Ajo merr frymëzimin nga natyra dhe gjithçka e rrethon, për t’i materializuar më pas në detaje rruazash, teminash plot ngjyra që qëndisen në mënyrë artizanale në getat prej rrjete që dominojnë në koleksionet e stilistes së njohur kosovare, për të cilën tashmë po shkruajnë revistat më prestigjioze të botës
Gjithkush që për herë të parë sheh krijimet e saj, bie lehtë në “rrjetat” e stilit dhe artit që ajo nxjerr nga duart! Gati me durimin e një murgu, Lirika Matoshi, befason pas çdo koleksioni të ri me çorape të mrekullueshme, pas të cilave “marrosen” të gjitha femrat që duan pamjen interesante dhe të kuruar. Ajo merr frymëzimin nga natyra dhe bëhet njësh me këtë bukuri, duke i dhënë formë dhe interpretim artistik sipas mënyrës së saj unike. Është bërë mjaftueshëm e famshme! Së fundmi, ka qenë këngëtarja Dua Lipa, që nuk i ka kursyer vlerësimet për punën dhe mjeshtërinë me të cilën ajo bën getat e ndryshme sipas çdo sezoni të ri. Edhe revista Elle, i ka kushtuar në faqet e saj një profil të plotë, me detaje të veçanta të vajzës nga Kosova, por që jeton prej vitesh në New York. “Unë kurrë nuk kam parë diçka të tillë apo të ngjashme. Është çdo gjë kaq magjike dhe t’i hidhesh pa kushte në “rrjetat” e saj duke u rrëmbyer pas bukurive të botës dhe natyrës, si gurët, yjet, lulet, fluturat, etj”, është shprehur një nga blerëset e krijimeve të Matoshit. Në dukje të parë, këto dizajne duken si të thjeshta, por në të vërtetë bëhet fjalë për një art të aplikuar më dorë dhe me më një mjeshtëri të pa shoqe. Sidomos, kur në getat prej rrjete aplikohen detaje të tilla si gurë kristali, motive lulesh, temina, përmes të cilave duket sikur krijohen vepra arti mahnitëse. Dhe pas çdo produkti, vjen një fitore! Sepse blerësit janë të shumtë, dhe koleksionet janë kaq të rralla dhe unike. Të gjitha këto krijime të konsideruara veçmas njëra tjetrës, ose edhe si koleksione të mirëfillta, i ngjajnë atyre “lajmëtareve” të stilit, bukurisë dhe tendencave. Lirika e krijon këtë art, duke u motivuar në gjërat që e frymëzojnë më së shumti në jetë! Bletët janë një prej këtyre syresh! Por, edhe yjet, përmes të cilave duket sikur vishni një galaktikë të tërë e të pafundme. Të veshura me fustane, dhe një palë geta të tilla të krijuara nga stilistja kosovare dhe me shumë gjasë që do i bëni të gjithë të kthejnë kokën nga ju…