Situata e vështirë nuk e ndaloi aspak VMA të ndante çmimet prestigjoze për artistët që publiku i admiron, megjithëse mbrëmja respektoi në mënyrë shumë strikte të gjitha masat për parandalimin e pandemisë.
Si gjithmonë, eventi i jashtëzakonshëm rezultoi edhe një “pasarelë” ku u mahnitëm nga veshjet dhe prezenca e personaliteteve më vizibël të momentit.
Mes veshjeve më të bukura, u spikat edhe supermodelja Bella Hadid, e cila guxoi me ekstravagancën dhe sensualitietin e saj. E veshur me një body transparente, frymëzuar nga vitet ’90, Bella diti si të tërheqë vëmendjen e të gjithëve. Surpriza e mbrëmjes ishte pikërisht fakti se Bella ia besoi aparencën e saj dizajneres shqiptare, Nensi Dojaku.
Nensi ka lindur në Tiranë, Shqipëri dhe në moshën 16-vjeçare vijoi studimet në Londër, duke ndjekur pasionin për modën. Pas diplomimit, karriera e saj u formësua në intership-e për Peter Pilotto dhe Fyodor Golan, duke e ndihmuar jashtëzakonisht shumë në riformulimin e koncepteve mbi stilin dhe krijimit të veshjeve fantastike. E frymëzuar nga legjenda si Helmut Lang, Ann Demeulemeester apo Alessandro Dell’acqua, Nensi është një emër shumë premtues në industrinë e modës.
Stili i Nensit është unik, sensual dhe delikat, por sërish shpreh fuqi dhe prezencë. Konture, linja dhe shtresa përbëjnë krijimet e koleksioneve të saj, duke i rezistuar edhe testit të kohës. Në të njëjtën kohë, dizajnerja me origjinë shqiptare tregon të gjitha karakteristikat e grave elegante dhe super të fuqishme.
Le të kthehemi te veshja e Bella Hadid, e cila na rikujtoi sfilatat mahnitëse të Tom Ford, egërsinë dhe guximin e epokës së viteve ’90, si dhe na prezantoi më gjerësisht me krijimet e veçanta të Nensit.
Dizajnerja e talentuar ka theksuar faktin se ndihet tejet e lumtur dhe mirënjohëse dhe padyshim, kjo është një ëndërr e bërë realitet.