Lulet mund të flasin, të urojnë dhe të transmetojnë mesazhe dhe dashurinë tuaj dhe këtë e mundëson më së miri Olsjana Ajdini, vajza e përkushtuar, e cila përjetëson magjinë e luleve në korniza shumë të veçanta. “Thuaje me Lule” është biznesi i saj, njëkohësisht edhe kompania e vetme në Shqipëri, e cila merret me përpunimin e luleve natyrale, duke i tharë dhe kompozuar dhurata speciale dhe unike.
Në rreshtat e mëposhtëm do të lexoni si lindi dhe si u zhvillua “Thuaje me Lule”, nga një faqe në Instagram në një biznes real.
“Thuaje me Lule” lindi më 31 maj të vitit 2019, në shtëpinë e Olsjanës, krijueses së një ideje shumë origjinale. Si gjithçka e bukur që lind pas një ngjarjeje të thjeshtë, edhe “Thuaje me Lule” lindi si pasojë e keqardhjes për lulet e thara që Olsjana ndjeu pas një buqete të dhuruar, e cila nuk e ruante më vitalitetin dhe ngjyrat e saj. Pikërisht në këtë ditë, tharja e luleve dhe punimi i tyre i cili do të përdorej për dekor, u kthye në një profesion për vajzën e talentuar.
Në botën digjitale ku jetojmë, Instagrami është mënyra më e mirë për të promovuar punën, ndaj Olsjana, së bashku me bashkëshortin menduan emrin “Thuaje me Lule” dhe kjo nismë e re dhe tejet kreative u pëlqye nga të gjithë.
Sigurisht, kjo u pasua edhe nga lodhja dhe netët pa gjumë. Ditën, Olsjana ishte një nënë e përkushtuar e dy femijëve të vegjël dhe gjatë orëve të para të mëngjesit finalizonte porositë e klienteve.
Porositë dhe reagimet pozitive sa vinin dhe shtoheshin, duke krijuar një marrëdhënie shumë të bukur mes klienteve dhe vajzës së luleve. “Është shumë e bukur”, “Diçka super e veçantë”, “E pëlqeu kaq shumë” ishin fjalitë që përshkruanin krijimet e vajzës që shpreh ndjesitë me lule. Zakonisht, porositë kryhen për klientët të cilët dëshirojnë të dhurojnë diçka unike, pse jo të personalizuar. Ditëlindjet, përvjetorët, ardhja në jetë e një bebushi, apo edhe kurorëzimi i dashurisë u bënë edhe më të bukura me punimet e “Thuaje Me Lule”.
Një prej dhuratave më të veçanta që ajo kujton, është punimi për një parukiere në New York, ku në kornizë, me anë të luleve Olsjana ka krijuar imazhin e një tharëseje flokësh, krehëri dhe pasqyre. Kjo ishte edhe porosia e parë e cila i kaloi kufijtë e Shqipërisë, duke u pasuar nga të tjera.
Rrjedhoja e këtyre reagimeve pozitive rriti biznesin e “Thuaje me Lule” dhe shtoi dëshirën e Olsjanës për t’u perfeksionuar, duke ndjekur një kurs online për punimet e luleve natyrale, në mënyrë që ato të shkonin te klientët të punuara në mënyrë sa më profesionale. Sigurisht, kjo kishte edhe koston e saj, pajisje dhe vegla profesionale, gjetja e furnitorëve të duhur dhe investim jo vetëm të kohës, por edhe të vlerës monetare.
Një tjetër problem ishte dhe gjetja dhe punësimi i njerëzve të aftë dhe të dedikuar. Gjithashtu, kornizat cilësore që përdoren për të dërguar mesazhin me anë të luleve, gjenden jashtë vendit, ndaj Olsjana udhëton shpesh për të siguruar cilësinë maksimale.
Të gjitha këto ndodhën ndërkohë që Olsjana kreative vajza e talentuar rrit dy fëmijët e saj; vajzën e cila sot është 8 muajshe dhe djalin 3-vjeçar. Në çdo udhëtim, nëna e re kishte me vete mikeshën e saj të shtrenjtë, bebushen e saj, e cila mesa duket i pëlqen udhëtimet.
Por, kur pasioni është kaq i madh, gjithçka përballohet, ndaj vajza e luleve jeton në një ëndërr të bukur, ku puna e saj admirohet dhe vlerësohet.
Për të realizuar punimet unike, Olsjana bashkëpunon me arkitektë, artistë, apo edhe me vetë klientët të cilët e dinë shumë mirë se çfarë duan të realizojnë. Punime të ndryshme të Olsjanës mund t’i gjeni në ambiente të ndryshme të Kalasë së Tiranës, ku mund të shihni pasqyrën delikate, e cila është pushtuar nga magjia e luleve, apo instalacionet e tjera tejet speciale. Të gjitha janë në shitje, në njësinë showroom, ku vajza e luleve pret me shumë dëshirë bashkëpunime.
Ideja dhe trendi më i fundit, i cili duket se ka marrë vëmendje maksimale dhe ka korrur shumë sukses, janë bizneset, të cilët zgjedhin të jenë edhe më të veçantë dhe drejtohen te Olsjana për të realizuar logo të punuara me lule natyrale të thara.
E ndërsa e tashmja përgatit të ardhmen, planet e Olsjanës janë të shumta, të bukura dhe ambicioze. Pëpors porosive për klientë, vajza e talentuar krijon edhe logo për biznese, dekorime për interiorin e zyrave, recepsioneve, salla mbledhjesh, e shumë të tjera.
Përpos ftesës për të parë punimet e saj të mrekullueshme në Instagram, në llogarinë Thuaje me Lule, Olsjana falenderon klientët që i kanë besuar krijimeve të saj dhe të gjithë admiruesit që e vlerësojnë veçantinë e Thuaje me Lule. Ah…se harruam. Thuaje Me Lule premton disa risi me lule te thara te cilat do te vijne shume shpejt prandaj ju sugjerojme ta ndiqni.