Ku ndodheni tani dhe me çfarë po merreni?
Për momentin ndodhem në studio duke fotografuar pjatat për recetat e librit tim, i cili do të jetë shumë shpejt në treg, në duart e të gjithë dashamirësve të artit të kulinarisë.
Cili është vendimi më i mirë që keni marrë ndonjëherë?
Hapja e restorantit tim në Tiranë si dhe libri me recetat e gatimit për të gjithë ata që duan të mësojnë më shumë rreth gatimit. Me dy hapa shumë të thjeshtë, mundet të krijojnë një pjatë fantastike dhe të surprizojnë njeriun e dashur të tyre, ose shoqërinë.
Kur e ndjeni veten më të lumtur?
Kur jam pranë njeriut tim, familjes time, atyre dy njerëzve që i kam për zemër, por edhe kur merrem me gjëra të mëdha që kanë të bëjnë me karrierën time.
Kur e ndjeni veten të trishtuar?
Mundohem të mos ta kem këtë ndjesi, por ja që nuk mund t’u shmangesh atyre njerëzve të vegjël që të rrethojnë, që të qeshin me një fallcitet, që duan të jenë pranë projekteve të tua, dhe kur ti kupton që këta njerëz duhet t’i largosh nga jeta jote. Dhe kur i largon, pikërisht në këtë moment ata ta shprehin hapur mllefin, xhelozinë dhe të keqen që kanë brenda vetes së tyre. Por, kjo gjë mua më pëlqen në fund , sepse më bën edhe më të fortë. Unë heq nga jeta ime energjinë negative, por ata humbasin energjinë pozitive.
Çfarë nuk do kishit hedhur kurrë poshtë?
Familjen time, sigurisht! Njerëzit që më kanë ndihmuar në hapat e para të karrierës time dhe ata njerëz që janë pranë meje, sepse unë dua që të jenë.
Kë doni më shumë?
Çdo gjë të bukur që më rrethon pranë meje e dua!
Cila është ajo gjë për të cilën do të thoshit: nuk do ta bëj kurrë?
Tani, kam mësuar të them: kurrë mos thuaj kurrë!
Cili është mëkati më i madh për ju?
Nuk kam bërë mëkate të mëdha. Të vogla dhe të lejueshme, po(qesh).
Cila është blerja juaj e fundit?
Një palë këpucë dhe një dhuratë.
Cili është qëllimi i jetës?
Të jem pranë njerëzve që më duan. Të jem gjithmonë me këmbë në tokë, të kem shëndetin mirë dhe të jem i suksesshëm, si dhe i kujdesshëm në ato që unë bëj.