Liqeni i Komos shtrihet midis kodrave dhe ofron një panoramë idilike. Dhe mendo që, ndërsa je ulur në një nga kafetë e fshatit me një ekspreso në dorë, mund të ndeshesh me dikë që të duket i njohur. Mos është…George Clooney? Ndonëse që pas xhirimeve të filmit Ocean’s Twelve George Clooney vendosi të blejë një shtëpi aty, Komo ka mirëpritur ndër shekuj disa nga shkrimtarët më të famshëm të botës si Byron, Stendhal, Shelley, Liszt dhe Rossini, por edhe diplomatë dhe fisnikë nga familjet mbretërore Evropiane. Ndaj dhe Liqeni i Komos është bërë një destinacion shumë i preferuar për turistë nga e gjithë bota.
Elegance ofron për ju adresat më të mira në Liqenin Komo për një fundjavë të paharrueshme. Për të gjithë ata që e kërkojnë relaksin, liqeni i Komos ofron shumë lokale, spah, kinema, golf, kazino e kampingje. Dhe më e rëndësishmja është që liqeni i Komos për ne është vetëm një fluturim larg, me Belle Air direkt nga Tirana në Milano-Malpensa. Dhe prej aty mund të merrni furgonin që niset nga aeroporti i Milanos apo dhe makinën deri në Komo. E gjithë rruga është rreth 30 minuta.
Ku të rrini
Elegance ka zgjedhur për ju dy hotelet që ofrojnë pamjet më të bukura të liqenit:
GRAND HOTEL TREMEZZO PALACE/Via Regina, 8 Tremezzo
Ndërtuar në vitin 1910, pallati historik ku është vendosur Grand Hotel feston këtë vit 100-vjetorin e tij dhe është padyshim hoteli më i vjetër luksoz në Liqenin e Komos. Grand Hotel Tremezzo ka 92 dhoma, një spah fringo të re, 2 restorante, dy pishina, një jaht dhe natyrisht një plazh privat.
GRAND HOTEL VILLA D’ESTE/Via Regina, 40 Cernobbio
Villa D’Este është pjesë e Leading Hotels of the World dhe ofron një pamje të mrekullueshme të liqenit. Villa d’Este ka padyshim sharmin e njërit prej hoteleve më të përfolur në botë, sepse prej shekujsh ka qenë vendi i preferuar për aristokracinë evropiane. Sot ajo është një resort shumë elegant me pesë yje.
Ngrënia
Zgjedhja jonë për këtë udhëtim është restaranti Osteria Quatro Pass in Varenna. I vendosur në një qilar antik verërash, kuzhina këtu ofron pjata shumë të freskëta të përgatitura me përkushtim nga Giuseppe.
Jeta e natës
Komo është një qytet ku jeta e natës shijohet në klubet e shumta të natës, si jashtë në verë ashtu edhe brenda. Një i tillë është lokali Tartaruga në Villa Guardia, ku nën tingujt e muzikës live mund të kërceni deri në orët e para të mëngjesit.
Shopping
Komo prodhon 3,200 tonë mëndafsh, që është rreth 1 miliard euro në vit! Dhe me konkurencën në rritje nga Kina, Komo vendosi të fokusohet tek cilësia, ndaj dhe në Bellagio mund të gjeni shami, shalla dhe kollare mëndafshi të një cilësie të paparë. Në fakt, në Komo ka edhe një muze mëndafshi: Museo Didattico della Seta, Via Valleggio 3. Ai është i hapur nga e marta në të premte 9:00-12:00/15:00-18:00. Të shtunën vetëm me takim.