Mjafton vetëm një click dhe mund të blesh “botën” nëse dëshiron…Mundësitë janë të panumërta, alternativat e përzgjedhjes gjithashtu. Mania e momentit duket se ka kapluar çdo grupmoshë që nxitet të bëj porosi të ndryshme sipas preferencave. Por, a mund të jetë ky stil i të shpenzuarit në kufijtë e riskut?! Arlinda Selmani, Ardita Toptani dhe Fioarlba Dizdari, tri personazhe interesant rrëfejnë eksperiencat e tyre
Ardita Toptani, studente në Vjenë
Natyrisht, që të jetuarit në një nga kryeqytet më evropiane të botës e ka bërë më të “varur” ndaj trendeve moderne të momentit. Edhe pse jeta e saj i ngjan një udhëtimi të vërtetë më valixhe në dorë mes destinacioneve të ndryshme, përfshirë këtu edhe Tiranën, për studenten simpatike në universitetin shtetëror të Vjenës, çështja e të blerit online është një nga ato manitë pa të cilën nuk jeton dot. Thotë se është çështje prakticiteti, por edhe dëshirë për të poseduar gjëra ndryshe nga ajo që rëndom syri i sheh në rrugët e kryeqytetit vjenez, apo në Tiranë, vendlindjen e saj të cilën e viziton shpesh. “Natyrisht që lehtësia dhe prakticiteti janë dy pikat kyçe të blerjve online për mua, por edhe mundësia që kjo alternativë më jep për të blerë në kohën dhe vendin që zgjedh unë, pa orare të kufizuara siç ndodh nëpër dyqane”, thotë Ardita. Të vozitë vitrinat e butikëve më prestigjoz të Europës, është për të pjesë e ritualit të përditshmërisë, e cila krahas kënaqësisë i fal edhe një panoramim të asaj se çka zotërojnë realisht butikët e veshjeve apo dyqanet e ndryshme ku ajo futet për të bërë blerje sipas dëshirës. Por, e bindur se stili i saj qendron shumë larg asaj çka ofrojnë dyqanet në Tiranë apo në Vjenë, e gjitha kjo e cyt që të bëj sa më shumë blerje të ndryshme, në website elektronike, ndër më popullorët për të. “Asos, Outnet, Yooks, My Theresa, Farfetch, Cos, Ebay dhe Amazon janë disa nga sitet ku unë lundroj thuajse përditë për të pikasur diçka që mua më tërheq, e që më së miri i përshtatet stilit tim. Këpucët Limited Edition i kërkoj përgjithsisht tek “My Theresa”, xhaketat dhe xhupat tek Outnet, tek Asos bëj blerje të fustaneve. Gjithçka e kombinoj sipas stilit tim, duke dashur që të posedoj gjëra që syri nuk mi kap në përditshmërinë time”, vijon ajo. “Gropa” më e madhe në kuletën e saj duket se ndodh sa herë që ajo dëshiron të miklojë të dashurin me dhurata, në ditët më speciale të tij si ditëlindje, apo përvjetorë të ndryshëm. Apo edhe në ditët e veçanta për prindërit, shpenzimet e shtrenjta dhe kostot me fatura të kripura nuk mungojnë, ndaj kjo e nxit që të ketë një kontrroll herë pas herë në harxhimet e saj. “Gjithçka unë dëshiroj, nga veshjet, make up apo aksesorë të ndryshëm, çdo gjë e blej online sipas gustove të mia edhe pa kurrëfarë pendese. Kjo është një nga ato gjërat që më pëlqen të bëj duke vlerësuar herë pas here veten, por edhe njerëzit e mi më të dashur”.