Bukë, krypë e zemër!

Pranë natyrës dhe mjedisit që liqeni i Tiranës ofron, zë vend një restorant i vogël në dukje, por me një “zemër”, filozofi dhe koncept unik dhe përtej dashurisë dhe mirësisë për Shqipërinë tonë të vogël. “Mullixhiu” është një prej restoranteve që do natyrën bio, Shqipërinë dhe kulturën dhe mundohet me gjithë mundësitë të promovojë burimin e mirësisë te shqiptarët.

Bledar Kola

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

 

Interiori
Interiori i restorantit është inspiruar nga një simotër në Suedi, falë eksperiencës së z. Bledar, i cili së bashku me krijuesit e “Mrizi i Zanave” në Shkodrën mikpritëse, mendoi të sjellë një sofër po aq të ngrohtë edhe në Tiranën kaotike dhe të tejmbushur me restorante shumë të largët nga kultura shqiptare. Mjedisi i brendshëm ka bazë druri, ku gjithçka i referohet traditës sonë të vjetër. Tavolinat janë prej druri dhe të pajisura me sirtarë ku mbahen serviset dhe nga një pecetë e arnuar, që t’ju zgjojë kujtimin e paraardhësve tanë. Llampat që ndricojnë ambientin janë të arreduara me qeleshet e të parëve tanë dhe kudo shikon objekte që të zhvendosin në të shkuarën. Nën ëndjen e retrospektivës, serviren ushqime bio, ku specialiteti është djathi bio i marrë nga “Mrizi i Zanave”, verërat e rrushit shqiptar, duke suportuar kështu kantinat tona dhe duke promovuar një traditë të vjetër dhe pothuajse të harruar jo vetëm nga turistët, por edhe për vetë shqiptarët. Një detaj i paanashkalueshëm në interiorin e “Mullixhiu” është pikërisht prania e 3 mullinjve që asnjëherë nuk e ndalojnë prodhimin e brumit dhe që simbolizojnë jo vetëm emrin, por edhe gjithë atë cka “Mullixhiu” rreket të transmetojë.

Çfarë ofron?
“Mullixhiu” ofron për klientët e saj më të mirën e prodhimeve të brumit. Që prej shumëllojshmërive të bukëve, ëmbëlsirave, verës shqiptare dhe llojeve unike të djathërave, pastat, jufkat dhe gjithçka që ne e kemi gjetur dhe shijuar në të shkuarën, por edhe në të tashmen në një tryezë shqiptare, e gjejmë me shumë nostalgji dhe shije edhe te restoranti që risjell traditën në dimensionin e gastronomisë.

Filozofia
“Mullixhiu” rrjedh si koncept nga shprehja e mocme shqiptare, e cila edhe sot në mënyra të ndryshme ruan të njëjtin subjekt: “A ke ngrënë?”, “A je ngopur?”. Duke cituar krijuesin dhe njëkohësisht shefin e kuzhinës së restorantit, “Mullixhiu” i përgjigjet konceptit të ngopjes, fazës që çdo shqiptar ka hasur, ose vazhdon ta përjetojë në famijen e tij. “Ne jemi ende në fazën e ngopjes”, – thotë z. Bledar dhe ky është një realitet mëse i prekshëm.
Restoranti i vogël me një kapacitet prej 60 personash, në fakt bën një punë shumë të madhe në promovimin e kulturës shqiptare, punë që superon çdo përmasë të mundshme. Me shumë modesti dhe dëshirë, nëpërmjet ushqimit dhe dashamirësisë, restoranti synon të depërtojë në mendimet negative të të huajve karshi popullit shqiptar. Ne nuk jemi ata që kryejnë krime, që vjedhim dhe që ngjallim kudo frikë, por jemi edhe populli që duam natyrën, që kemi produkte bio dhe që kemi shumë dashuri dhe bukuri natyrore dhe kulinari të pasur. Nëpërmjet çdo pjate që serviret në restorant, z. Bledar i shtohet besimi se turistët vijnë shumë skeptikë në Shqipëri dhe largohen shumë të kënaqur prej saj. Ky është një bonus shumë i madh, por pse mos të vijnë me besim dhe të dalin të kënaqur? Nëpërmjet pjesëmarrjeve në projekte të shumta dhe madhore, “Mullixhiu” ka bërë një promovim të jashtëzakonshëm të Shqipërisë, duke u referuar në gatimin e mrekullueshëm, duke ndërthurur traditën e jashtëzakonshme me pjata dhe dizenjo unike dhe shumë atraktive.


Por filozofia e “Mullixhiu-t” përpos depërtimit në ndryshimin e koncepteve te kulturat e huaja, dëshiron të ndryshojë edhe koncepte të rrënjosura në Shqipëri. Për çdo produkt të blerë në restorant, nuk do të merrni një qese; uji nuk serviret në shishe plastike dhe në çdo tavolinë do të vini re një shishe qelqi me sloganin “PlastIK”. Një metodë dhe ide shumë origjinale për të dashuruar natyrën dhe për të transmetuar më të mirën te ajo. Sipas z. Bledar duke ndotur natyrën ne po cojmë dëm një gjeneratë të tërë dhe përdorimi i plastikës, kur në fakt ka shumë alternativa më miqësore ndaj natyrës, e përshpejton procesin e zhbërjes së brezit pasardhës. Edhe në kuadrin e humanizmit, në hyrje të restorantit ndodhet një kuti e cila mbledh dëshirën dhe humanizmin tuaj në formën e parasë dhe e dërgon në çdo familje të varfër shqiptare.

Në çdo skaj të “Mullixhiu” do të gjeni një realitet të shkuar dhe të munguar. Kur ta vizitoni do të ndjeni nostalgjinë e madhe dhe energjinë e rrënjëve që manifestohen në detaje dhe thjeshtësi që të ngroh shpirtin. Me një filozofi dhe dashuri impresionuese, “Mullixhiu” kalon lehtësisht nga strofa juaj në zemër të Europës, duke shpërndarë anën më të mirë të shqiptarëve dhe kulturën që prej shekujsh  ka mahnitur çdo vizitor.
yjiu