Fjorza Mullaji: Histori suksesi shqiptare

Çdo femër e ka një të tillë në kutinë e aksesorëve të saj! Një krijim të realizuar në mënyrë artizanale, krejt origjinal, dhe që lidhet pse jo me një histori personale. Gjithçka për Fjorza Mullajin, nisi në gjimnaz! Një projekt që e vijon rrugëtimin e tij plot sukses edhe sot! Asokohe gjatë një projekti të USAID, ajo mori vendimin që do të ndryshonte tërësisht rrjedhën profesionale të saj!  Përfshirja në botën e artizanatit, krijimi i aksesorëve unik dhe çdo krijim tjetër artistik, e kanë bërë atë një nga mjeshtret e artizanatit, ndër më të njohurat në kryeqytet. Tashmë, kjo nismë pritet të marrë formën e një sipërmarrje të mirëfilltë, me një dyqan ku do të ekspozohen krijimet aktuale, por edhe ato të rejat që ajo realizon thuajse çdo ditë. “Dikur, me lekët që më jepnin prindërit për t’i harxhuar në shkollë, unë blija byzylykë, rruaza, temina, element që i shndërroja më pas në bizhuteri. Mjafton pak fantazi, durim dhe mund të bësh art të  dhe të pëlqyeshëm nga të gjithë”, cilëson ajo.  Tashmë, nuk e mendon një ditë pa krijuar, diçka elegante, me porosi speciale të klientëve, por edhe krijime sipas dëshirës së saj. “Nuk e harroj kurrë si ka filluar gjithçka dhe kjo është pjesa më e rëndësishme drejt rrugës sime si artizane. Fillimi ka qenë shumë i vështirë dhe më është dashur shpesh t’ia nis nga e para, kam humbur avionë gjatë udhëtimeve për minerale, kam humbur për shkak të zgjedhjeve të gabuara, por kam fituar eksperienca pa të cilat nuk do të isha këtu ku jam…28 vjeçe me 11 vite eksperiencë në stilim e bizhuterive artizanale dhe pjesa më e bukur është që kam shitur aq shumë bizhuteri, sa nëse çdo klient do kishte blerë vetëm një, atëherë të gjitha femrat e Tiranës do të kishin një krijim timin”, vijon Fjorza