Mes qindra bareve të kryeqytetit tonë të zhurmshëm që nuk fle kurrë, mund të themi se numërohen me gishta hapësirat që ofrojnë interior interesant, muzikë të mirë, frymë pozitive, përmbajnë koncept dhe servirin pjata dhe koktejle që të lënë mbresa.
I ndodhur në mes të Tiranës, ky bar ka një interior sa të thjeshtë, aq atraktiv, i cili pa shumë mundim e bujë të relakson duke të shoqëruar me tingujt e muzikë dhe pije të përgatitura me shumë dashuri.
“N’mes” përbëhet nga qilimë shumëngjyrësh, të cilët të dërgojnë larg, në nostalgjinë e traditës; ka elemente druri, ndriçim të ngrohtë dhe të fton në një eksperiencë ndryshe.
Më shumë se një ambient i jashtëm e i brendshëm, bari unik sjell një frymë dhe “vibe” të ri.
Në çdo cep ndihet komoditeti dhe një energji e pashtershme, e butë dhe shumë familjare, të cilën është e pamundur të mos e shijosh.
Mes hapësirave historike, “N’mes” rreket të ruajë rrënjët e godinave që mbartin shpirtin tonë, si dhe të përmbushë të gjitha kërkesat e një klientele plot shije, e cila dëshiron vërtet të argëtohet dhe jo të jetojë për të treguar se sa shije ka.
Elegance ka shkëputur pak nga koha e drejtuesit të “N’Mes”, Brikeni Fejzullai, i cili na rrëfen zanafillën e idesë së hapësirës më të re në kryqeytet, filozofinë, si dhe reflektime të përgjithshme mbi tematikat e identitetit dhe historisë shqiptare, të cilat me vetëdije të plotë po humbasin në pluhurin që lënë pas fadromat.
Si fillim, të falenderoj shumë që na prite në “N’mes”, është një ambient fantastik. “N’mes” ka ardhur si një gjetje gjatë periudhës së karantinës, por si erdhi si ide?
Në fakt, përpara se të fillonte karantina kisha një tjetër projekt, i cili u ndërpre. Më pas, me rinisjen e gjithçkaje, më kontaktuan dhe më bënë propozimin për t’u kujdesur për hapësirën e “N’mes”. Sa e pashë, le të themi që patëm një “click”, më pëlqeu shumë, pasi edhe punën time e kam pasion dhe e dua shumë.
Sa vite ke në këtë profesion?
Kam 26 vite. E kam nisur që 14 vjeç dhe nuk i jam ndarë më. Madje, e kam filluar si ndihmës kamarier, kamarier, në bar, kam luajtur muzikë, madje edhe në kuzinë, pra, i kam kaluar të gjitha proceset dhe ia di të gjitha anët dhe cepat.
Kjo është edhe arsyeja pse e bëj mirë, sepse edhe profesionalist e njoh në çdo aspekt, por mbi të gjitha është pasioni im dhe e dua tej mase këtë punë. Ky është sekreti për këtë punë.
19 vjeç kam ikur në Itali dhe kur u ktheva pas 10 vitesh nga Milano, puna e parë që kam bërë në lidhje me këtë profesion, ka qenë tek “Mai Tai”. Më pas kemi vijuar me “Check Point Charlie”, “Pepper”, “Fusion”, “You, me and Bukowski”, pra çdo punë ka qenë vazhdimësi, gjithmonë duke u përmirësuar.
Duhet shumë mund, sakrificë, pasion e dëshirë që të kesh sukses në një treg kaq të egër e të dendur, ku kemi 652 bare për 100 mijë banor, një numër i konsiderueshëm, jo vetëm në rajon, por edhe në botë. Kalojmë edhe Barcelonën, e cila ka rreth 618 bare.
Në kaq shumë hapësira që operojnë në Tiranë, ku diversiteti është fjala kyçe, çfarë sjell “N’mes” si risi që nuk e gjejmë diku tjetër?
Mbi të gjitha duhet të krijosh energji, frymë, koncept. Produktet që ne kemi e shesim, i shet kushdo, çdo bar. Ajo që ti bën është fakti që i jep shpirt vendit që ke dhe klienti e ndien këtë “lëvizje”, duke ndarë të njëjtat interesa me ambientin, të njëjtën shije muzikore dhe dëshirë për t’u argëtuar.
Emri ta dikton menjëherë vendndodhjen e hapësirës, por a synon “N’mes” krijimin e një komuniteti që ndan të njëjtat shije dhe interesa?
Më shumë se krijimin e një komuniteti, synojmë krijimin e një fryme të caktuar, e cila i përshtatet lokalit. Jo çdokush do ta gjejë veten te “N’mes”, sigurisht, duke marrë parasysh mënyra të ndryshme jetese, shijet e diversitetin. Rrjedhimisht, duke krijuar një lloj të caktuar rryme muzikore, shërbimi, ushqimi dhe menu koktejlesh, krijon një “target group” i cili zgjedh të të veçojë nga hapësirat e tjera.
Ka një lloj kategorie e cila përshtatet me “N’mes”?
Patjetër që ka një target group. Klientela ime përbëhet nga njerëz që kanë të ardhura mesatare, janë buxhetorë, por kanë shije, ndihet “vibe” i tyre dhe nuk i bëjnë gjërat si të thuash për show, kështu që unë duhet t’u krijoj kushtet që ata të ndihen sa më komodë, të shijojnë pijen e ushqimin, por edhe ambientin përreth.
Diçka që ne shqiptarëve na “step” gjithmonë është ideja që kemi krijuar se një bar i ri, i pozicionuar në një zonë të lakmuar, ka gjithmonë çmime të shtrenjta, ose mbi mesataren. E përmbush “N’mes” këtë përshtypje?
S’ka shanse! Fakti është se në këto 26 vite që unë bëj pjesë në këtë profesion, çmimet janë gjithmonë në rritje, duke prekur edhe 70-80% më shumë, kuptohet flasim për 10 vite, pra 1 dekadë. Plus, rritja ekonomike në rang botëror është një arsye, por çmimet unë i kam të njëjtat me ato 10 vite më parë, flas në këtë raport, duke ulur marshin e fitimit, por duke kënaqur klientelën.
Muzika është ajo që e definon energjinë e një ambienti. Çfarë presim të gjejmë kur zgjedhim “N’mes”?
Mendoj që muzika është e gjitha e bukur, ka njerëz që bastardojnë muzikën, por asnjëherë muzikë të pabukur. “N’mes” nuk ka një lloj zhanri, pasi mund të dëgjosh jazz, unplugged, house, soul, funky, etj, pra, muzikë e mirë në 360 gradë.
Për mua, muzika është edukim, kulturë, emancipim, është një nga gjërat ku kam insistuar më fort. Madje, kjo ka qenë edhe një prej arsyeve pse kam hequr dorë nga të qenit Kryebashkiaku i Natës, pikërisht ngaqë mendoj se Tirana meriton evente cilësore, me muzikë të mirë.
Duke qenë se metropolet kanë të njëjtat parime përsa i përket eventeve dhe të ofrojnë hapësira të ndryshme nëpër të cilat përfshihesh dhe argëtohesh. Sipas gjykimit tënd, Tirana servir të njëjtën filozofi, është një mozaik subkulturash?
Sot, është shumë e vështirë që Tirana të ta ofrojë diçka të tillë. Ka shumë pak vende të vogla (ose jo domosdoshmërisht), të lezetshme si: “Tulla” e “Hemingway”, të cilat kanë vërtet shpirt dhe ti gjen art, kulturë, domethënë, këto vende e transmetojnë shpirtin e tyre te të tjerët.
Nëse këto vende që përbëjnë diku te 5-10% është ajo pakica që mbahet fort dhe unë mendoj se është “10% i shpresës”.
Mendon se ky emigrimi masiv i shtresës së mesme dhe të elitës që kemi hasur gjatë viteve të fundit ka ndikuar shumë?
Jashtë mase! Mendoj se emigrimi i shtresës së mesme është edhe më problematik, duke qenë se elita dhe “truri” emigrojnë gjithmonë, në të gjithë botën, duke qenë se kanë më shumë mundësi.
Ajo që është e dhimbshme te ne, është fakti se po na ikën shtresa e mesme, e cila supozohet të jetojë mirë në raport me gjithçka përreth dhe në momentin kur ti dëshmon emigrimin e kësaj shtrese dhe ti mbetesh me vetëm dy nivele, krijohet një hendek shumë i madh kulturor, muzikor, vizual, etj.
Vendet që pësojnë të tilla goditje sociale apo politike përfundojnë me hapësira të cilat quhen “vende pa vend”. Sipas këndvështrimit tim, “N’mes” nuk radhitet te kjo listë, pasi është një hapësirë që rrethohet nga godina të rëndësishme historike, shembull ish Pallati Mbretëror, përbri Kalaja e Tiranës, e në anën tjetër, një godinë që për fat të keq nuk është më, Teatri Kombëtar, por është ende shumë i freskët në memorien tonë. Sa ndikon kjo në të bërit biznes në një mjedis të tillë? E ke menduar që ta sjellësh këtë lloj rafinimi, edhe pse mund të përballesh me shfryrjen e klientëve pas një dite apo jave të gjatë e stresuese?
Si në çdo biznes, vendndodhja është një pjesë shumë e rëndësishme, por nuk është pjesa kryesore, sepse gjatë eksperiencës sime kam mësuar se edhe një lokacion në dukje “i keq”, apo i largët, mund të krijojë energjinë dhe linjën e duhur. Sigurisht, zona ndihmon shumë, andaj zona ku ndodhet “N’mes”, për shijet e mia, është më e mira dhe më e bukura në Tiranë.
Përsa i përket traditës, gjëja e parë që kanë bërë armiqtë tanë historikë, ka qenë shkatërrimi i identitetit. Kosovarëve i kanë shembur kullat, po e marr si shembull. Nëse ti ndërton një pallat inoks, humb identitetin dhe nuk ka asnjë element urbanistik. Ne pamë si u shkatërrua Blloku, pra nuk ishim të aftë të mbanim një lagje të vetme, pasi ishte e vetmja hapësirë e cila nuk duhej prekur, ishte revanshi ynë kundrejt atij sistemi aq të dhunshëm dhe gjakatar si diktatura.
Ata nuk na lanë as t’i afroheshim Bllokut, ndërsa sot, ne bëjmë qejf pikërisht aty. Ishte si një shpullë morale, një feniks, lindje nga hiri, por mesa duket nuk e mbajmë dot këtë kryengritje dhe gjithë jetën duhet të jetojmë me kokën ulur. Realisht ndihem keq, pasi ishte bukur edhe kur ia tregoje njerëzve, pasi çdo turist vjen për të parë kulturën e një vendi.
Asnjë shtet në botë nuk e shkatërron kulturën e tij, ne e shembim me duart tona atë që e tregonim me krenari, pra faktin se dikur këtu jetonte diktatori, ndërsa sot ne argëtohemi dhe shijojmë jetën e natës, por edhe këtë krenari na e prishën.
Nëse vërtet do e donin qytetin e tyre, kullat fare mirë mund t’i zhvendosnin te “Bulevardi i Ri”, pasi edhe banorët nuk i shqetësonin, kostoja e godinave mbetet e njëjtë, si dhe i shfrytëzon më së miri, ditën për zyra dhe punë, natën për night life. Kështu, shton një vendndodhje të re në qytet, e zgjeron atë dhe e kthen në atraksion.
Në momentin kur zgjedh interesat personale dhe do vetëm të zhvatësh, ndryshon puna.
Dua të ndalem pak tek interior dhe eksterior i “N’mes”. Ajo që vërej është se nuk është abuzuar me materiale që cënojnë identitetin e zonës dhe historisë, pse kjo zgjedhje?
Jemi munduar ta prekim sa më pak këtë pjesë, përpos elementeve që duan patjetër ndërhyrje si: ndriçimi, kënde të veçanta, etj. Është ribërë çdo restaurim sipas projektit fillestar, duke nisur që nga tjegullat, ulluqet e deri tek ambienti i jashtëm dhe i brendshëm.
Sa vjeçare është godina?
Muri i pasmë është i 1840-ës, pra ka histori, madje ka shumë histori, duke marrë parasysh se Tirana është 100-vjeçare. Mendoj se muri dhe çdo element tjetër që mbart histori, është shpirti i barit, ndaj e kam shfrytëzuar si pjesë identifikuese të tij.
Si është menduar interiori dhe eksteriori, në kuptimin e stilit?
Përsa i përket eksteriorit, është menduar në një stil shumë veror, ka pak “ngacmim” oriental, por edhe qilime si bazë shqiptare, gjithmonë duke mos e humbur fokusin e prejardhjes dhe identitetit, pasi nëse humb nga vij, nuk do di ku të shkoj.
Është shumë e thjeshtë ta humbësh rrugën, i referohem edhe këtyre tendencave të reja, huazimit të fjalëve të huaja, harrimit të gjuhës dhe mospërcjelljen e saj te brezat pasardhës.
“N’mes” është vetëm një bar, apo edhe një miks mes barit dhe kuzhinës?
Në pjesën më të madhe, funksionon si bar, por ka edhe një kuzhinë shumë të mirë, e cila nuk ka një menu fikse, e thjeshtë dhe jo tipike. Është casual dhe shoqëruese e pijeve, jo e anasjellta.
E sheh si një eksperiencë afatgjatë?
E shoh si një eksperiencë shumë të bukur, pasi nuk më pëlqejnë afatet. Në një vend të çuditshëm si Shqipëria, ku nesër të prishet kontrata sepse do bëhet pallat, nuk mund të planifikosh diçka afatgjatë.