Ku ndodheni tani dhe me çfarë po merreni?
Jam në lëvizje të vazhdueshme mes Tiranës dhe Prishtinës. Mund të tingëllojë pak çuditshëm, por realisht jetoj në të dy qytetet përnjëherë. Dy metropole me jetë sociale përmbajtësish të ndryshme, dhe kjo përbën një lloj aventure në vete, por edhe burim të vazhdueshëm frymëzimi. Aktualisht jam duke punuar në librin tim të ri “Net në Kastria” që pres ta nxjerr në vjeshtë.
Cili është vendimi më i mirë që keni marrë ndonjëherë?
Vendimi im që të filloj të shkruaj për publikun dhe jo vetëm për një rreth të vogël njerëzish. Fillimi ishte goxha përvojë traumatizuese dhe e kam kaluar me shumë stres, pasi deri vonë isha një tip shumë i mbyllur dhe që kontaktet me njerëzit i shihja me shumë skepticizëm.
Kur e ndjeni veten më të lumtur?
Janë dy situata: kur ndiej dashurinë e njeriut që dua dhe kur shijoj vlerësimin që ma dhurojnë lexuesit.
Kur e ndjeni veten të trishtuar?
Përballë kafshërisë së njeriut, në çdo situatë, pavarësisht nëse më prek mua apo jo. Kur njerëzit qëllimshëm keqkuptojnë ato që unë them dhe i personalizojnë gjërat që nuk do duhej personalizuar; si dhe përballë situatës kur nuk më kthehet dashuria që dhuroj.