat, individët, etj.
Artan, jeni një prej artistëve pjesëmarrës në ekspozitën e fundit në FAB, “Udhëtim në Veri- Lindje”. Duket si një udhëtim ndërkulturor, mes shteteve të ndryshme që cekin artistikisht element të tillë si mbrojtja e të drejtës njerëzore, toleranca, respekti, shoqëria. Si e keni përcjell këtë koncept të ekspozitës përmes krijimeve tuaja?
Kjo ekspozitë ka qenë një propozim dhe organizim i artistit dhe kritikut italian Pino Bonanno. Në kohën që jetojmë, të cilën rëndom e quajmë “epokën e posmodernitetit“, duket sikur komunikimi është një ndër proceset më aktive, gjithmonë e më dinamik në formë të paktën, po për çudi i shoqëruar në nivel global me rritjen e tensioneve dhe diferencave ndërmjet kulturave. Për këtë arsye ky organizim nuk ka preferuar ta lërë këtë komunikim në nivel virtual, por ka synuar ta bëjë konkret nëpërmjet realizimit të një “udhëtimi real” të artistëve dhe të produktit të tyre në vende të ndryshme. Dhe kur flasim këtu për “udhëtimin” konkret, flasim për tërësinë e dimensioneve që ka një udhëtim i tillë, gjë të cilën e kupton shumë mirë kur ti je në një vend tjetër apo kur pret miqtë nga një vend tjetër siç ishte rasti ynë me artistët italianë, dy prej të cilëve ishin për herë të parë në Tiranë, dhe kishin të gdhendur në mendjet e tyre një realitet i cili ishte frut i “informacioneve nga burime të ndryshme dhe shumica virtuale”, që qarkullojnë në mënyrë të “pafajshme” në rrjete sociale duke krijuar stereotipe që vetëm krijojnë barriera dhe vështirësi në komunikim dhe si përfundim në njohjen e njëri-tjetrit.
Janë pesë punime artistike që mbajnë “vulën” tuaj të krijimit. Cila është simbolika e tyre?
Në këtë ekspozitë çdo artist ka pasur komoditetin që të ekspozonte vepra artistike të përzgjedhura nga vetë ai. Unë kam rimarrë në konsideratë një cikël të ekspozuar vite më parë në një ekspozitë në Muzeun Truço, në Albisola, Itali të cilin e titulloja “Luftëtarët”. Natyrisht nuk është e vështirë për secilin nga ne të kuptojë simbolikën e kësaj teme. Në çdo kohë dhe në çdo vend njeriu ka qenë një luftëtar i paepur për të realizuar projektet e tij dhe vazhdon të jetë i tillë edhe në ditët e sotme dhe me sa duket do të mbetet i tillë në gjithë ekzistencën e tij. Veprat e mia në këtë rast nuk kanë si synim qendror vetëm këtë metaforë të betejës dhe të luftëtarit, por kjo shoqërohet edhe me një qëndrim asimetrik midis raportit të armaturës metalike dhe luftëtarit i cili gjithmonë e më shumë izolohet dhe bëhet i padukshem brenda metalit të dekoruar të armaturës. Këto objekte të cilat dikur ishin në shërbim të luftëtarit, sot zënë vendet kryesore nëpër muzeume duke u paraqitur si objekte më vete me një funksion “narrativ” të ndryshëm nga ai për të cilin historia i krijoi. Ky ambiguitet mesazhi, pra animimi i objektit dhe spostimi i personazhit human gjer gati në zhdukje të tij, karakteristikë e epokës që jetojmë ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga linjat e kërkimit në këtë cikël, por edhe në punime të tjera të cilat i kam në proces. Dhe ky qëndrim është edhe një nga simbolikat e padukshme të këtij cikli në ironi të plotë me vete titullin “luftëtarët”, si dhe me vetë qëllimin me të cilën u nis pothuaj njëzet vite më parë.
Cilin syresh prej tyre do të veçojë si punimin më të arrirë?
Punët plotësojnë njëra-tjetrën si nga pikëpamja formale po ashtu edhe në krijimin e një gjendjeje në marrëdhënie me temën. Gjithsesi mund të them se teknika e baltës së pjekur të perzier me oksidet e hekurit dhe të bakrit të përdorura në skulpturat e ekspozuara ruan gjithnjë të papriturat e procesit, që ndodh në furrë dhe kjo padyshim shoqërohet shpesh edhe me surpriza edhe për vetë autorin. Kjo është edhe një nga arsyet që ato skulptura ruajnë edhe një freski formale. Po ashtu marrëdhënia e krijuar midis skulpturave dhe dy tablove në teknikë mikse, pra kalimi nga situata dy-dimensionale në atë tre dimensionale e ndihmon shumë këtë cikël në freskinë dhe të papriturën e tij.
Një stil krijues juaji me nota të forta humaniste. Është i saktë ky përcaktim?
Mendoj se përvoja ime përsa i përket asaj që ju e quani “stil” krijues, ose për ta thënë më konkretisht sistem shprehje personale ka një histori të shoqëruar me shumë kërkime, ndryshime, rikthime dhe përsëri “udhëtime” për të njohur apo eksperimentuar. Unë i përkas asaj gjenerate skulptorësh të cilët mbaruan një shkollë të fortë figurative. Pra, në procesin tonë akademik modelimi i figurës njerëzore zinte një vend të rëndësishëm. Për këtë arsye në periudhën menjëherë pas shkollës unë dhe shumë nga kolegët e mi u dhamë shumë pas artit dhe skulpturës formale. Me sa duket ky ishte një reagim normal për të aplikuar atë lloj arti i cili kishte zënë pak vend në edukimin tonë. Pothuaj për gati dhjetë vite unë u mora me artin formal apo “abstrakt”, siç e quanim në atë kohë. Në këtë periudhë aktiviteti im është zhvilluar në shumë ekspozita, bienale dhe evente të artit në Itali, Francë, Austri, Gjermani etj. Më pas ndodh dëshira për t’u rikthyer përsëri tek figurativja, te figura njerëzore dhe tek mesazhi që një art i tillë përcjell tek shikuesit. Pikërisht, një sistem i tillë i shprehjes, pra më afër figurës për definicion duhet të jetë dhe në fakt duket më komunikativ me shikuesit, me njerëzit. Të tilla vepra arti krijojnë më shumë komunikim dhe përcjellin më shumë mesazhe tek një masë e madhe e njerëzve se sa arti formal apo eksperimental që shpesh vuan nga një autoizolim i vetkërkuar, duke e bërë veprën hermetike dhe jo komunikative. Në këtë kuptim mund të thuhet se më pëlqen që punët e mia të jenë sa më të komunikueshme, sa më direkte e mbase kjo i bën më njerëzore.