Shqipëria është padyshim një vend i mbushur me resurse të panumërta, por edhe me vlera të larta njerëzore. “Bukë, krypë e zemër” na ka shoqëruar ndër shekuj, ku asgjë nuk ka ndryshuar.
Ne jemi shqiptarët e Shqipërisë së vogël, por krenarë, mikpritës dhe të dashur.
Nëse bëni një udhëtim në vendin tonë do të haseni me një specialitet në çdo qytet.
Gjatë vizitës në Tiranë do të përballeni patjetër me fërgesën, specialitetin e zonës.
Më pas, në Elbasan do të gjeni tavën e Elbasanit, tipike e zonës. Nisur nga emri, mund të themi se askush nuk e bën më mirë se ata që e kanë krijuar.
Në Durrës do të gjeni peshkun e skuqur, i cili nuk mungon në asnjë tavolinë. Pranë detit, pranë mbretit dhe pranë prodhimeve të freskëta.
Gjatë udhëtimit tuaj në Fier do të provoni rosnicat, një pjatë interesante e cila do t’ju mbetet në memorie.
Në Lushnje do të njiheni me byrekun me fasule, i cili është tejet i shijshëm.
E ndërsa Vlora, ju servir edhe mish në hell, por edhe peshk të freskët. Zgjedhja është e juaja!
Saranda ka si specialitet supën me midhje, një pjatë super e shëndetshme.
Gjirokastra nuk ju lë të ikni pa provuar qifqitë, qoftet e famshme të cilat gatuhen vetëm sipas mënyrës gjirokastrite dhe qahive unike.
Amvisat tepelenase do t’ju shtrojnë një drekë të bollshme me byrekë të ndryshëm.
Në Pogradec do të provoni koranin në tavë, i cili zakonisht shoqërohet me qepë, domate dhe speca.
Korça ju mirëpret me lakrorin e saj legjendar.
Nëse shkoni në Dibër, mos lini pa provuar jufkat, të cilat janë të shëndetshme dhe tejet të shijshme.
Kukësi ju ofron qingj me tamël. Kjo zonë rrit keca dhe qingja të cilësisë së parë, ndaj ky specialitet do t’ju lërë mbresa.
Lezha ju mirëpret me pite me mish rose, një recetë unike.
Mirë se vini në vendin më mikpritës, në Tropojën e begatë, e cila ju gostit me fli.
Tava e krapit në Shkodër është një tjetër pjatë e jashtëzakonshme.
Ajo që e bashkon larmishmërinë e kulinarisë shqiptare është prezenca e pijeve të tilla si: rakia e rrushit, dëllënjës, manaferrës, vera e bardha dhe e kuqe, si dhe rehania në disa zona.
Ëmbëlsirat tona më të zakonshme janë ato me origjinë turke si: baklava, kadaif, shëndetli, revani, por edhe ëmbëlsira si kabuni, momblam, zupë, etj.
Udhëtoni nëpër Shqipëri dhe provoni pjata që nuk do t’i harroni!