Pasioni për biznes

Në realitetin e “ethshëm” të zhvillimeve ekonomike dhe ato në sferën e biznesit në vend, bashkë me objektivat e reja dhe sfidat e radhës, janë tri personazhe në pozita liderësh, të cilët fokusin e përditshmërisë së tyre e kanë jo vetëm angazhim profesional, por edhe shumë pasion. Sepse vetëm falë kësaj “esence” ato mund të drejtojnë biznese të suksesshme, dhe të ndihen të përfshira maksimalisht në profile që  i zotërojnë më së miri. Arjola Isufaj, Ledia Telhai dhe Ornela Liperi shprehen për Elegance…

Ledia Telhai, Ceo i Fashion Group Albania
Prezantimi me botën e biznesit, kanë fillesat e një rrugëtimi të suksesshëm, që ka dëshmuar se ngjitja e shkallëve të karrierës një nga një, është konfirmimi i një terreni që rritet gradualisht, ngadalë, por i sigurt! Ledia Telhai është shembulli perfekt i femrës që biznesin e ka pasion, e që në pozita drejtuese ka ditur gjithëherët se si të koordinojë sfidat e tregut, me objektivat profesionale dhe pritshmëritë personale. Që në periudhën e studimeve ajo vendosi se me përfundimin e shkollës të përfshihej në botën e biznesit. Por, kjo nuk ishte krejt e rastësishme. “Fillimet e karrierës kanë qenë eksperienca më e bukur e punës për mua. Aty mësova që kur bën atë që do edhe që të pëlqen, kur je pjesë e një skuadre bashkëpunuese, lodhja, stresi, pakënaqësitë, sfidat e punës zbehen totalisht. Mësova gjithashtu se çfarë i duhet një kompanie që të jetë e suksesshme dhe cili është modeli i një lideri të suksesshëm. Kjo përcaktoi në një farë mënyre edhe karrierën time të mëvonshme. Po brenda Balfin Group, u promovova nga Euromax në Neptun, e pastaj në Fashion Group Albania ku jam sot. E kam me shumë pasion fillimin edhe mund të flas pafund për këtë pjesë”, pohon Telhai. Me fjalë të tjera, bazat profesionale kanë qenë thuajse themele të forta, që mbajtën në këmbë një karrierë të ngritur pikërisht nga pasioni për biznesin. Fashion Group Albania,është kompania përfaqësuese e disa markave ndërkombëtare ndër më të njohura të veshjeve si Mango, Terranova, Okaidi, Geox, Springfield, Parfois, Carpisa, Prenatal, Golden Point. Aktualisht janë 18 dyqane kryesisht në TEG, QTU, por edhe në qendër të Tiranës. Kanë 10 vjet që operojnë në tregun shqiptar dhe numërojnë afro 130 punonjës. Mbulojmë një target grup të gjerë klientësh. Por, për të qenë në pozita suksesi, liderët operojnë me strategji dhe objektiva të reja. “Ne sapo kemi mbyllur një vit shumë te suksesshëm duke thyer rekordet dhe rezultatet e 10 viteve të fundit. Për 2016-ën, objektivi kryesor është që të përmirësojmë më tepër rezultatin final, të rrisim pjesën e tregut për markat aktuale duke dhënë një shërbim më të mirë për klientët tanë besnikë. Gjithashtu, prioritet i yni është sjellja e markave të reja dhe plotësimi i kërkesave për të tjerë target grup klientësh. Mendoj se për të qenë i suksesshëm në çdo fushë, duhet të pëlqesh atë që bën. Mua më pëlqen shumë puna ime. Përpiqem të drejtoj me shembullin tim. Punoj shumë që të përmirësoj dhe pasuroj njohuritë e mia në këtë fushë”, cilëson ajo.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code