“Nëse do të përdorja një fjalë për të përshkruar veprën time, do të ishte lëvizja, si një nga gjërat më me ndikim në jetën time, qysh ne kohët e praktikes së baletit klasik. Përmes vallëzimit mësova për joshjen e lëvizjes, transformimin e trupit dhe “evolucionin” e formës. Këto vite më mësuan se si të ndryshoja formën dhe ishte lindja e interesit tim në modë. Unë nuk mendoj se moda është si rroba, ose një disiplinë. Unë mendoj se ajo është shumë më tepër. E shoh modën si një dialog midis botës së brendshme dhe asaj të jashtme. Për mua moda është një formë e artit që është e lidhur ngushtë me mua dhe trupin tim. E shoh si një shprehje shumë personale të identitetit të kombinuar me dëshirën, humorin dhe kulturën. Duke shikuar përreth meje, unë e konsideroj atë që nuk mund ta shoh aq sa mund të shoh, dhe se fokusi transformues krijon liri në punën time. Çdo veshje dhe çdo koleksion është një mishërim për të kuptuar dhe zbuluar të reja, në nivelin konceptual, në nivelin e materiali dhe në nivelin e femërores. Kërkimi i tij ndaj formave të reja të femërores nëpërmjet siluetave organike, zejtarisë delikate, inovacionit dhe bashkëpunimit me artistë të tjerë, arkitektë dhe shkencëtarë. Ka të bëjë me bukurinë, në terrenin e ri gjenden në kryqëzimin midis precizonit dhe kaosit, artit dhe shkencës, prekjes njerëzore dhe teknologjisë së lartë, artificiale dhe organike”. – Iris van Herpen
“Syntopia” (një mjedis i ardhshëm social i cili nuk është as dystopik as utopik, por në thelb identik me të tashmen) është mbase fjala e vetme që përkufizon stilin futurist të disenjatores holandeze Iris Van Herpen, puna e se cilës po dëshmon dita ditës se në “fashion”, qielli është limiti. Rreth dy vite më parë u njoha me krijimtarinë e guximshme të artistes nëpërmjet Instagramit, ku vëmendja ime u tërhoq menjëherë nga linjat e pastra, gati kozmike të veshjeve. E veçanta e punës se saj mendoj se qëndron ne faktin se Iris është një njohëse e mire e dinamikës së lëvizjes, e baraspeshës gravitacionale, autoritetin e se cilës ajo arrin ta shkrije ngadalë nëpër linja, duke formuar struktura të brishta simetrike, në dukje pluskuese.
Teknologji
Herpen bashkëlidh ne mënyre organike vizionin e teknologjisë si krijese e njeriut dhe ne te njëjtën kohë e trupëzon atë, fal një intuite artistike të pagabueshme. Për të arritur efektin e dëshiruar, artistja ndërthur fjalën e fundit të teknologjisë me teknikat më të vjetra të artizanatit. Kjo qasje duket se është përqafuar nga elita e modës, duke e cilësuar krijimtarinë e saj “një derë drejt së ardhmes së modës”.
-Siç shprehet dhe vet stilistja, “Këto pjesë nuk janë domosdoshmërish këtu dhe tani. Ato do të lidhen me diçka që po vjen dhe diçka që ka ardhur tashmë”
Arkitekturë
Një tjetër ndikim të madh në prodhimtarinë e saj ka dhe arkitektura.
Van Herpen përpiqet t’u japë zgjidhje dilemave rrënjësore te krijimtarisë arkitektonike, siç janë ekzistenca e njeriut në raportin hapësirë–kohë. Me nxitjen e ARCAM (Architecture Centre Amsterdam) u ngjiz një bashkëpunim midis Iris van Herpen dhe Arkitektëve të Benthem Crouwel. Dizajni i Benthem Crouwel u konceptua si një rikonstruksion i Muzeut Stedelijk të Amsterdamit, forma e së cilit fitoi pseudonimin “vaskë”. Kjo frymëzoi Van Herpen për të krijuar një fustan që do të derdhej rreth trupit të modeles si një spërkatje uji, si të ish e zhytur në një banjë të ngrohtë dhe njëkohësisht për të shprehur materializimin e disa gjendjeve, strukturave e motiveve të ndryshme të ujit. Vlen të përmendet se në këtë koleksion Van Herpen paraqet 3D-printin e saj të parë që ajo e krijoi në bashkëpunim me arkitektin që vepron në Londër Daniel Widrig, printuar nga “MGX by Materialise”.
Spektakëli dhe Artet Vizive
Krijimtaria e saj gjen zbatim dhe në spektaklet më të mëdha të artit skenik në Evropë, duke sjelle risi në artin e kostumografise. Në bashkëpunim me Marina Abramovich, Damien Jalet dhe Sidi Larbi Cherkaoui, Iris van Herpen krijoi të gjitha kostumet për këngëtarët dhe kërcimtarët e operës “Pelléas et Mélisande” nga Claude Debussy. Vizioni i tyre ishte të sillnin në sipërfaqe tensionet e pashprehura dhe marrëdhëniet komplekse, që u japin karaktereve në “Pelléas et Mélisande” fuqinë e tyre.
Në përfundim te këtij shkrimi mund të themi se Iris Van Herpen është një pasaportë drejt se ardhmes së modës, si një profeci e martesës mes biologjisë dhe teknologjisë.