Nëse mendoni se drejtimi i duhur profesional është një zgjidhje, ju prezantojmë me Ledian, për të cilën karriera është zgjedhje. Dhe si çdo zgjedhje e mirëmenduar, ajo kërkon përkushtim dhe padyshim pasion të pakushtëzuar. Ledia Kuçani, IQOS Manager për Philip Morris Albania, është një prej vajzave që nuk pret vëmendje vetëm një ditë të vitit, pasi për të çdo ditë është e vlefshme për të sjellë ndryshimin. E veshur me kostumin e përgjegjësisë në një prej kompanive më të mëdha në botë, për të, pasioni është ushqimi kryesor drejt arritjes së qëllimit. Në të njëjtën kohë, roli i grave dhe vajzave në shoqërinë shqiptare ka ndryshuar. Gjithnjë e më shumë njihemi me raste suksesi, ku pantallonat vishen nga gratë, të cilat megjithatë menaxhojnë mjaft mirë pavarësisht përzgjedhjes së gardërrobës. Vendosmëria, aftësitë dhe përvoja, i dhanë Ledias mundësinë që të kontribuojë në vizionin e shekullit të 21 të kësaj kompanie shumëkombëshe – krijimin e një të ardhmeje pa tym! Ajo i është bashkuar Philip Morris katër vite më parë dhe një pasion edhe më i fortë e udhëheq për të ecur çdo ditë me ritmin e vizionit të kompanisë.
Ju mbani një pozicion të rëndësishëm në një kompani me standarde të forta ndërkombëtare. Si e shihni veten në Philip Morris dhe jashtë saj?
Puna në industrinë e duhanit dhe për më tepër në një nga kompanitë kryesore, është si një peshore shumë e ndjeshme mes kënaqësisë që të dhuron puna e përditshme nga njëra anë dhe sfidave të panumërta që has nga ana tjetër. Sigurisht, kur bëhet fjalë për një projekt të rëndësishëm, që sjell një transformim global dhe historik në jetën e duhanpirësve të rritur, përgjegjësia bëhet më e madhe, më e rëndë dhe jo rrallë herë krijohet një përshtypje sikur shpatullat e një femre nuk mund ta mbajnë. Unë ju siguroj që gjinia në këtë rast nuk përbën asnjë dallim. Unë kam parë edhe shpatulla meshkujsh të kërrusen nga këto pesha e sfida, ndaj edhe të qenurit në një pozicion të rëndësishëm ka të bëjë me aftësitë, vullnetin dhe fokusin e duhur për të marrë vendime, si në aspektin personal, po ashtu edhe në atë që unë e konsideroj mjaft të rëndësishme, PUNËN NË GRUP, që është edhe çelësi magjik që hap edhe dyert më të vështira.
Lidershipi dhe gjinia femërore… Të them të drejtën, ky binom, nga pozicioni im në PMI është i natyrshëm dhe gati i parëndësishëm për tu ndalur, por fatkeqësisht ka shumë sfida përballë të cilave gratë dhe vajzat, jo vetëm në Shqipëri, duhet edhe të përleshen për të mbërritur të paktën në atë që rëndom quhet BARAZI. Sigurisht, janë të shumta femrat në botë që ia kanë dalë të jenë lidere, por nga ana tjetër dua t’ju kujtoj një fakt: në listën e 500 kompanive të Fortune, vitin e shkuar – numri i femrave CEO ra me 25%.
Aktualisht jeni në krye të një projekti të rëndësishëm, në një kompani shumëkombëshe. Të qenurit grua, në çfarë aspektesh të ndihmon dhe pengon?
Pasioni për mua mbetet motorri kryesor që të çon drejt qëllimit. Është pasioni që më bën të dashurohem me idetë e të luftoj çdo ditë e më shumë, për më shumë…
Dua të theksoj diçka: Unë kam qenë duhanpirëse para se të kaloja në produktet Heat-Not-Burn, alternativë për të cilën PMI bën kërkime shkencore prej më shumë se një dekadë. IQOS menjëherë më rrëmbeu që në eksperiencën e parë dhe rezultoi një zgjidhje për mua, ashtu siç edhe po rezulton një zgjidhje për miliona duhanpirës në të gjithë botën. Tani pas kaq kohësh, kuptoj që edhe eksperienca ime personale ka ndikuar që mos të më shterrojë në asnjë moment motivimi për të punuar mbi këtë projekt.
Philip Morris është kompania lider në botë në prodhimin e produkteve të duhanit. Si e tillë ka sjellë në Shqipëri krahas standardeve dhe një model për tregun e punës, duke përfshirë këtu dhe një frymë të re në vlerësimin dhe motivimin e punonjësve të saj. Ndërkohë që jeni në kontakt të vazhdueshëm me klientë, partnerë, bashkëpunëtorë, ju si e shihni rolin e grave në Shqipëri? A ka meritokraci në hierarki?
Jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë tregjet botërore ku operon, PMI është një kompani e certifikuar dhe vlerësuar botërisht e publikisht për pagesë të barabartë, top employer dhe barazi gjinore. Përgjegjëse për vizionin e transformimit së kompanisë është kultura gjithëpërfshirëse, në të cilën ide dhe talente të ndryshme jo vetëm që respektohen, por edhe inkurajohen madje, që të jenë kritikë e të sinqertë në mendimet e sugjerimet e tyre në shërbim të suksesit, e së ardhmes së kompanisë.
Philip Morris ka investuar në tregjet ku operon, për të fuqizuar gratë dhe vajzat, me dedikimin për t’iu ofruar atyre akses të barabartë në edukim, të ardhura financiare, mjedis miqësor ose duke i mbrojtur nga paragjykimi.
Pavarësisht ndryshimeve që kemi mes njeri-tjetrit për sa i përket gjinisë, moshës, kombësisë, apo qoftë dhe të menduarit ndryshe, të gjithë duhet të kenë mundësi të barabarta për të mësuar, për t’u rritur dhe patur suksesin e merituar në karrierën e tyre. Barazia gjinore është shumë më tepër se vetëm pagesë e barabartë. BARAZIA GJINORE eshtë një e drejtë thelbësore njerëzore.
Cilat kanë qenë sfidat që keni kaluar për të mbërritur këtu sot?
Karriera është zgjedhje. Objektivat personale arrihen me punë, dedikim dhe me dëshirën për të mësuar gjithçka. Kurioziteti ndihmon për të sfiduar veten drejt niveleve pasardhëse. Vitet kalojnë dhe kur bën një punë që të pëlqen, e bën atë me pasion dhe në fakt asnjëherë nuk jam fokusuar ku do të arrij. Ajo që më ka udhëhequr gjithmonë ka qenë dëshira dhe dashuria për punën. Suksesi është i pakuptimtë nëse e arrin në diçka që nuk të pëlqen, ndaj dhe nëse kthej kokën prapa në kohë nuk gjej sfida, por suksese të arrira me pasion dhe dashuri për punën.
Po në të ardhmen e afërt, cilat janë sfidat që parashikoni?
Sfidat e së ardhmes janë në linjë me vizionin e kompanisë.
Suksesi bazohet në vizion të qartë. Cili është vizioni juaj për veten?
Vizioni im, ( qesh)… vizioni im, së pari nis me punën këmbëngulëse për të arritur sukses në projektet që marr përsipër. Të jetosh në një mjedis të rrethuar nga njerëz që janë të vendosur të sjellin ndryshim, vijnë shumë natyrale kërkesat për perfeksion. Ndaj vizioni im është të jem një person më i mirë, një menaxhere më e mirë për njerëzit e skuadrës sime, si dhe të mos rresht asnjëherë së qenuri kurioze e rrjedhimisht, të mos rresht asnjëherë së mësuari.
A ka këshilla për sukses? Nëse po, çfarë do u këshillonit vajzave dhe grave që janë duke e kërkuar atë?
Unë nuk u besoj formulave dhe shprehjeve standarde. Sot jetojmë në një botë ku informacioni është në pëllëmbë të dorës dhe në këtë rast unë mund t’i lejoja vetes t’u jepja një sugjerim më shumë se sa një këshillë, mos rreshtin kurrë së mësuari dhe mos të mendojnë asnjëherë se i kanë mësuar të gjitha. Eksperienca nuk është koha apo vitet e kaluara, por një seri sfidash, të kaluara me sukses ose jo, por të cilat kanë dhe duhet të kenë shenja të çmuara dhe të pashlyeshme, mësimet e nxjerra prej tyre. Aty qëndron në mënyrë të padiskutueshme edhe suksesi.