Asokohe, kur televizioni bardhë e zi ishte një kuti propagandistike, ai kishte krijuar një model unik të prezantimit të lajmit, që e shndërroi në një ikonë të padiskutueshme të edicioneve të lajmeve. Por, edhe sot, pas 30 vitesh karrierë, duket sikur vitet nuk kanë ndalur për asnjë çast në studiot e lajmeve ku ka punuar gazetari Dhimitër Gjoka.
I njëjti timbër zëri, diksion perfekt dhe një ritëm të rregullt që nuk luhatet asnjëherë nga frymëmarrja, ai mbetet sërish një ikonë. Televizioni i epokës moderne nuk është vetëm një detyrë e thjeshtë që lidhet me leximin e shkujdesur të lajmit për Dhimitër Gjokën, por me një lidhje “intime”, që folësi dhe gazetari e krijoi me shumë dashuri me të vetmin qëllim: për të përçuar mesazhin e duhur edhe tek shikuesi më i pavëmendshëm brenda shtëpive tona. Për atë, kjo bashkëjetesë me lajmin është krejt natyrale, madje edhe atëherë në kapërcyellin e vështirë të “stinëve” kur ndodhi zhvendosja nga TVSH-ja, drejt televizioneve private, ai sfidoi të rinjtë për të dhënë shembullin e tij në epokën e madhe të dixhitalizimit të lajmit.