Arkitekte, dizajner dhe me një mbiemër të madh në artet figurative Gea Madhi është pa dyshim një prej emrave më premtues në fushën e komunikimit përmes imazhit. Në një intervistë për elegance ajo tregon më shumë rreth profesioni të saj që ëshët njëherazi edhe pasioni i saj. Si nisi kërkimi artistik që në moshë fare të vogël në studion e piktorit të popullit Guri Madhi, që për Gean është gjyshi. Si u bë pjesë e botës së dizajnit dhe ku e gjen balancën mes arkitekurës dhe estetikës.
Gea, kam dëshirë ta nis këtë intervistë me një pyetje shumë të thjeshtë, çfarë do të thotë të jesh një grafik dizjanere në një vend si Shqipëria, konsideruar këtu që edhe në botë ky profesion është parë gjithmonë si në “pronësi” të burrave?
Është e vërtetë. Në të gjithë botën numri i vajzave Art Directors është më i vogël se i djemve për një sërë faktorësh që hasen edhe në profesione të tjera. Fatmirësisht rrjetet sociale kanë bërë të mundur që të ndjekim e të frymëzohemi nga designer shumë të talentuara si në Shqipëri ashtu edhe jashtë saj. Kjo gjë më ka dhënë gjithmonë besim dhe kurajo për të bërë më të mirën time pavarësisht ambjentit.
Ti ke studiuar arkitekturë, pse zgjodhe t’i dedikohesh dizajnit dhe komunikimit?
Këtë pyetje ma bëjnë shpesh dhe përgjigja nuk është aq magjike sa do të donin të dëgjonin: aksidentalisht 😀 Para 6 vitesh mu ofrua një vend pune si Graphic Designer në një start up dhe pa u menduar gjatë dhe pa e ditur ekzaktësisht se çfarë më priste, pranova. Mjaftoi ky hap i vogël por i rëndësishëm drejt botës së design-it për të nxitur kuriozitetin dhe dashurinë që kam për këtë fushë. Mos më keqkuptoni. Nuk mendoj se kam gabuar në zgjedhjen time. Le të themi që ishte pikërisht arkitektura rrugëtimi që më mësoi aspektin human dhe më udhëhoqi drejt asaj që dua vërtetë. Në design ajo që më tërheq më shumë është kohëzgjatja më e shkurtër e projekteve krahasuar me ato arkitektonike, dinamizmi dhe shumëllojshmëria e tyre si dhe përfshirja e një numri të madh teknikash që e bëjnë edhe më lozonjar procesin dhe ambjentin e punës. Graphic Design është gjithashtu një medium që lëviz shpejt dhe duhet të jesh i përditësuar me tendencat dhe aplikimet e fundit për të qenë në trend.
Tjetër faktor që ka ndikuar pozitivisht në marrëdhënien time me design-in është dëshira për të vizatuar dhe ilustruar. E vogël shpenzoja orë të tëra në studion e gjyshit, Artistit të Popullit, Guri Madhi, duke vizatuar e shfletuar librat e tij të artit. Ilustrimet më kanë ndihmuar në shumë drejtime dhe detyra gjatë procesit të krijimit. Kam qenë me fat që shumë prej klientëve të mi kanë qenë të hapur drejt projekteve interdisiplinore duke aprovuar drejtimin artistik në brandim. Për ta mbyllur, dua të theksoj që arkitektura dhe arti kontemporan do mbeten frymëzimet më të mëdha të miat gjatë krijimtarisë.
A jeni ju vajzat e arkitekturës dhe dizajnit një komunitet në Tiranë?
Në fakt jo, edhe pse do dëshiroja shumë të ishte kështu. Shpesh madje kam vënë re që ka një mungesë suporti. Këndvështrimin tim mbi këtë subjekt e ilustron më së miri shprehja ‘ëe rise by lifting others’ që do të thotë: ne lartesohemi duke ngritur të tjerët. Duke motivuar, këshilluar apo folur me njëri tjetrin i bëjmë mirë jo vetëm vetes por edhe shoqërisë. Nga eksperienca, bashkëpunimet me designer të tjerë kanë rezultuar ndër më të suksesshmet dhe të dobishme si nga ana profesionale ashtu edhe shpirtërore për të dyja palët. Duhet të frymëzohemi e të frymëzojmë të tjerë. Designer-at në shoqërinë tonë mendoj se kanë të njëjtat shqetësime e problematika. Duke i ndarë me njëri tjetrin mendoj se situata do jetë më e thjeshtë. Gjithashtu nuk është turp të kërkosh për ndihmë apo mendime. Të gjesh dikë që mund të të drejtojë në karrierën tënde është gjëja më e mirë e konstruktive që mund të të ndodhë.
Në një përshkrim që i bën vetes në portofolin tënd thua se:fakti që vjen nga arkitektura dhe aplikohesh në dizajn dhe komunikim është si të gjesh balancën mes funksionalitetit, estetikës dhe humanes; meqënëse ke një qasje të tillë, ku e sheh problematikën më të madhe tek dizajni në vendin tonë, i referohem këtu si sektor?
Në fakt balanca mes funksionalitetit, estetikës dhe humanes është pikërisht pikëlidhja e arkitekturës me design-in. Mundohem që këto tri shtylla ti kem gjithmonë parasysh gjatë procesit të punës. Nuk mund të them se Shqipëria është vendi më i favorshëm për të punuar si designer. Duke u munduar të rritesh estetikisht e të ecësh me hapin e kohës ndodh që të hasësh jo vetëm në paragjykimin e klientëve, por ndonjëherë edhe të kolegëve e punëdhënësve. Duhet të jesh kokëfortë, pasionante e ti mbrosh idetë me forcë në mënyrë që ato të shohin dritën. Megjithatë shumë kompani dhe klientë kanë filluar të kuptojnë rëndësinë e komunikimit vizual.Kjo bën të më rritet shpresa për situatën e design-it në Shqipëri.
Në çfarë konsiston puna jote aktualisht?
Sot punoj si Art Director pranë një Agjencie Digjitale ku për fat ushtroj një miks disiplinash si branding, user experience, front-end design dhe ilustrime. Përpos kësaj praktikoj projekte personale me ilustrime dhe janë pikërisht këto projekte që ndaj më shpesh në rrjetet sociale duke qenë se kanë një aspekt më të ndierë dhe personal se sa projektet e paguara.
Ku e sheh veten pas 10 vitesh, a mendon se karriera jote si dizajner do të vijojë në Shqipëri?
Në fakt,në ditët e sotme, designer-at synojnë të jenë mbarëkombëtarë. Kjo do të thotë se nuk ka shumë rëndësi se nga ti punon. Një brand duhet të komunikojë njësoj në të gjithë botën. Nëse një designer arrin këtë nivel atëherë është e parëndësishme se nga vjen apo se ku do të shkojë.
Çfarë të mban të motivuar/frymëzuar?
Mendoj se motivimi është një forcë e brendshme. Është dëshira për tu rritur si njeri dhe si profesioniste. E rëndësishme është që gjatë rrugës të bësh qejf e të shijosh procesin. Nuk ka vlerë të krahasosh veten me të tjerët për aq kohë sa ti bën më të mirën tënde. Gjithmonë mendoj se puna ime më e suksesshme ndodhet diku në të ardhmen dhe kjo më mban të motivuar. Kur ndihem e lodhur kuptoj që ka ardhur koha për të shijuar natyrën, udhëtimet dhe miqtë. Mendoj se është e shëndetshme që herë pas here të shkëputesh nga puna. Prej pak kohësh kam gjetur frymëzim edhe tek vajza ime e porsalindur e cila më ka motivuar të nis një projekt personal që i dedikohet kësaj eksperience madhore.