Një shtëpi ideale në bregdet, është ambienti ku gjithkush do donte të “arratisej” jo vetëm gjatë pikut të sezonit veror, por edhe në fundjava. Ja vila e Mirjam Hutës, përfaqësueses së firmës italiane “Kartell” në Shqipëri. Iu garantojmë që do të merrni dozat e duhura të ideve dhe sugjerimeve të vlefshme për ju që po mendoni si të arredoni vilën tuaj në plazh
Pa asnjë mëdyshje, që shtëpia është vendi ku shumëkush dëshiron të ‘prehet’ në rehatinë që çdo kënd i saj ofron. Idetë janë shpesh më të vyera sesa mundësitë financiare, për të krijuar një ambient prej të cilit nuk të bëhet të ikësh. Kësisoj vilat në plazh në komplekse turistike kaherë kanë qenë zgjedhje e familjeve ose biznesmenëve që duan një hapësirë të dedikuar ndaj qetësisë dhe relaksit, ndaj dhe investimi në to vjen krahas gjetjeve të spikatura në interier dhe eksterier. Në shtëpinë e Mirjam Hutës, nuancat e ndezura në objekte, aksesorë dhe detaje të interierit spikasin në tërësi. Elementë të tjerë të përdorur nga ajo gjerësisht janë druri në tonalitete të çelëta, apo edhe dyer dhe fasada në xham. Vazo me ngjyra të forta, divane dhe poltrone plastike, ndriçues e tavolina super moderne, zbuloni bashkë me ne detaje të vilës së saj në bregdet…
Pikësëpari, tashmë një shtëpi në bregdet është kthyer si një trend për të gjithë familjet. Ju pse zgjodhët të kishit një ndërtesë të tillë pikërisht në Durrës?
Të kesh një shtëpi në bregdet është bërë e domosdoshme për të gjithë ne që jetojmë në qytet , për t’ju larguar nxehtësisë, zhurmës, pluhurit dhe stresit urban. Durrësi natyrisht është më afër dhe me rrugët e reja të ndërtuara është bërë si një zgjatim i Tiranës.
Tipologjia e stilit dhe arkitekturës që mbizotëron në shtëpinë tuaj cila është?
Shtëpia ndodhet në një kompleks vilash të ndërtuara prej disa vitesh dhe në rikonstruksionin që kemi bërë së fundmi kemi ruajtur stilin që ka kompleksi duke mbajtur një lartësi të ulët nën kurorën e pishave. Shtëpia shtrihet në dy kate dhe është projektuar e tillë që t’i përshtatet ambientit bregdetar dhe të shpreh personalitetin dhe veçantinë e saj. Jemi munduar që të respektojmë volumet e hapësirat dhe për këtë arsye kemi zmadhuar dritaret dhe kemi bërë dhe derën e hyrjes me xham. Elementi i dytë gjerësisht i përdorur, druri , është me tone të çelëta duke filluar nga e bardha e dyerve dhe shkallëve deri tek tonet natyrale të dyshemesë dhe të trarëve tavanore. Në përgjithësi arkitektura është minimaliste dhe thellësisht funksionale me detaje të pastra.
Ka një karakteristikë të përbashkët të ndërtesave të pushimit në bregdet…ngjyra të ndezura, pishina, detaje solare që e shtojnë edhe më shumë atmosferën e pushimeve. Ju vet çfarë keni preferuar në këtë kategori?
Ne zgjodhëm të kishim një shtëpi me linjë moderne dhe elegante, të thjeshtë në paraqitje, pa ngjyra të ndezura nga jashtë duke menduar që dritën dhe ngjyrën t’ja japim ne që jetojmë brenda saj.
Në interier çfarë detajesh dominojnë?
Në katin përdhe dominuese është transparenca që është arritur nëpërmjet dy materialeve në dukje të kundërt me njëri-tjetrin, plastika dhe xhami. Kam zgjedhur të përdor gjerësisht të gjitha tonalitetet e të bardhës dhe grisë për të përqendruar vëmendjen në ngjyrat e aksesorëve dhe drurit natyral. Ndërsa, në katin e sipërm duke qenë ambiente gjumi janë përdorur tone më të ngrohta në mobilim të shoqëruara dhe nga shumë piktura.