Në emër të tyre, pakkush bën kompromis…Dhe këto janë çështje të karakterit dhe personalitetit të gjithsecilit prej tyre. Ego, nevojë për përshtatje, prirje për të ndryshuar kahje dhe shumë tipologji të tjera dalin në pah përmes rrëfimeve të tri protagonistëve tanë, Ledia Çaushi(Mici), Alba Hoxha dhe Enea Kondi. Specialiste për Advokimin dhe Fushatat Ndërgjegjësuese
Në përditshmërinë e gjithsecilit prej nesh, na ndodh që një nga nevojat më të qenësishme në raport me terrenin e punës, familjen, shoqërinë, është pikërisht, përshtatja. Dëshira për t’i parë gjërat apo situatat në spektrin pozitiv, është shpesh një qasje sa individuale, aq edhe e përgjithshme. Por, kur përshtatja cilësohet si një nga pikat më të forta të personalitetit, atëherë ka shumë faktorë favorizues rrotull që e “ushqejnë” këtë gjë, pa kushte. Ledia Mici, rrëfen se i është dashur shpesh herë të përshtatet për arsye nga më diverset. “Më është dashur të përshtatem shumë herë në jetën time, qoftë ndryshime në vendndodhje me kultura të ndryshme, por edhe në profesione të ndryshme dhe besoj se jam përshtatur shpejt dhe mirë në këto ndryshime”, thotë ajo, sikundër thekson se nuk bën assesi kompromis kur diçka apo dikush cënon parimet dhe familjen e saj. Individët janë të prirur që pikat e forta të karakterit t’i ushqejnë gjatë përditshmërisë së tyre, në një formë ose një tjetër. Ky etiketohet si një mision i mundur, por gjithfarë motivesh të tjera të papritura që shfaqen rrugës, mund të “përmbysin” pritshmëritë individuale. “Sigurisht që edhe unë veproj në të njëjtën mënyrë dhe pikërisht kjo është një nga arsyet pse unë kam zgjedhur fusha të ndryshme për të punuar gjatë karrierës time. Më pëlqen pa masë periudha fillestare e një pune të re, adaptimi, një industri /sektor i ri për tu zbuluar, marrëdhëniet e reja profesionale por edhe miqësore që një punë e re ofron. Disa nga profesionet që unë kam ndjekur më kanë pëlqyer më shumë dhe i jam rikthyer pas disa vitesh. Aktualisht angazhimi im profesional mbulon dy fusha që unë i kam shumë për zemër; të drejtat e fëmijëve dhe organizimin e aktiviteteve dhe fushatave ndërgjegjësuese. Besoj se sa kam mësuar në këtë punë më kanë vlejtur shumë dhe kanë krijuar një marrëdhënie më cilësore me fëmijët e mi pasi ndeshem çdo ditë me materiale shumë të vlefshme për mirërritjen e tyre. Kam mësuar të dëgjoj më shumë dhe të flas më qetë; kam mësuar se fëmijët do të replikojnë sjelljen e të rriturit dhe se fëmijët duan dedikim dhe jo predikim”, vijon ajo