Eni Vasili: E mira & e drejta

Profili i gazetares dhe moderatores së njohur të debatit politik, vjen në një rrëfim ndryshe për veten, ambicien profesionale, dashuritë e momentit dhe objektivat e reja për 12 muajt kalendarik pasardhës…

Në lëmin e gazetarisë, ajo është ndër figurat femërore më të spikatura, e cila ka vendosur një standard profesionalizimi që duket se i qëndron larg skutave të errëta të kompromisit, që me gjasë do e tjetërsonin misionin primar të punës së saj të përditshme, atë të informimit të publikut dhe evidentimit të kauzave të qenësishme, kryesisht ato sociale. Eni Vasili, është një nga të paktat gazetare, që përpos daljes publike të përjavshme për hir të formatit televiziv që ajo drejton në ekranin e News 24 prej disa vitesh, ka zgjedhur të jetë diskrete në sfera të tjera që plotësojnë si një ‘puzzle’ jetën e saj, kjo sa i takon aspektit familjar, privat, etj. Por, në këtë rrëfim të sajin për revistën Elegance, ajo zbulon shumëçka nga ato vlera të karakterit që formësojnë Enin që është sot, bashkë me objektivat e pritshmëritë personale. Ajo flet për vitin që la pas, dhe planet e afërta të 2016-ës, që do të jenë të përqendruara në botën e librit, përkthimit, etj. Thotë se nuk di të “thur” e as të “tjerr” plane, sepse nuk është tip strategjik me afate të përcaktuara. Di të përkushtohet ndershmërisht dhe me parime. Di të jetë vetvetja deri në fund e me çdo çmim, di të besoj tek e mira dhe e drejta, di të sakrifikoj për të mos lënduar e zhgënjyer bashkëpunëtorët dhe njerëzit me të cilët ndan përditshmërinë e saj. Sado patetike dhe demode të tingëllojë, ky  është plani saj i përvitshëm. E ndër gjërat më kryesore, bashkë me dëshirat, ëndrrat, sfidat, dashurinë që së fundmi është projektuar tek dy nipërit e saj, Eni thotë  me plot gojë që ndihet e bekuar dhe lumtur çdo ditë…

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Si ishte fundviti i 2015-ës për ju, si i kaluat festat?
I qetë dhe i dashur siç vetëm familja mund të jetë. Përgjithësisht përpiqem të udhëtoj në fund të vitit pasi atmosfera e festave ne Tiranën tonë lë gjithmonë për të dëshiruar, por këtë herë  për shkak të impenjimeve e pata të pamundur të largohem dhe zgjodha destinacionin më të ëmbël: familjen, mes dritës dhe zhurmave të bukura që dashuria e tyre më krijon .Ishte edhe një rast i mirë për të kompensuar kohën e munguar me ta.

Nëse bën një rezyme të 12 muajve që le pas, si do t’i cilësoje ato?
Për mua kanë qenë muaj të një aktiviteti profesional intensiv, por që më kanë dhënë shumë kënaqësi e më kanë motivuar pozitivisht. E kam ndarë kohën mes angazhimit të programit tim  politik  “Studio e Hapur” që transmetohet në televizionin Neës24, çdo të martë,  në prime time, projekteve të Forumit të Gazetarëve Profesionistë Shqiptare(FGPSH)  një organizatë e re që drejtoj me shumë përkushtim dhe ambicie, mësimdhënies në universitet si edhe përkthimit e shkrimit. Këta vektorë të jetës profesionale ma bëjnë bilancin e vitit që po lëmë pas të plotë dhe të realizuar. Pendesa më e madhe mbetet edhe për këtë vit  që shkoi  jeta personale  pasi koha për veten, familjen dhe miqtë bëhet gjithmonë e më e pakët. Është një raport i zhdrejtë ai mes këtyre dy jetëve që nuk kam ditur kurrë ta ekuilibroj.  Puna më ka marrë të tërën dhe tashmë po filloj të mendoj  se ky raport do të vazhdojë të jetë i tillë përgjithmonë megjithë përpjekjet apo premtimet e mia vit pas viti përpara njerëzve  të mi të dashur  apo në intervista si këto se gjërat do të ndryshojnë. Kanë qenë sidoqoftë 12 muaj që më kanë rritur profesionalisht dhe shpirtërisht.

Jemi zyrtarisht në fillim të një viti të ri kalendarik. Jeni natyrë që bëni plane?
Nuk jam aspak strategjike. Ndonjëherë kundroj me zili të shëndetshme disa lloj njerëzish aq të qartë me veten sa arrijnë të ndërtojnë plane afatgjatë, dinë ku do të jenë pas tre  apo pesë vjetësh , dinë çfarë do të bëjnë dhe që nuk do të ndërrojnë mendim për aksh çështje apo rrethanë. Janë aq të qartë e të llogaritur  në planet e tyre sa edhe njerëzit përreth i rendisin si aksesorë të këtyre planeve. Unë nuk jam kështu. Nuk di të “thur” e as të “tjerr” . Di të përkushtohem ndershmërisht dhe me parime. Di të jem vetvetja deri në fund e me çdo çmim, di të besoj tek e mira dhe e drejta, di të sakrifikoj për të mos lënduar e  zhgënjyer bashkëpunëtorët dhe njerëzit që dua. Sado patetike dhe demode të tingëllojë, ky  është plani im përvitshëm. T’u ngjaj sado pak prindërve të mi në thjeshtësinë dhe mirësinë me të cilën e kanë parë botën pa iu bërë shpirti pis nga asgjë.

Cilat janë pritshmëritë dhe objektivat tuaja për 2016-ën?
Po veçoj së pari projektin që kam më për zemër. Po përgatis një botim për të cilin kam filluar punën vitin që shkoi. Është një ide e palëvruar më parë dhe do të jetë një produkt tek i cili kam shumë besim se do të vlerësohet. Emrat shumë të njohur të letrave që e kanë konsultuar kanë qenë entuziastë dhe kjo më ka bërë të lumtur. Shpresoj të jetë gati për muajin shkurt. Pastaj kam në “kantier” edhe botime të tjera apo edhe një përkthim pas atij që doli në treg në 2015 . Ndërkaq Studio e e Hapur do të vazhdojë me super angazhimin që kërkon mbajtja në nivelet e ambicies së shikueshmërisë dhe impaktit në publik .Viti 2015 ka qenë një vit i jashtëzakonshëm për programin nga pikëpamja e shikueshmërisë. Kemi pasur ngjarje kulmore në emision që janë reflektuar dukshëm në shikueshmëri. Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet lokale 2015, programi Studio e Hapur ka qenë i vetmi që arriti të realizojë debate mes kandidatëve për kryetar bashkie siç ishte debati i Shkodrës, Gjirokastrës, Pogradecit, Beratit etj. Përballja e ministrit të shëndetësisë me mjekët grevistë nuk u arrit as në zyrat e shtetit e as në atë të ministrit, por  vetëm në programin Studio e Hapur dhe kjo ishte për ne një arritje e jashtëzakonshme siç ishte edhe udhëtimi i parë i një programi televiziv shqiptar në kampet e azilkërkuesve shqiptarë në Gjermani ku arritëm të realizojmë një emision me shikueshmëri shumë të lartë. I jam mirënjohëse publikut besnik që më ndjek tashmë prej vitesh. Shpresoj që me punën time apo kauzat që shpesh përqafoj tua kthej disi mirënjohjen që kam për besimin e tyre.

Kush në familje iu ka influencuar më shumë në zgjedhjet që ke bërë në jetë(prind)?
Familja ime ka influencuar në një mënyrë të veçantë duke mos më yshtur apo detyruar të ndërmarr këtë apo atë rrugë edhe pse kur ka qenë koha kanë shprehur preferencat e tyre. Më kanë influencuar duke më lënë të lirë, por më mësuan njëkohësisht që liria është detyrim dhe përgjegjshmëri.  Liria që ata më dhanë për të vendosur për jetën time ishte detyrimi im ekskluziv jo vetëm për t’ia dalë mbanë, por edhe për t’i bërë krenarë. Liria nuk është një gjë e thjeshtë, për të duhet të “paguash” në një mënyrë apo në një tjetër. Prindërit e mi donin që unë të bëhesha mjeke, si halla ime, një nga emrat më autoritarë të mjekësisë shqiptare sot. Ndoshta rruga e shkelur më parë prej saj do kish qenë më e thjeshtë për mua, eksperienca , njohjet,  mundësitë që mund të më krijoheshin ishin më të shumta e mbi të gjitha më të lehta për tu arritur . Por unë kisha vokacionin për tu bërë gazetare, jam e para në familjen time apo në rrethin e gjerë fisnor që merret me gazetari. Një rrugë që duhet ta ndërtoja plotësisht  me forcat e mia. Prindërit më lanë mundësinë të zgjidhja. Shpresoj të mos i kem zhgënjyer.