Pasioni për biznes i Ariola Isufaj

Zgjodhi të ketë një profil profesional që shkon paralelisht me konceptin e saj për mënyrën e të jetuarit, për të bukurën dhe shëndetin, si elementë bazikë që ndërtojnë përditshmërinë e stilit dhe angazhimeve personale. Sakaq, gjeneza dhe rrënjët e saj familjare të fokusuara në biznes, duket se kanë qenë pasqyra ku ajo ka parë vetveten kohë pas kohe. Arjola Isufaj, administratorja e Fresh Line, është shembulli perfekt i një femre të realizuar në karrierë, që pasionin e zhvilloi gradualisht duke futur idetë, motivimin dhe qasjet rreth të  bërit biznes në Shqipëri. “Gjithmonë kam qenë në kërkim të diçkaje ndryshe, por rrugëtimi im më takoi me Fresh Line, e cila është një kompani që ushqen dhe ruan traditën, natyrën, kafshët dhe shëndetin e njeriut, siç e them përherë është mënyrë të jetuari. Kur ti zgjedh produkte organike, ti zgjedh të mos ndotësh ambientin ku jeton, ti zgjedh të ruash kafshët, sepse asnjë përbërës nuk ka origjinë shtazore ose që të testohet në kafshë, ti zgjedh të ruash shëndetin tënd sepse lëkura është organi më i madh dhe çdo produkt që përdorim depërton në lëkurë, pastaj në gjak, etj. Sigurisht që mbas gjithë kësaj sipërmarrje ku unë u bëra pjesë ka një pasion dhe vullnet shumë të madh për të ruajtur vlerat dhe standardet. Por, përkushtimi dhe pasioni luajnë rolin kryesor në jetën dhe punën time”, thekson ajo. Sipas saj, i gjithë cikli i ditës dhe javëve që pasojnë njëra tjetrën, merr tjetër kuptim kur puna, apo të themi angazhimi profesional ka një motiv që nis qysh me zgjimin në mëngjes, për të vijuar më pas me përkushtimin për orë të tëra në krye të punës në Fresh Line. Pjesa administrative e kompanisë si edhe ajo e marrëdhënies direkte me klientët, është një nga ato linjat e realizimit personal të Arjolës, e cila qëndron në krye të çdo zhvillimi të rastit, apo objektivave të reja. Edhe pse roli si drejtuese, jo gjithëherët është i lehtë, sërish pasioni për një biznes të suksesshëm ja bën më të lehtë çdo situatë. “Roli drejtues nuk është dhe aq i lehtë, sepse ti do që çdo gjë ta kesh nën kontroll, por është e pamundur t’i bësh të gjitha vet. Unë  jam gjithnjë prezente me bashkëpunëtorët e mi, të cilët i quaj familja ime e madhe Fresh Line dhe siç ndodh në një familje kam vendosur ca rregulla dhe kam ndarë detyrat. Jeta na sfidon përditë, por mendoj se të qenit besnik ndaj asaj qe përfaqësojmë dhe respektimi i normave në punë dhe shoqëri i bën më lehta pengesat”, vijon Arjola.