Etiopia, toka e mistereve!

Nëse dëshironi të vizitoni vendet më ekzotike dhe mbresëlënëse në botë, padyshim që duhet të shtoni në listë Etiopinë. Në shtetin më të vjetër të kontinentit afrikan shpaloset një oaz totalisht i panjohur dhe një mrekulli e jashtëzakonshme, mikpritje bujare dhe kombinim të jashtëzakonshëm ngjyrash. Në çdo shtëpi në Etiopi do të gjeni dyer të lyera me lejla, blu dhe bezhë, duke iu dhuruar një harmoni unike dhe ngrohtësi familjare. Etiopia mund të impresionojë këdo falë faunës fantastike, hidrografisë shumë të pasur, relievit të magjishëm dhe kafshëve endemike. Si një prej shteteve të vetme të cilat morën pavarësinë nga kolonitë europiane, ruajtja e traditave shekullore ka qenë primare për popullin Etiopian, andaj çdo ditë që do kaloni në Etiopi nuk do të jetë e njëjta. Dhjetëra vende magjepsëse do ju falin padiskutim eksperiencën më të jashtëzakonshme të jetës, ku do të kuptoni se të vizitoni një botë “të largët” mund të jetë ajo çka ju duhet.

Histori
Etiopia është shteti më i vjetër i Afrikës, i cili mbart peshën e historisë dhe kulturës së një kontinenti të tërë. I kufizuar me Sudanin dhe Kenina, në Etiopinë “primitive” do të gjejmë male të larta dhe lumenj të lundrueshëm.
Në fillimet e hershme, Etiopia ishte e ndarë në mbretëri të vogla dhe qeverisej nga dinastia e Solomon, ishte “pagëzuar” me emrin Abisinia. Çdo pjesëz e vogël e mbretërive të Etiopisë dha një kontribut të jashtëzakonshëm në ruajtjen e kulturës së tribuve dhe ligjeve e dokeve të tyre.
Kontakti “i dendur” për shkak të tregtisë me popujt kristianë, e bënë Etiopinë një prej mbrujtësve themelorë të përçimit të fesë kristiane. Më pas kolonizimi nga Italia e shtoi këtë mbrujtje dhe Etiopia vazhdon ende të përforcojë besimin Kristian.
Rruga e shtetit më të vjetër të kontinentit ka qenë padyshim e gjatë dhe e palodhur. Jo vetëm synimi për të ruajtur identitetin e kombit, por edhe modernizimi i Etiopisë ishte një sfidë shumë e vështirë, kjo sepse sovrani i saj Menelik II adaptoi mënyrën e qeverisjes italiane, duke i mundësuar kësaj të fundit kolonizimin e Etiopisë. Përcarja e shtetit ishte masive dhe e pakthyeshme. Brenda një mbretërie fliteshin 70 gjuhë, kishte luftë shumë agresive klasash dhe tirania ishte mizore. Pas vdekjes së Menelik II, vdiq edhe tiranizmi dhe populli mori frymë lirisht kur në fron erdhi Haile Selassie, me pseudonimin “Luani”. Ai qeverisi me shumë dinakëri, duke u kthyer në një strateg me shumë impakt dhe duke sjellë lirinë e Etiopisë.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Pasuria e Specieve
Etiopia, si asnjë shtet tjetër në botë është e bekuar nga natyra, jo vetëm për shkak të relievit shumë të favorshëm, por edhe për një mori speciesh endemike që gjallojnë në këtë territor.

Nëse e vizitoni “vendin e mrekullive” patjetër duhet të “takoni” Majmunin Gelada.

Ai jeton vetëm në malet Simien dhe është i fundit i species së vet. Është një gjallesë super inteligjente dhe arrin të krijojë zhurma si e qara njerëzore. Majmuni Gelada përgjithësisht është shumë miqësor dhe nëse i fitoni besimin, mund ta fotografoni të rehatuar në habitatin e tij.

Shpendët
Një pasuri e tërë shpendësh plotëson morinë e gjallesave të Etiopisë. 835 lloje të ndryshme zogjsh, ku 23 janë specie endemike dhe jetojnë vetëm në Etiopi. Me shumë fat mund të arrini t’i shikoni shumicën e shpendëve, falë një guide profesionale, e cila mundet t’i identifikojë vetëm në sajë të tingujve. Zogjtë Etiopianë janë shumë tekanjozë dhe është shumë e rrallë që të mund të afrohen me vizitorët. Gjithsesi mund të magjepseni duke i parë nga larg!

Hienat
Etiopia është pothuajse vendi i vetëm në botë që ka zbutur karakterin e vështirë të hijenave. Këtë kafshë dinake e gjeni masivisht në territorin e Harar dhe mund të keni kënaqësinë që ta ushqeni. Kjo është tashmë një traditë, e cila nisi disa shekuj më parë. Fermerët sfiduan frikën nga hijenat për të ruajtur bagëtitë e tyre dhe filluan të ushqenin hijenat. Kështu jo vetëm mbronin të ardhurat e tyre, por edhe u miqësuan me to.
E konsideruar si një eksperincë shumë e frikshme për turistët, për banorët është mëse normale dhe e sigurt, madje ushqimi i hijenave sjell fat të mirë dhe provon burrëri dhe besnikëri.



Ujqërit e Etiopisë

Të veçantë dhe shumë të këndshëm, ujqërit Etiopianë ngjasojnë më tepër me një dhelpër trupvogël. Janë specie shumë të rralla, me vetëm 500 pasardhës të mbetur në territorin e egër. Mund t’i gjeni në Parkun Nacional të malit Bale dhe i identifikoni nga veshët e gjatë, ngjyra kafe e çelët dhe fakti që janë kafshë të shkathëta dhe shumë të lezetshme.

Çfarë duhet të vizitojmë patjetër?
Afrika është një prej kontinenteve që përmban më shumë vullkane aktive. 25% e këtyre vullkaneve ndodhen pikërisht në Etiopi dhe përballë ose pranë tyre ndodhen tempuj të ndërtuar shekuj më parë, me qëllim që t’u bëhej ballë zemërimit të perëndeshave. Çdo qytet i madh i Etiopisë ka një vullkan të përmasave të ndryshme, ndaj do të ishte mëkat të mos e vizitonit njërin prej tyre.

Lalibela
Keni imagjinuar ndonjëherë një qytet të tërë të ngurtësuar përjetësisht? Lalibela është pikërisht një qytet i tillë dhe përsa i përket bukurisë, kalon çdo imagjinatë!
Nuk ka rëndësi së cfarë keni dëgjuar apo sa foto keni parë nga qyteti i gurit, do të ngeleni pa frymë kur të përjetoni eksperiencën e të prekurit të historisë kristiane në një qytet krejtësisht të ngrirë në kohë dhe histori. Lalibela ruan me besnikëri dhe fanatizëm çdo pjesëz që plotëson fenë kristiane, ndaj është qyteti ideal për t’u vizituar nëse dëshironi të dëshmoni historinë e krishterimit në formën më të hershme dhe reale!

Malet Simien
Impresionuese jo vetëm për shtetin e Etiopisë, por për të gjithë kontinentin afrikan, Malet Simien ofrojnë një pamje magjepsëse dhe një prej eksperiencave më të bukura në jetë.
Grupmalet gëzojnë jo vetëm një pamje të rrallë, por edhe një sërë speciesh endemike që ia vlen të vizitohen patjetër!

Harar
Ndonëse Etiopia është një shtet që ruan me rigorozitet traditat e kristianizmit, Harar është një botë tërësisht e shkëputur nga kjo traditë. I ngjashëm më tepër me Fez në Marok, Harar është një mozaik i plotë i xhamive dhe kulturës arabe dhe fesë islame. Pavarësisht shkëputjes së hershme nga sundimi arab, Harar e përvetësoi kulturës islame dhe e ruajti me fanatizëm, jo vetëm në ndërtimin e kulteve dhe xhamive, por edhe në kulinari dhe zakone. Do të kundroni varret e strategëve të Etiopisë, së profetëve myslimanë dhe një arkitekturë tejet magjepsëse.

Gonder
Arealina e mrekullive të Etiopisë e përmbyll Gonder, qyteti i pemëve të larta dhe shtëpive prej guri e druri. Gonder është një legjendë reale, e prekshme dhe e mrekullueshme. Në muret e qytetit do të gjeni shenja gjaku, të cilat simbolizojnë besnikërinë dhe mirënjohjen ndaj njerëzve që i falën Etiopisë lirinë. Një ndërthurje e magjishme mes legjendës, antikitetit dhe ekzotikes!



Kulinaria

Një tjetër arsye pse duhet ta vizitoni Etiopinë njëherë në jetë është kulinaria e larmishme. Ushqime të marinuara me erëza të forta do t’ju bëjnë ta dashuroni edhe më shumë!
Disa nga ushqimet tradicionale në Etiopi janë: Fir-fir, Teff, Ga’al, Gored-Gored, Injera, Samosa etj. Shumëllojshmëri shijesh dhe gatimesh përmblidhen në të njëjtin vend, duke ofruar një alternativa të shumta për çdo vizitor. Gjithashtu, ia vlen të vizitoni edhe pazarin e erëzave, tashmë një traditë e hershme në Etiopi. Erëzat nga më të çuditshmet mbushin thasët e tregtarëve, duke ofruar një tablo të vërtëtë ngjyrash dhe kulture urbane. Një tjetër “event” i rëndësishëm për kulinarinë e Etiopisë është “Festivali i Kafes”, ku specialistë të ndryshëm servirin kafen e përkryer.

Ku mund të pushoni?
Hotelet në Etiopi kanë çmime relativisht të ulëta dhe kushtet e duhura. Përpos guidës turistike, ne ju sugjerojmë disa hotele në të cilat mund të merrni shërbimin e dëshiruar dhe të shijoni ushqimet tradicionale.
Sheraton Hotel, Adissinia Hotel, Grand Getto, Hotel Maribela, Arequ Guest House dhe La Source Guest House.