Të rrethohesh nga muzika dhe të përkundesh nga tingujt e saj, gjatë gjithë jetës. Një fat të tillë ka pasur artistja e re dhe tejet e talentuar, Sara Zoto. Ambicia dhe talenti i saj janë ndërthurur dhe rezultati është një violiste ambicioze, me plot ëndrra të cilat shumë shpejt, do t’i realizojë të gjitha.
Si lindi pasioni për violinën dhe si u zhvillua ai?
Duke ardhur nga një familje muzikantësh (mami im është mësuese violine, ndërsa vëllai violinçelist), muzika më ka ndjekur që në hapat e parë të fëmijërisë. Kam filluar menjëherë të luaj në instrumentin e violës në moshën 9-vjeçare e deri më tani.
Çfarë të pëlqen/ frymëzon te violina dhe pse ke zgjedhur pikërisht këtë instrument?
Kam dashur të jem gjithmonë unike dhe instrumenti që kam zgjedhur, ose mund të them se më ka zgjedhur ai mua, është po tejet i veçantë, ashtu si gjithçka që kam bërë deri tani, gjatë gjithë jetës sime.
Cila është eksperienca më e bukur deri tani?
Çdo koncert është një eksperiencë e re në karrierën time si violiste, por mund të them se herën e parë që jam ngjitur në skenë, do ta kujtoj deri në daljen e fundit.
Isha vetëm 10 vjeç dhe pata recitalin tim të parë në hollin e Teatrit të Operës. Kur u ngjita në skenë i thashë vetes: “Sara, sigurisht që skena qenka me të vërtet një vend shumë komod, por është pikërisht vendi ku dua të qëndroj përgjithmonë”.
Cila është ëndrra jote më e madhe, e cila lidhet me violinën?
Ëndrra ime është të luaj në një nga skenat më prestigjoze, si ajo e “Berliner Philarmoniker” dhe që një ditë, të gjithë të dinë pak nga historia ime.
Si është raporti yt me instumentet e tjera muzikore?
(Qesh) në Konservator kam ndjekur leksionet e pianos; çdo instrument është i mrekullueshëm dhe do të doja t’i luaja të gjithë, por e preferuara ime mbetet viola.
A ka ndonjë artist që të frymëzon dhe shërben si shtysë e model në karrierën tënde?
Artisti që më frymëzon me shumë është profesori im Andrea Amendola. Gjatë këtyre viteve nuk ka qenë thjesht pedagogu im por baba, mik dhe vëlla për mua. Më mësoi si të doja muzikën time dhe si ta ndjek atë që buron nga zemra.
Dua që në një të ardhme të kem të paktën 50% të krijimtarisë dhe shpirtit të tij të lirë si artist.
Nëse do të kishe mundësinë të bëje një duet me një violist/e të mirënjohur, cilin/ën do të zgjidhje?
Një nga violistet që do të më pëlqente të luaja në duo është Tabea Zimmerman, violiste soliste në Berlin, me të cilën kam pasur fatin ta njoh dhe të punoj.
Cilat janë planet për të ardhmen? Ku do ta shohim Sarën e talentuar?
Vitin e fundit jam përkushtuar pak më shumë në përfundimin e studimeve në Trieste, Itali, por edhe projektet e reja nuk mungojnë. Së shpejti do të kem recilatin tim, të përgatitur nga një asociazon shumë i rëndësishëm në Itali, “Società dei Concerti”.