Bela Maçi, mjeshtre e artizanatit

Stili për të ka ardhur si një traditë e  trashëguar fillimisht nga gjyshërit, e mandej nga brezat pasardhës, ndaj “ushqimi” i përditshmërisë për Bela Maçin ka qenë e bukura e mishëruar në tablotë e periudhës realiste, e parë dikur me syrin estetik. Mandej, në vazhdën e tyre, e frymëzuar pikërisht nga ky model, ajo zgjoi dëshirën e vjetër për një ritakim me të të bukurën, tek punimet e dorës.  “Krijimet e mia shkojnë përtej veshjeve të ndryshme, akesesorë si vath, spila, varëse, por e veçanta e tyre qendron tek detajet e veçanta të përdorura si lëndë e parë. Janë rruazat, lulet, copat, paramanda, makarona apo tapa shishesh…Detaje të atilla që ndoshta në përditshmëri janë pa vlerë për ne, por të vendosura funksionalisht në shërbim të një produkti të caktuar, ato mundësojnë realizimin e objekteve të personalizuara, sa edhe unike. “Një mjeshtër i artizanatit ka fantazinë për mënyrën si kombinon materialet me njëra-tjetrën, por duhet të ketë edhe durimin e çeliktë për të pasur rezultatet e duhura. Të kesh një veshje ose aksesor të punuar me dorë nuk është gjithmonë e lehtë. Sepse praktika e do që të shkosh në një dyqan e të blesh diçka të gatshme, të cilën mund ta shohësh të veshur edhe tek shumë individë njëherësh që i ndesh në rrugë. Dhe ky është një nga ritualet më të zakonshëm. Unë kam parimin që asnjëherë të mos ricikloj punimet e krijuara më herët për një klient të “Bela Belinda Style”, duke ruajtur personalizimin për çdo realizim që mban firmën time”, pohon ajo. Shkollimi në Paris për stilizim, modernizëm dhe aksesor ka injektuar si duhet konceptin dhe dëshirën për të bukurën, ndërsa vazhdimi i studimeve në Akademinë e Arteve në Tiranë, në profilin skenografi dhe kostumografi ka qenë vazhdë e një kulture që e mbrujti me dëshirën për stilim. Motivet popullore janë detajet e para që të impresionojnë në koleksionet e krijuara nga ajo, por katalogu i punimeve zgjerohet me shumëçka realizimesh të tjera, ku një tjetër fokus janë aksesorët e rrallë, të cilët tashmë kanë gjetur treg shitje ndërkombëtare, pasi duket se të huajt e ç’mojnë më shumë punën e dorës. “Artizanati është një lloj terapie, ku përditshmëria është ajo që të frymëzon më së shumti. Vet jeta, njerëzit me të cilët takohesh në rrugë, të frymëzojnë lulet, veshjet e bukura, etj. Procesi i artizanatit kërkon mjeshtërisht fantazi, për të pasur një punë të finalizuar me sukses. E rëndësishme për mua është që vjel frytet më të mira, të një pune që pasionin dhe dëshirën për të realizuar gjëra të veçanta e ka në themel të saj. Ndaj dhe çdo ditë ne atelierin tim është kënaqësi më vete, pikërisht për faktin se unë asnjëherë nuk bëj gjëra të përsëritura, punime të cilat i kam kaluar njëherë në dorë, vetëm në raste të rralla kur kjo është dëshirë e vet klientit. Sepse unë kam vendosur shpirtin tek artizanati”, përfundon Maçi.