Alda Bardhyli është një personazh i njohur i botës letrare në vend. Gazetare, përkthyese dhe botuese, ajo ka një kontribut të veçantë në sjelljen në shqip të një sërë autorësh të rëndësishëm të letërsisë perëndimore, duke gjallëruar sadopak atmosferën kulturore të metropolit. Ideatore e projektit “Letërsia dhe Qyteti”, Alda Bardhyli ka sjellë në vëmendjen e publikut të gjerë autorët shqiptarë dhe të huaj, rolin e letërsisë e artit në kultivimin e qytetarisë dhe estetikës. Në një intervistë rreth artit të letërsisë, Elegance ju servir një intervistë mbi planet dhe mendimet e Alda Bardhylit mbi pasionin e saj dhe kontributin në letërsinë shqipe.
Ju keni qenë një fëmijë që nuk flinit pa ju lexuar? A i besoni shprehjes: “Ne jemi ëndrrat e një fëmije dikur”?
Nuk kam qenë fëmija që nuk flija pa lexuar. Kur kthehem pas në kohë, takoj shpesh një vajzë të vogël që i pëlqenin aq shumë kukullat, e të dëgjonte rrëfimet e përrallave nga nëna. Më vonë, komedia e Shekspirit “Ëndrra e një nate vere”, diku mes librave të tjerë që gjendeshin në bibliotekën e thjeshtë të familjes, do të bëhej kërkimi dhe loja ime deri vonë. Përpjekja për të kuptuar këtë vepër kaq të bukur të Shekspirit, mendoj se do të zgjonte dëshirat e para për librin tek unë. Sigurisht, Shekspirin vërtet do ta lexoja shumë më vonë.
Cilat janë projektet që pritet të zbulosh gjatë vitit 2019? Kam dëgjuar se po punon për përkthimin e letrave të dashurisë mes Simone de Beauvoir dhe Nelson Algren. Përse ky libër?
Vetë letërsia duket se ka lindur nga letrat e dashurisë. Historia e dashurisë mes Simone De Beauvoir dhe poetit amerikan Nelson Algren më ka tërhequr qëkur për herë të parë lexova në një revistë diçka rreth lidhjes së tyre. Kur disa vjet më parë u botua libri me letërkëmbimet e tyre “Një dashuri transantantike”, i cili përmbante gjithë letrat e dashurisë të De Beauvoir, kisha shumë dëshirë t’i lexoja. Ishte bukur të zbuloje brishtësinë e një gruaje në dashuri, e cila dominoi me jetën dhe shkrimet e saj gjithë shekullin e XIX dhe pati një rol të rëndësishëm në atë çfarë gjinia jonë është sot. Ishte si të takoje një Simonë tjetër, një Simonë që mbrëmjeve fluturonte mbi oqean për të shkuar në shtratin e një burri, që ndoshta nuk ndjeu të njëjtin pasion si ajo. Një Simonë që ashtu si çdo grua nuk ka frikë të flirtojë me tragjedinë, e në të njëjtën kohë të mos humbasë aftësinë që kanë gratë për të ruajtur raportet njerëzore. Kam nisur ta përkthej, pasi do doja që këto letra të lexoheshin edhe në gjuhën shqipe, pasi kemi nevojë të lundrojmë në të vërteta të tilla, që do të na përmirësojnë.
Çfarë përfaqëson figura e Simone de Beauvoir për gruan e sotme?
Gjithë letërsia e Simone De Beauvoir është gati një pamflet për feminizmin. Në të gjitha veprat e saj ajo ngulmon që gratë nuk duhet të presin t’u jepet sadopak pushtet, por duhet ta fitojnë vetë atë. Ajo shkruan: “grua nuk lind, grua bëhesh”. Pra, grua të nënshtruar, seks të dytë – kategori e dorës së dytë – të bëjnë rrethanat shoqërore dhe jo natyra.
Një njeri që merret me librin është i vetmuar. Gjithnjë njerëzit e librave i lidhin me vetmitarët?
Vetmia është një gjendje ndihmuese përsa i përket krijimit. Duket se letërsia nuk bën dot pa vetminë. Të gjithë ne kemi nevojë herë pas here për vetminë, përmes saj zbulojmë rrugëtime të reja.
Ku e sheh Alda karrierën e saj pas 10 vitesh?
Letërsia do vazhdojë të jetë kërkimi im e jam në pritje të rrugëve të reja ku do më çojë ky kërkim.