Në “Tribe” e Shef. Julian Zguros

Duke qënë se pasioni juaj më i madh është kuzhina kam dëshirë që edhe pyetjen e parë ta nisim me zanafillën e këtëj pasioni. Si lindi dashuria për kulinarinë?
Dashuria për kulinarinë mendoj se zhvillohet vetvetiu duke dashuruar ushqimin e mire, rrethuar nga familja dhe miqtë. Me dy prindër të specializuar në kuzhinën tipike korçare dhe i rritur në një mjedis familjar shumë dashamirës ndaj kohës së kaluar rreth tavolinës, është e vështirë të mos zhvillosh dashuri për ushqimin. Me kalimin e viteve, dashuria për ushqimin dhe përvoja e grumbulluar të ndihmojnë të zhvillosh ndjesinë e qiellzës dhe syrin kritik. Gjatë adoleshencës mendova që nëse do të ndërthurja dashurinë për ushqimin me dëshirën time për të përmirësuar recetat, apo për të krijuar gjëra të reja e për të kënaqur veten apo të tjerët me gatimet e mia, nuk do të kisha më thjesht një punë, por një profesion që do të më falte kënaqësi dhe do të ma bënte më të lehtë punën për të siguruar jetesën e përditshme. Në ato vite ndodheshim në Greqi dhe vendosa t’i kushtohem seriozisht karrierës së shefit të kuzhinës, duke studiuar në një nga dy shkollat më të mira të kulinarisë në vendin fqinj. Dashuria për kulinarinë erdhi duke u shtuar dhe ma bënte më të lehtë kohën kur si stazhier kuzhine në një nga 10 hotelet më të mira të Greqisë pastroja midhjet me tel enësh. Pas shkolle, shefi i madh i të gjitha kuzhinave të atij kompleksi vendosi të më punësojë, ku fitova një përvojë që do të më vlejë përgjithmonë. Dashuria për kulinarinë më bëri të harroj edhe kohën kur punoja 18 orë në ditë, nga e mërkura deri të dielë në Holandë në një restorant me 2 yje “Michelin”, kuzhina e të cilit funksiononte me kulturë pune thuajse ushtarake. Pra, si të thuash, ndërthurja e këtyre eksperiencave me dashurinë për ushqimin të ushqyer nga prejardhja ime më kanë hyrë shumë në punë tani.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Cila është lumturia më e madhe e një shefi kuzhine në raport me klientin?
Njësoj si prindërit e mi që kënaqeshin kur ne, fëmijët e tyre apo edhe familja e afërt mbledhur në tavolinën e tyre gëzonim rreth lakrorit apo mishrave të përpunuara, edhe unë sot ndiej një kënaqësi të veccantë kur shikoj klientët e mi që kalojnë mirë në tavolinat e mia. Ndihem shumë i lumtur kur shikoj se me sa kureshtje vështrojnë nga kuzhina e hapur, kur vijnë ta shikojnë kuzhinën e të zgjedhin vetë çfarë dëshirojnë që t’u servirin, apo edhe kur më flasin dhe shkëmbejmë mendime e falenderime. Më bën të ndihem mirë edhe kur ata kthehen përsëri me njerëz të rinj, sepse kjo tregon që koncepti im pëlqehet, gjë që më jep energji për të punuar edhe më fort me të gjithë skuadrën e përkushtuar që kam me vete tek “Tribe”.

Përpos lodhjes dhe presionit për të ofruar diçka që e impresionon pozitivisht klientin, a ka të tjera vështirësi të qënurit një shef kuzhine?
Nga kultura ushtarake me të cilën jam mësuar në Greqi apo Holandë, dua apo jo, më kanë mbetur disa parime të cilat i zbatoj me shumë rigorozitet edhe në punën time të përditshme në krye të një stafi të madh. Lënda e parë, përpunimi, gatimi, apo servirja janë thelbësore, por jo i vetmi aspekt i ekzistencës së një restoranti. Financat, menaxhimi i furnitorëve, marrëdhëniet me klientin apo edhe kjo intervistë me ju kërkojnë vëmendje, kohë dhe energji. Unë e konsideroj të ushqyerit jo thjesht si nevojë jetike, por edhe si kulturë personale dhe faktor kryesor lidhur me mirëqenien fizike e psikologjike të njeriut. Do të ishte shumë e lehtë për mua të ofroja një sërë pjatash bazike që pëlqehen menjëherë nga shumica e popullsisë, por kam zgjedhur të bëj gjënë më të vështirë: të përpiqem për të edukuar dhe për të pasuruar kulturën ushqimore te klientët e mi, sepse mendoj që i bëj një shërbim shumë më të madh, se sa thjesht t’i gatuaj për një drekë apo darkë.

Si lindi ideja dhe realizimi i nje prej restorantëve më unikë në Tiranë?
U bënë disa vite, që po punoj midis Tiranës, Jalës dhe Korçës dhe mendoj se kryeqytetit i mungonte një koncept si “Tribe”. Restorante të mira mishi mund të gjesh relativisht lehtë nëpër Shqipëri, pasi lënda e parë e mirë gjendet, edhe pse duhet të kesh të njohur, por një restorant i përqendruar tek një përvojë luksi e mishit si “Tribe” nuk kishte. Gjatë udhëtimeve të mia jashtë vendit, të cilat më shërbejnë edhe si një lloj formimi i vazhdueshëm profesional, unë sodis gjithmonë me ëndje klientelën që e njeh ushqimin dhe di çfarë të kërkojë. Duke llogaritur edhe dëshirën time për të edukuar sa më shumë njerëz për kulturën e të ngrënit, kishte kohë që e kisha në mendjen konceptin e “Tribe” dhe deri vjet kur filluam punën për ta sjellë në jetë këtë vend, i kisha pak a shumë në mendje të gjitha detajet kryesore, deri edhe logon tonë.

Për ju personalisht, cili është tipari që e ka bërë “Tribe” kaq të preferuar për të gjithë?
Shpresoj që të gjithë ata që na kanë vizituar deri tani të kenë venë re përpjekjet tona për të kuruar çdo detaj të këtij koncepti. Arredimi i brendshëm, përfshirë edhe zgjedhja për të punësuar artistë për punën në tavane, menaxhimi i eksperiencës së klientit apo edhe muzika e përzgjedhur veçanërisht për këtë stil, janë ato elemente që e plotësojnë fare mirë atë. Ne ofrojmë nga zgara apo furra me dru, pasi kemi përzgjedhur me jashtëzakonisht shumë kujdes lëndën e parë më të mirë që ofron sot për sot Shqipëria, apo edhe Japonia.

Nëse do ju kërkohej të gatuanit një pjatë me dëshirën më të madhe, cila është ajo?
Kam përshtypjen se po të pyesësh cilindo shef me eksperiencë në kuzhinë do të të thotë që recetat e thjeshta janë edhe ato më të vështirat në ekzekutim. Nuk mund të zgjedh një pjatë konkrete të cilën unë mendoj që e realizoj më mirë se çdo gjë tjetër, sepse me kalimin e viteve gjërat të vijnë shumë natyrshëm, ama di të them se duke u kujdesur në maksimum për lëndën e parë sa më cilësore, teknikat e gatimit të zbatuara në përpikmëri dhe paraqitja tërheqëse e rezultatit përfundimtar, çdo pjatë e dërguar në tavolinën e klientit të mbush me dëshirë dhe frymëzim për pjatën e rradhës. Kjo e bën të vështirë të përcaktoj një apo disa pjata, pasi secila prej tyre më jep kënaqësi. Edhe në ato raste kur na ndodh ndonjë incident në kuzhinë apo në menaxhim, thjesht të shtohet dëshira për të përmirësuar procesin dhe për të mos përsëritur të njëjtin gabim.

Cila është një risi që keni sjellë në “Tribe” dhe konsiston të jetë pika juaj më e fortë?
Filozofia jonë e ushqimit nuk do të përcillej saktë nëse do të përshkruaja thjesht një recetë apo pjatë, sepse shija apo kujtimi që të mbetet nga ardhja në tavolinën tonë, nuk arrihet ashtu siç dëshirojmë ne vetëm me një recetë. Mendoj se “Tribe” ofron një ndërthurje shumë të mirë midis teknikave tradicionale të gatimit dhe lëndës së parë më të mirë që ekziston aktualisht në tregun shqiptar dhe atë ndërkombëtar. Mënyrat moderne të regjies së mishit po ia zbatojmë me sukses edhe mishit shqiptar dhe rezultatet deri tani kanë qenë të shkëlqyera. Zgara e ardhur që nga Teksasi në ShBA nuk rresht së punuari për të servirur mishrat, perimet organike dhe prodhimet e territorit tonë me thjeshtësi dhe dashuri. Me rëndësi është edhe fakti, që temperatura, lagështia, qarkullimi i ajrit dhe nivelet bakteriale në pajisjen e ndërtuar enkas për regjjes së mishit (dry-aged) përputhen me standardet ndërkombëtare të ruajtjes së mishit. Në këtë mënyrë, duke krijuar kushtet për një lëndë të parë në nivele cilësie shumë të larta dhe duke e ndërthurur këtë element me një atmosferë urbane luksoze, ne dëshirojmë që koncepti ynë të bashkojë sa më shumë njerëz rreth “Tribe” për vite me radhë.