Dëshira për t’ju “arratisur” realitetit dhe për të krijuar një tjetër të brendshëm, atë të vetvetes, e shtyn piktorin korçar, në krijimin e një ekspozite me plot 80 krijime artistike të veçanta, ku nudot nuk janë vetëm çështje frymëzimi, por stereotip ideal i brishtësisë, elegancës dhe amësisë.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

 

Roland Karanxha ka lindur më 3 nëntor 1951. Shkollën 7-vjeçare e kreu në Korçë. Ndoqi Liceun Artistik dhe më tej Institutin e Lartë të Arteve në degën e Artit Figurativ. U specializua në teknikën e grafikës. Pas përfundimit të studimeve qëndroi në Tiranë, në shtëpinë botuese  “Naim Frashëri”. Në vitin 1974 filloi punë si modelist në ndërmarrjen artistike. Biografia e tij artistike pasurohet më tej me urdhra transferimi. Në qershor 1975 filloi punë si skenograf në teatër. Kështu vazhdoi deri më 1997, kur emigroi në Greqi. Gjatë kësaj periudhe ai ka hapur ekspozita të ndryshme në Greqi, Korçë, Tiranë, etj.

 Si artist, ka gjetur të përbashkëtën ndërmjet qytetit të tij të lindjes dhe trupit të femrës! Të dy këto elemente, janë pika referimi në jetën e çdo artisti, padyshim edhe tek ai. Roland Karanxha, piktori korçar, nuk është një emër i panjohur në radhën e artistëve shqiptarë, edhe pse jeta e tij ka qenë një ecuri ecejakesh, të vazhdueshme. Por, në kumtin artistik, dhe atë që përshkon të gjithë ekspozitën personale me afro 80 telajo, të cilën vetë piktori e ka quajtur “Arrati mendimi”, peizazhi dhe nudot, janë qasje të dukshme, që vijnë në sytë e artdashësve si harmoni e lidhur me bukurinë femërore dhe dashurinë për qytetin. “Nuk e kategorizoj veten si një piktor jokonceptual. Gjithmonë, përpiqem të transmetoj diçka nëpërmjet ngjyrave dhe formave. Rolin e piktorit e kam konceptuar si një poet të ngjyrës”, shprehet ai. Shpesh herë, synimi i një piktori është të realizojë rolin e ndërmjetësit, të interpretuesit madje dhe të falltarit të ngjyrës, i cili përmbledh të gjitha sinjalet dhe ndjesitë e universit në një tablo të vetme, të kufizuar në hapësirë fizike, por jo në atë shpirtërore. Dhe këtë ndjesi na e transmeton më së miri, piktori Roland Karanxha.

80 vepra artistike dhe një ekspozitë e vlerësuar maksimalisht nga ithtarët e artit figurativ, pikturës. Si lindi ekspozita “Arratia e mendimit”?
Ekspozita lindi si pasojë e një dëshirë për t’u shkëputur nga vrazhdësia e realitetit, nga ajo cipë e hollë, e cila mbështjell të gjithë sistemin shoqëror, të menduarit dhe të vepruarit në një formë materialiste, utilitariste dhe bllokuese për shijet e mia. Dëshira ime nëpërmjet kësaj arratie ka qenë shkëputja nga ky dimension i realitetit dhe krijimi i një realiteti fillestar, origjinal dhe mbase të pandërgjegjshëm që lind brenda meje dhe që përpiqet sado pak t’i shkëputet dogmave dhe normave të një hipokrizie kolektive shoqërore.

Nga bukuritë e qytetit të Korçës, tek ato të trupit… Pse zgjodhët pikërisht këtë bosht artistik për të realizuar veprat tuaja?
Kjo ide, mbase ka lindur si pasojë e një emëruesi të përbashkët që unë kam gjetur ndërmjet qytetit tim dhe trupit të femrës. Të dyja këto elemente, janë dy pika referimi në jetën e çdo artisti. Ato e përndjekin dhe përndiqen nga hulumtimi shpirtëror i një krijuesi. Njeriu nis të vlerësojë bukurinë femërore në moshën e adoleshencës kur shpirti dhe gjaku i tij rrjedhin në një harmoni të plotë dhe pashmangshmërisht adoleshenca lidhet me dashurinë, bukurinë femërore të dyja të vendosura në skenën e qytetit ku ato zënë fill.

Nudot janë një pjesë e qenësishme e krijimtarisë suaj! Cilat janë femrat që kanë pozuar përpara jush?
Nuk është domosdoshmërisht e thënë që të ekzistojë një individ specifik si model i krijimtarisë sime, sidomos në gjininë e nudos. Do thosha se i gjithë frymëzimi im formësohet diku në të pandërgjegjshmen, duke grabitur elemente estetike femërore në një masë të gjerë femrash, rrjedhimisht duke krijuar një stereotip ideal të femrës, brishtësisë, elegancës dhe amësisë së saj si element dallues.

Gjurmët e vërtetësive njerëzore specifikohen dukshëm në telajo. Është pikësynim artistik i juaji ky që në krye të herës?
Nuk e kategorizoj veten si një piktor jo konceptual. Gjithmonë, përpiqem të transmetoj diçka nëpërmjet ngjyrave dhe formave, të cilat i paraqes në punimet e mia. Rolin e piktorit e kam konceptuar si një poet të ngjyrës. Dikush për të komunikuar përdor tingull, dikush fjalën dhe dikush ngjyrën! Unë e fus veten tek këta të fundit.

Tonalitetet potente janë elemente të dukshme në punimet tuaja. Pse ky raport me ngjyrat?
Besoj se ekziston një influencë që e ka origjinën në vitet e para të formimit tim artistik. Që në kohën e liceut, por edhe pas diplomimit tim në degën e “Grafikës”, kam qenë i tërhequr nga raporti dhe loja mes dritës dhe hijes, ndërmjet potentes dhe së zbehtës. Por, kjo nuk ka qenë e vetmja arsye, pasi vetë leximi i realitetit, i jetës, të bën të kuptosh që sfondi dhe kolona zanore e saj janë drita dhe hija, rrjedhimisht as unë nuk mund të jem imun ndaj këtyre elementeve thelbësore.

Si është zhvilluar krijimtaria juaj artistike ndër vite?
Është një karrierë e gjatë në fushën e artit figurativ, e them me bindje se elementi bazik i saj ka qenë kërkimi, i orientuar drejt një zhvillimi të dyanshëm, atij artistik dhe teknik, por edhe ndaj një lloj vetëpastrimi të shpirtit, ose “katharsisi”, për të perifrazuar Aristotelin. Besoj se artisti nëse arrin një mendim se është i pakorrigjueshëm dhe ka arritur perfeksionin, atëherë ka humbur atë flakën krijuese, e cila e bën të quhet i tillë. Vetë jeta është një kërkim i gjithanshëm i realitetit, i vetvetes, i sintonisë me njerëzit dhe me botën, madje dhe me hyjnoren, kështu që është e pamundur që një ekzistencë statike mund të realizojë këtë synim. Thënë këtë, besoj se ecuria ndër vite e krijimtarisë sime, duhet të emërtohet si një kërkim ndër vite i origjinalitetit të shpirtit, por dhe të artit tim.

Cilat janë ato detaje që dallojnë më së shumti në morinë e punimeve artistike që keni realizuar ndër vite?
Mund të them se ashtu si krijimtaria ime ndër vite, kanë evoluar, madje ndryshuar, edhe detajet që unë kam përdorur. Kam kaluar nga loja me dritën dhe hijet, në vitet kur parapëlqeja grafikën si gjini artistike, në lojën me ngjyrat dhe duke mbërritur sot në një formë konceptuale të artit tim, e cila gjen shprehi të plotë në një trajtë të pazakontë që nuk është kanavaca, por copa e thesit dhe punimi në një teknikë të ngjyrës si reliev, e cila më krijon ndjesinë se krijimi im kërkon të revoltohet ndaj vetë telajos. Revoltë kjo që përzien deri diku pikturën me gjininë e baso-relievit (skulpturë).

Çfarë të influencon në artin tënd?
Nuk besoj se ekziston  një drejtim, një burim ose një muzë e vetme që përcakton dhe orienton krijimtarinë time. Ashtu si çdo njeri, edhe unë jam nën efektin e rrezatimit të gjithçkaje që më rrethon, duke nisur nga klima dhe deri tek thellësia e një libri, megjithatë  unë mendoj se veçantia e një krijuesi nuk qëndron tek perceptimi i rrezatimeve të jetës, por tek reagimi i tij ndaj tyre. Çdo artist nuk mjaftohet thjesht duke shijuar ose duke pësuar një ndjesi që i vjen nga ambienti rrethues, por kërkon që ta interpretojë atë, t’i japë asaj një kuptim, ose thjesht t’i japë asaj një formë. Pasi ta ketë konceptuar këtë ndjesi, ai (krijuesi) përpiqet që të ketë përjetim ta përkthejë në një formë vizuale, të kuptueshme edhe për grupime të tjera njerëzish, të cilët parapëlqejnë më tepër të lexojnë dhe të kuptojnë gjuhën e ngjyrave, më tepër sesa shqisat e tyre. Shpesh herë, roli i një piktori është të realizojë rolin e ndërmjetësit, të interpretuesit madje dhe të falltarit të ngjyrës, i cili përmbledh të gjitha sinjalet dhe ndjesitë e universit në një tablo të vetme, të kufizuar në hapësirë fizike, por jo në atë shpirtërore. E gjitha kjo nuk do të thotë se interpretimi i tij është i drejtë, por gjithsesi ai mbetet një interpretim dhe si i tillë ia vlen të lexohet apo të ndjehet.

A është nostalgjia një ndjenjë e tipit frymëzues, të themi referim për pikturën tuaj?
Në përgjithësi nuk jam natyrë nostalgjike, nuk parapëlqej të kthej kokën mbrapa për të ripërjetuar të shkuarën, si në jetë ashtu edhe në art. Jam i vetëdijshëm se nostalgjia përbën një element shumë ndikues në krijimtarinë e shumë artistëve, por shpesh herë ajo mund të kthehet në një faktor bllokimi në krijimtari madje edhe në jetë. Kjo mënyrë konceptimi e nostalgjisë më ka mbajtur gjithmonë në një largësi ndaj saj. Megjithatë, në të pandërgjegjshmen time mbase ekzistojnë elemente të cilët janë ndikuar nga ngjarje, vende apo individë të së kaluarës. Kjo nuk mund të përjashtohet tërësisht, aq më tepër kur bëhet fjalë për art, i cili është akti i ndjenjës dhe dihet që një pjesë e ndjenjave origjinën e kanë në “inkonshiencë”.

Cilat janë projektet e radhës tuajat?
Duke ju referuar asaj që thashë më parë, vazhdoj të jem në kërkim të interpretimeve, shprehjeve apo komunikimeve të reja të atyre që janë shqetësimet, ndjesitë dhe mendimet e mia. Gjithmonë, tentoj të shmang atë që është frika ime më e madhe në kuadrin artistik, vetëkënaqësia. Së shpejti do të kem gati një cikël me piktura, i cili do të përpiqet të kthejë në ngjyrë perceptimin tim, jo vetëm mbi fenomene të ndryshme shoqërore apo peizazhe të natyrës së qytetit tim, por edhe mbi idetë e mia lidhur me çështje të një rëndësie më themelore, të cilat më kanë ngacmuar gjithmonë. Sot mund të them me bindje se po punoj për të realizuar një ekspozitë konceptuale, vetëm kaq! Të tjerat mbeten për t’u zbuluar.

Leave A Comment

Your email address will not be published.

error: Content is protected !!