DKL sjell krijime fantastike për gratë e pamposhtura dhe magjike si Zana mali.

Që nga fëmijëria e hershme e deri më sot, gjithçka mund të ketë ndryshuar në jetën e Ditjona Kortoçi Lamnica, përpos dashurisë për modën.
Pasioni i një vajze kurioze, e cila nuk ndahej dot nga makina qepëse, shumë shpejt u kthye në një ambicie e cila u rrit me të dhe e dërgoi në rrugëtimin fantastik të krijimit, andaj materialet dhe skicat gjetën një strehëz të pagëzuar “DKL” (Ditjona Kortoçi Lamnica).
Moda rrethon gjithë jetën e saj, që nga rutina e mëngjesit, deri në momentin që prehet në qetësinë e natës, ndaj një dashuri e tillë, e pastër dhe sublime, nuk mund të mos kundrohej dhe të bëhej pjesë e Elegance.
Në rreshtat e mëposhtëm do të gjeni intervistën e fashion designer të talentuar, e cila sapo ka fituar edhe një praktikë në departamentin e dizajnit të Vera Wang dhe është mëse e gatshme të mahnisë të gjithë botën.

Ditjona Kortoçi Lamnica / Fashion Designer / Founder e DKL Couture

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

 


Kur e kuptove se ishe e dashuruar me modën dhe se dëshiroje të krijoje karrierën si fashion designer?

Aq herët sa rrekem ta kujtoj qartësisht!
Për të përballuar jetesën, mami im siguroi një makinë qepëse mekanike “Flutur”, ndërsa unë e mësova si ta përdor, për të jetësuar me të ëndrrat e mia.
Mbaj mend, që në moshën pesë vjeçare, mezi prisja të largohej mami nga shtëpia në mënyrë që unë ta përdorja makinën qepëse pa pasur njeri mbi kokë.
Nëse hap albumet e fëmijërisë sime, në pjesën më të madhe të fotografive do më gjeni veshur me pantallona të stilit Capri pants. Ashtu përfundoja për vete, pasi i shkurtoja që të qepja rroba për kukullat e mia, pa e kuptuar se dashuria për modën po rritej bashkë me mua.

Cila ishte puna jote e parë në lidhje me dizenjimin dhe si të shërbeu kjo eksperiencë?
Në fakt, do preferoja ta quaja krijimi im i parë pas fustanit të kukullës. Ishte për shoqen time të ngushtë, e para më besoi ajo fustanin e saj të maturës. Më vonë më dergoi një foto nga tapeti i kuq në Grammys, ku dikush mbante veshur një fustan shumë të ngjashëm. Probabiliteti që një ide të mos jetë e ngjashme me një tjetër deri në njëfarë pike, është shumë i ulët në fushën e modës. Por, fakti që unë nga Tropoja e vogël kisha pasur të njëjtin inspirim me një nga dizajnerët e shtëpisë së modës DIOR, më dha shtysë ta njoh dhe të besoj në dhuntinë që kisha dhuratë prej natyrës.

Aktualisht, cila është tendenca jote e preferuar?
Tendenca ime e preferuar aktualisht dhe përjetësisht është: Timeless, sensible and sustainable life.

Po materiali më i mirë për të krijuar?
Nëse dëshiron të ndërtosh marrëdhënien ideale të materialit me lëkurën, zgjidh mëndafsh. Po njësoj do reflektohet edhe në dukje ajo marrëdhënie.

Gruaja, sikurse e thotë Dritëroi:
“E bukura, lozonjarja, tokësorja grua”.

Krijimet e tua janë shumë unike, ndaj na lind pyetja se çfarë të frymëzon?
Gruaja, sikurse e thotë Dritëroi: – “E bukura, lozonjarja, tokësorja grua”.
Unë vetë jam rritur nga një grua shkëmb dhe jam rrethuar nga vajza dhe gra të forta. Kështu, mund ta njoh fuqinë e gruas dhe dua jo t’u jap forcë, por t’u dhuroj veshjen e duhur dhe nëpërmjet saj, ato të kujtohen se kanë brenda vetes forcë sa për të kapur majat.
Krijimet e mia janë veç pluhuri i zanës, unike është muza.

Si mund ta definosh modën?
A mund të kem një faqe veç për këtë pyetje?! (qesh)
Për mua moda është mënyrë jetese; moda është ngado që të kthesh sytë; fillon nga pamja e   parë kur hap qellapat çdo mëngjes, çorapet, veshjet intime që zgjedh, shalli që hedh, parfumi në qafë, muzika që dëgjon, mënyra se si ecën, se si flet, vendet ku shkon dhe librat që lexon, palat e pantallonave dhe këmisha e mëndafshtë, takat apo atletet, pandoflat para gjumi…
Ne pa e kuptuar frymojmë modë.

Cila është veshja jote e përditshme?
Shumica dërrmuese veshjeve të mia përbëjnë një gradient nga e zeza në të bardhë, dhe tashmë pothuajse e tërë garderoba janë krijimet e mia. Nuk harroj të shtoj një element, si “vëthë në vesh” se sa e fuqishme jam, por stili i jetesës gjithmonë në ikje – ardhje dhe nxitim, më bën të vë të parën rehatinë.

Që nga skicat, deri te prodhimi, cilat janë ndjesitë që të përshkojnë kur krijon një veshje të re?
Krijoj duke pasur në mendje muzën time. Ajo duhet të ndihet rehat dhe e pamposhtur në atë që vesh. Ndodh kështu:
Pasi prezantohem me muzën grua, bëj kërkime dhe njoh tregun. Më tej, skicimi dhe gjuetia e materialeve shkojnë krahas dhe në fund realizimi. E gjitha kjo shoqërohet me një furi emocionesh. Shpesh kam frikë se nuk do ta gjej atë nuancë që kam në mendje kur bëj skicën. Druajtje se klienti nuk do ta dëshirojë atë detajin që unë e shtova në çastin e fundit sepse ndjeja që diçka po i mungonte. Kënaqësi e madhe kur shoh buzëqeshjen e asaj që e vesh. E në fund pak trishtim; ajo do ta quajë “fustani im” dhe po kështu edhe unë që mezi ndahem prej tij.

Çfarë ka ndryshuar brand-i “DKL” në jetën tënde?
DKL ka ardhur si ndryshim. Unë ëndërroja një brand DK (Ditjona Kortoçi), derisa njoha dashurinë dhe në rrugëtimin emocionues krah tij, brand-i im do jetë përgjithmonë DKL.
DKL më kujton kush jam sa herë dal para pasqyrës. Më frymëzon kur shoh vajza dhe gra që lumturohen prej asaj etikete.
Më ka ndryshuar sepse më ka bërë të jem më kërkuese ndaj vetes. Nuk mund të sjellësh diçka të re sot pa e njohur të djeshmen, historinë. Kush ka qenë frymëzim ndër shekuj, gjurmët që kanë lënë. Kështu, jam ndër studentët më mirënjohës të FIT NYC dhe nuk i ndahem bibliotekës së tij. Nga viti 2013 dhe fustani i shoqes time, tani kam fituar një praktikë në departamentin e dizajnit të Vera Wang dhe pres t’i bashkohem bordit në atë udhëtim magjik.

New York është një qytet jashtëzakonisht i madh, i cili është gjithmonë dinamik dhe në kërkim të tendencave të reja, ndaj si ia del të përshtatesh me tregun, por edhe të ruash autenticitetin?
New York të jep frymë dhe frymën ta ndal!
Besoj se dinamizmi shoqërohet me larmishmëri. Ndaj secili mund të gjejë një kënd ku të rritet, nëpërmjet klientëve besnikë dhe atyre që vijnë dhe ikin. Fati jonë që në New York ikin dhe vijnë më shumë se kudo!
Unë jam e fokusuar në Haute Couture – modë e ngadaltë dhe afatgjatë, dhe punoj me muzën grua individualisht, duket krijuar në përshtatje të stilit dhe personalitetit të gjithsecilës.

Çfarë do të doje të ndryshoje te stili dhe te koncepti i njerëzve rreth tij?
Sikurse e thashë më herët, për mua moda është mënyrë jetese.
Fatkeqësisht, moda është po ashtu, një ndër industritë më ndotëse të planetit Tokë, dhe kjo për shkak të modës së shpejtë.
Do të doja shumë që konsumatorëve t’u ofrohet edukimi i duhur, në mënyrë që ata të kërkojnë të mbushin garderobën e tyre me veshje afatgjata, të realizuara në mënyre etike dhe t’i kushtojmë më shumë rëndësi marrëdhënies që ndërtojmë me atë çka veshim.
E di që shumica e atyre që mund të më dëgjojnë duke u shprehur kështu, do të më kujtonin çmimet e veshjeve për të cilat unë flas. Por, unë personalisht, zgjedh “second hand” dhe “vintage”, para modës së shpejtë dhe do sugjeroja çdokënd rreth meje të vepronte njëjtë.

Cila është pjesa e preferuar e të qenurit një fashion designer?
Të jepet mundësia të prekësh jetët e të tjerëve, të ndryshosh një moment në jetën tyre, një çast që lë gjurmë dhe krijon një ndjesi. Fatlum është ai designer që lë një detaj autentik në historinë e modës, për t’u hapur një shteg të ri të tjerëve që do vijnë pas tij.

Si dëshiron që të ndihen gratë kur veshin krijimet e tua?
Të ndihen si personazhi i preferuar i përrallave me të cilat u rritën…
Si imazhi që kanë në mendje kur përmendet Zana e malit.

Cilat janë planet e tua për të ardhmen?
Në shtator filloj vitin e fundit, për të përfunduar kështu specializimin për Veshje Mbrëmjeje dhe Nusërie tek FIT- Fashion Institute of Technology në New York. Krahas saj dhe praktikës te Vera Wang, më mbetet veç të punoj fort. Të rritem duke rritur DKL dhe të prekim jetë të reja me pluhurin e zanës.