Sapo keni pasur ekspozitën solo në Kunsthaus në Zyrih, në galerinë Peter Blum në New York, si dhe në Muzeun e Artit Modern të Stambollit. Shtypi perëndimor të cilëson si artistin më të famshëm të Shqipërisë (Albania’s most famous artist). Si ndiheni për këtë?
Nuk u besoj fort cilësimeve të tilla, e, sado që ju po i thoni jo vetëm shqip por edhe anglisht, kjo nuk i shton ndonjë gja të madhe autoritetit të tyne. Sigurisht që suksesi e fjalët e bukura që e shoqnojnë janë përkëdhelëse e joshëse për egon e gjithseicilit, por nuk duhen marrë shumë seriozisht. Fama jo vetëm që asht shumë relative, por zakonisht me atë shpejtësi që vjen, me atë edhe ikën.
Shumë kuratorë shqiptarë thonë se brenda vendit tonë nuk ka ende koleksionistë për artin bashkëkohor. Çfarë është arti bashkëkohor për ju?
Nuk e di mirë, mbasi nuk kam pasë rast të kem ndonjë kontakt me koleksionistë shqiptarë, por besoj se ky asht një konstatim i drejtë. Mund të ketë tek-tuk ndonjë blerës të shkëputun, por me sa di unë, nuk ka njerëz që e ndjekin me pasion e vëmendje të vazhdueshme artin bashkëkohor. Koleksionizmi kërkon shumë përkushtim, kërkon me qenë i informuem vazhdimisht, kërkon aftësi për ta kapë të renë në momentin e lindjes së saj, si dhe një ekonomi që e mbështet gjithë këtë. Sa për përcaktimin se çfarë asht arti bashkëkohor, do të duhej një seminar për më i dhanë përgjigje e jo dy rreshta. Por e thanë shkurt: mendoj se asht bashkëkohor ai art që prodhohet në kohën tonë, që reflekton zhvillimet gjuhësore mbrenda tij dhe i përgjigjet grishjeve të kohës së vet, jo vetëm duke ju përshtatë, por mbi të gjitha duke i problematizue.
Ku e ka bazën interesi juaj për simbolikën dhe ritet kulturore?
Mendoj që njeriu në marrëdhanien e vet me botën ka pasë dhe ka nevojë për dimensionin e fiksionit. Perceptimi i realitetit dhe nevoja me ju përgjegjë veprimit të këtij realiteti me të gjitha pasojat që ai len në jetën tonë, ka krijue sjelljen rituale. Kjo sjellje në shekuj ka grumbullue një bagazh kulturor të jashtëzakonshëm, të cilin për fat të keq qytetnimi jonë i konsumizmit tenton me e zhba krejtësisht duke pranue si të vetmin kult, kultin e mallit dhe si të vetmin rit atë të konsumit. Unë nuk kërkoj me celebrue ritualet, por përpiqem me riaktivizue marrëdhanien me to.
Çfarë është për ju artisti dhe roli i tij për shoqërinë?
Ja, një tjetër pyetje që meriton një seminar për me ju përgjegjë. Nuk marr përsipër me dhanë përcaktime, por besoj se artisti asht në marrëdhanie me gjuhën e artit ashtu si asht në marrëdhanie me realitetin rreth tij; asht në marrëdhanie me vetveten aq sa asht edhe në marrëdhanie me shoqninë. Nganjëherë duke u marrë me një objekt apo duke tregue një eksperiencë, kuptojmë se padashtë kena zbulue diçka të re në gjuhën e artit e po kështu duke u futë thellë mbrenda vetvetes, mund të zbulojmë tjetrin dhe dimensionin shoqnor. Nuk i besoj shumë veprave që lindin nën sforcimin e përmbushjes së një misioni shoqnor, por mendoj se artisti në fund të fundit mbetet produkt social.
Çfarë të shqetëson tek arti shqiptar?
Mungesa e një skene artistike. Ka individë, ka grupime, por nuk ka skenë.
Një temë tjetër e rëndësishme për ju janë shndërrimet dhe transformimet e shoqërisë. Si e shikoni ju nga larg shoqërinë shqiptare?
Shqipnia ka kalue e vazhdon me përjetue një situatë shumë dinamike përsa i përket zhvillimeve shoqnore. Nën rrënojat e sistemit që lamë pas, kena pasë nga njena anë riaktivizimin e një bote arkaike, që komunizmi e kishte mshehë dhe i kishte marrë frymën, por nuk e kishte eleminue krejtësisht, ene nga ana tjetër daljen në skenë të elementeve të një shoqnie të re që projektohet drejt së ardhmes me një vrull futurist, plot energji, por edhe me arrogancë. Ajo që simbas meje e karakterizon skenën sociale shqiptare, por besoj e ban atë edhe të mundimshme për ata që e banojnë nga afër, asht mungesa e organicitetit.