Blendi Fevziu: “…bëj sot punën që kam ëndërruar gjithnjë të bëj”

Ai është një nga gazetarët më të mirënjohur të vendit tonë, ka rreth 12 vjet me fat në dashuri, jeton i lumtur me gruan dhe vajzat, është autori i programit më të shikuar në televizionin kombëtar Klan. Blendi Fevziu ndihet i sigurt dhe me fat!

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Elegance: Cili ka qenë misioni yt?

Blendi Fevziu: Nuk besoj se kam pasur ndonjë mision të veçantë. Thjesht kam ndjekur instiktin tim që mes politikës dhe medias, ka anuar më shumë nga kjo e dyta.

Elegance: Kush ju ka influencuar më shumë në familje?

Blendi Fevziu: Stërgjyshet. E them në shumës, sepse dy stërgjyshet, me të cilat jam rritur ishin motra pa fëmijë, plaka të bardha që kishin studiuar në vitet ’20-të në perëndim, kryesisht në Vienë dhe që, thuajse nuk i kishte prekur komunizmi. Burrat e tyre kishin qenë politikanë në vitet ’30-të. Shumica kishin vdekur duke i lënë shumë të reja dhe në fund të viteve ’70-të dhe në fillim të ’80-tës, ato kishin ndërtuar një botë të tyren. Një botë që të magjepste kur hyje brenda, që nga shtëpitë e mobiluara me mobiljet e vjetra italiane të paraluftës (krejt ndryshe nga ato standarde), tek librat në gjermanisht, italisht e frengjisht e deri tek bisedat që thuajse s’kishin lidhje me përditshmërinë. Pasioni i tyre për politikën botërore dhe letërsinë padyshim që ka lënë shumë gjurmë tek unë.

Elegance: Çfarë të ka shtyrë në punë tënde për të arritur gjithë këto që ke?

Blendi Fevziu: Nuk e di, besoj pasioni dhe fakti që bëj sot punën që kam ëndërruar gjithnjë të bëj.

Elegance: Ka diçka në jetën tënde që të bën të pasigurt?

Blendi Fevziu: Ende jo. Pastaj shumicën e gjërave i kam nisur shumë i ri, kur njeriu nuk mendon thellë dhe as gjatë. Nis diçka dhe pastaj mendon pasojat e saj. Nga një anë ky ka qenë një fat i madh për mua.

Elegance: Nga çfarë ke (apo ke pasur) frikë në jetë?

Blendi Fevziu: S’besoj se kam pasur frikë ndonjë gjë. Qentë kur kam qenë i vogël.