Handcrafted Luxury Jewerly
E krijuar në 2016 nga Valentina Juncaj, “Vajzë” është një linjë autentike, e cila reflekton cilësitë më të bukura të gruas, në çdo fazë të jetës. Nëpërmjet stilit, “Vajzë” prezanton forcën, egërsinë, pavarësinë, por edhe butësinë dhe feminitetin e të gjitha grave, kudo në botë.
Valentina frymëzohet nga gratë që e rrethojnë, nga kulturat që viziton, ndjesitë e arkitektura dhe krijon kryevepra të cilat me veçantinë e tyre, plotësojnë në mënyrë perfekte veshjet.
“Vajzë” është një jehonë e cila u drejtohet grave dhe i fton të shprehin individualitetin, elegancën, klasin dhe të gjitha virtytet e karakterit të tyre, në një trajtë që nuk zhgënjen kurrë: përmes stilit dhe aparencës së tyre.
“Vajzë”, krijuar nga një grua, për të gjitha gratë.
Valentina Juncaj
CEO dhe Creative Director e Vajzë.
Si ka lindur dëshira për të krijuar bizhuteri kaq fantastike dhe më pas një sipëmarrje si “Vajzë”?
Gjithmonë e kam dashuruar artin dhe të shprehurit përmes modës dhe stilit, por nuk e kisha menduar ndonjëherë se do të dizenjoja apo do të isha një sipërmarrëse.
Karriera ime ka nisur në degën e financës dhe biznesit dhe gjithnjë kam punuar në botën e korporatave, ndaj e kam parë veten time në pozicionin e CEO.
Në rastet speciale, veshjet e miqve dhe familjarëve plotësoheshin me bizhuteritë e mia dhe ndieja se e adhuroja faktin që kjo u dhuronte shumë vetëbesim. Më pas, kuptova se ishte fusha e duhur për mua dhe kjo erdhi në mënyrë tejet natyrale, edhe pse nuk e kam konsideruar ndonjëherë si sipërmarrje që më përshtatet, sigurisht që dëshiroja shumë të lulëzonte dhe të merrte trajtën e një biznesi të suksesshëm.
Shumë shpejt nisa të krijoja bizhuteri dhe të punoja me mjeshtrat e metalit, duke marrë leksione prej tyre, në mënyrë që të zbuloja se çfarë mund të bëja. Kjo ishte pikënisja e “Vajzë”, duke nisur nga një skicë, për t’u finalizuar me një bizhuteri të re.
U dashurova me procesin e dizenjimit dhe vendimmarrjes. Sipërmarrja më lejon të eksploroj këndvështrimet dhe të shpreh vizionin tim, gjithashtu më sfidon të rritem nga disiplina dhe mësimet e mia.
“Vajzë” e ka qendrën në Detroit, por mban një emër krejtësisht shqiptar.
Gjithashtu, produktet tuaja mbajnë emrat e vajzave shqiptare dhe kjo përpos faktit që u jep identitet dhe i personalizon, njeh edhe botën me emrat dhe kulturën tonë. Pse kjo zgjedhje?
“Vajzë” reflekton feminitetin dhe kulturën shqiptare, kështu që gjeta emrat më të bukur të vendit tonë, të cilat përshtaten me bizhuteritë e mia. Emërova secilën bizhuteri sipas personalitetit dhe kuptimit që mbart emri. Disa prej tyre janë pagëzuar duke u bazuar në karakterin e miqve, familjarëve dhe njerëzve që takoj.
Çfarë simbolizojnë bizhuteritë e krijuara nga ju?
Bizhuteritë e mia simbolizojnë të gjitha aspektet e feminitetit dhe cilësitë që i lidhin gratë së bashku, pa marrë parasysh prejardhjen apo arritjet e tyre. Gratë janë të forta e të egra, njëkohësisht të buta dhe shumë të bukura. Jemi shumëdimensionale dhe pikërisht këtë kam dashur të pasqyroj në bizhuteritë e mia.
Sa e vështirë ka qenë për një sipërmarrje të re depërtimi në treg?
Është “e vështirë” të nisësh një biznes në mënyrë organike, por unë besoj se nëse vërtet e ke pasion dhe e do diçka, je gati të punosh me orë të zgjatura dhe të sakrifikosh shumë për këtë arritje, do ta gjesh një rrugë “të lehtë”. Me rëndësi është të ndjesh kënaqësi në rrugëtimit drejt suksesit dhe të mos presësh fundin e synimeve.
Përsa i përket bizhuterve, ka shumë për të mësuar, jo thjesht si t’i krijosh ato, por edhe si të mbash ekuilibrin e një dizajni në përshtatje me aparencën, stilin e një personi dhe “peshën” e bizhuterive. Pas gjithë punës së ndërlikuar në krijimin e diçkaje të bukur që e ka zanafillën nga metali, qëndron edhe mënyra si e marketon dhe garantimi i një eksperience të shkëlqyer për klientët.
Si i kanë pritur klientët prurjet dhe krijimet tuaja?
Shqiptarët kanë qenë shumë mbështetës dhe mikpritës, duke më dërguar mesazhe të shumta dhe shumë dashuri. Përpos shqiptarëve, kam pasur fatin të marr reagime dhe mesazhe shumë pozitive nga kaq shumë njerëz, në mbarë botën.
E mban mend porosinë e parë?
Po, e mbaj mend! Në fakt, mbaj mend disa porosi. Shumica prej tyre ishin familjarë dhe miq, por kujtoj edhe porosi nga persona që nuk i njoh dhe kjo është shumë emocionuese!
Si vijon puna juaj? Sa persona përbëjnë stafin e “Vajzë”?
Jemi duke u zgjeruar dhe gjithmonë e më shumë kërkojmë njerëz të rinj në të gjithë botën, duke punuar në shumë dyqane me vendndodhje në SHBA. Shpresoj të prekim edhe Europën.
Punojmë me fotografë, modelë, artistë, influencers, graphic designers, të cilët i menaxhoj vetë. Gjithashtu, mendojmë të zgjerojmë stafin gjatë vitit 2021.
Me cilat materiale punohen bizhuteritë?
Bizhuteritë krijohen me bronz, argjend, disa prej tyre janë të lara ose kanë si bazë arin. Shumë shpejt do të përqafojmë edhe “sold gold”.
Çfarë ju frymëzon?
Frymëzohem nga vendet dhe kulturat që vizitoj. Ndonjëherë më inspirojnë ndjesitë dhe arkitektura.
Cilat janë planet e mëtejshme për “Vajzë”?
Do të zgjerohemi duke prezantuar koleksione të reja, produkte dhe aksesorë për të gjitha stilet e jetesës. Gjithashtu, do të sjellim edhe linjën e re “Burrë”.
Shpresoj që shumë shpejt të jemi prezentë në dyqanet europiane, madje më shumë se në SHBA.